11 Pridh

Edison YPI

A ishte i arsimuar?
Dridhej e përdridhej të linte përshtypjen se ishte i shkolluar, por i shkalluari i pashkolluar s’mori dot asnjë diplomë.
Po i edukuar, i kulturuar, i ditur, a ishte?
As minimalisht. Nga frika se mund ta dëshmonin sa i paditur ishte, i vrau një nga një të gjithë ata që ja dinin hilet.
I njohur në botë?
Aspak. Për t’u dukur i njohur paguante me gjakun e shqiptarëve ecejaket nga Amerika Latine dhe Azia të ca zhabulanëve, ca minj bodrumesh, ca hije humbëtirash, ca halabakë të krrupshëm të vjellshëm.
Atdhedashës?
Ishte atdhevrasësi, atdheshkatërruesi, atdhevarrosësi më i ndyrë që ka njohur bota.
Burrë shteti?
Miu i shtetit e mbushi vendin me spiuna, burgje, bunkera. Administratën me mjelëse, mbjellëse, korrëse, karrociera.
Trim?
Dhjetëra vite fshehur si krimb nën gur.
I Besës?
I vrau të gjithë shokët.
Ndërtimtar?
Apartamente si furriqe. Asnjë rrugë. Mender fabrika për t’u gjindur kola në punë. Nën diga varrosi më tepër jetë njerëzish se metra kub beton. I ashtuquajturi “elektrifikim” ishte dy llampa 40-vatëshe për çdo shtëpi. Energjinë e digave të vdekjes e shpenzoi më së shumti në hekurishten më të madhe të planetit, në furrat elektrike të kombinatit “çeliku i kurvit”, për funksionimin e të cilit, qymyrin e mori nga Polonia dhe mineralin e hekurit që ndodhet me miliarda ton në Prrenjas, e merrte në fund të botës në Brazil. Për me prodhu lesht e hamamit, një vorrezë.
E zhvilloi bujqësinë?
Bujqësia ishte “çështje e të gjithë popullit”, por populli hante “çështjen”, ndërsa bujqësinë e hanin gjermanët dhe belgët, të cilëve bqiri vrasës u shiste me çmime qesharake fruta dhe perime shqiptare që ta kishin barkun plot në prag të shpërthimit të revolucionit proletar botëror.
Arsimdashës?
Ngriti shkolla dhe universitete për të arsimuar budallenj, për të cilët Shqipëria është qendra e Universit, teoremën e Pitagorës e ka shpikur dhe zgjidhur Çajupi, Kanalin e Suezit e ka çarë tradhtari Kadri Hazbiu.
Naftën e kërkonte me lupë mbi hartë rrethuar nga eksperta, të cilët i burgoste ose i vriste të nesërmen.
Për bërjen e Shqipërisë “shteti i parë ateist në botë” s’dinte asgjë, s’pati asnjë dijeni. Hedhja në erë e kishave dhe xhamiave dhe pushkatimi i priftërinjve e hoxhallarëve u bë me iniciativën e rinisë së Durrësit, asaj që në ’90-ën u kacavjerr nëpër anije dhe iku e gjitha në Itali.
A e donte Kosovën, kosovarët?
Kosovarët që arratiseshin prej andej dhe vinin këndej, pasi i rrihte si kafshë nëpër biruca, i kalbte nëpër burgje.
Kosovën e bëri më të largët se Zelandën e Re. Aq të njohur e bëri Kosovën dhe Maqedoninë perëndimore, sa ka sot shqiptarë të Shqipërisë që të thonë se Struga ndodhet në Kosovë, Podujeva në Maqedoni, Tetova në Serbi.
Gëzohuni o shqiptarë 11 Pridhit, kësaj date kur ngordhi një vampir.
Gëzohu t’i i lodhuri, i sëmuri, i internimeve e burgjeve që rrëke lotësh të nxehtë t’i çanë faqet gjatë dhjetëra viteve.
Gëzohu t’i o fshatar, se një copë tokë e ke.
Gëzohu edhe t’i malësor, se një shtëpi e ngrite.
Falju kësaj date pridhi në këto ditë pranvere edhe t’i o nostalgjik që gënjeshtra deshe, gënjeshtra kishe, gënjeshtra ke.
Lumnohu edhe t’i o komunisti i pandreqshëm. Një parti kishe, tani ke disa.
Ta shpallim 11 Pridhin festë kombëtare?
S’është nevoja.
E keni në zemrat tuaja.