Turpërohet Interi

Shpresat e Interit për të luftuar për Europën kanë marrë një goditje shumë të rëndë dje, pasi skuadra e Stefano Piolit është mundur në mënyrë të papritur me rezultatin 2-1 nga Krotone. Skuadra që lufton për mbijetesë në elitën e futbollit italian dhe që aktualisht gjendet në zonën e ftohtë të klasifikimit, ka shfrytëzuar pasaktësitë e njëpasnjëshme të zikaltërve në fillimin e ndeshjes duke i ndëshkuar dy herë brenda pak minutash. Falçineli ishte autor i të dy golave, fillimisht me penallti e më pas falë një pasigurie të mbrojtjes zikaltër që i hapi rrugën sulmuesit drejt portës.
Interi rrezikoi disa herë të pësonte edhe golin e tretë në pjesën e parë, por shfaqi një lojë krejtësisht ndryshe në pjesën e dytë, pasi Pioli aktivizoi Eder dhe Palacio. Zikaltërit shkurtuan diferencën me D’Ambrosion dhe pastaj iu afruan shumë rrjetës me disa mundësi të mira shënimi, mes të cilave edhe një shtyllë të Eder. Por Krotone i rezistoi deri në fund vrullit të Interit duke arritur të marrë një fitore historike, e cila e ndihmon gjithashtu në luftën për mbijetesë.
Roma hedh pas menjëherë atë eliminim në Kupën e Italisë nga rivalët e Lazios, duke u rikthyer te fitorja në kampionat. Një 3-0 ndaj Bolonjës që i mban verdhekuqtë në ndjekje të Juventusit, 6 pikë ndaj bardhezinjve. Vendimtare për Romën forma e mirë e Fazio dhe Mohamed Salah, autorët e dy golave të parë, ndërsa rezultati 3-0 u vulos nga i zakonshmi Edin Dzeko.
Një javë para derbit ndryshojnë vend në renditje rivalët milanezë. Kuqezinjtë e Milan parakalojnë Interin falë një fitorje 4-0 ndaj Palermos, në një ndeshje që karikon me optimizëm ambientin kuqezi. Milani shënoi pas vetëm 6 minutave me Suson, dyfishoi pastaj në të 19 me Pasalic dhe shkoi në dhomat e zhveshjes në avantazhin e 3 golave falë një finalizimi në minutën e 37 nga Carlos Baka. Në të dytën edhe një tjetër nga Delofeu që sigloi të katërtin me një të djathtë fluturimthi dhe Milanin që ngjitet në vendin e 6-të.
Super Napoli fiton duelin e drejtpërdrejtë me Lazion për një vend në Champions, një 3-0 ndaj kryeqytetasve që blindon vendin e tretë duke mbajtur 7 pikë Lazion. Në këtë mënyrë Hysaj fiton derbin e shqiptarëve me Strakoshën me të dy futbollistët e kombëtares që ishin titullarë. Napoli në avantazh që në minutën e 25 me Callejon që çoi topin lehtësisht në rrjetë pas goditjes së Hamsik. Napoli ishte superior dhe gjeti golin e dyfishimit në pjesën e dytë, me Insignen që mposhti për herë të dytë Strakoshën. Goli i 13 në kampionat për Insigne që thyen rekordin e tij personal në një sezon të serisë A e madje shënoi edhe në 14 në minutat e fundit duke kompletuar dygolëshin e tij personal për të vulosur rezultatin.