Tjetër fitore për Valencian, mposht edhe Granadan

3 fitore radhazi për Valencian në La Liga. Skuadra e trajnerit Voro, triumfoi edhe në transfertën andaluziane përballë Granadës me shifrat 1-3, duke ngjitur në kuotën e 39 pikëve dhe duke siguruar përfundimisht mbijetesën. Në stadiumin “Los Carmenes” gjithçka rezultoi e thjeshtë për Valencian që u vu në vështirësi nga Granada vetëm në 15 minutat e para. Pavarësisht mungesave të lojtarëve të tillë si Gaya, Nani, Rodrigo dhe kapitenit Enzo Perez, Los Che zgjidhën gjithçka falë një dygolëshi të shpejtë të Simone Zazas. Në harkun e 3 minutave nga e 19-ta në të 21-tën ish-sulmuesi i Juventusit dhe West Ham, ndëshkoi dy herë portierin meksikan të vendasve Ochoa duke i çuar shifrat në 0-2.
Në pjesën e parë Valencias iu anulua edhe një tjetër gol për pozicion jashtë loje, ndërkohë që miqtë vulosën suksesin me golin e tretë që u realizua nga talenti Santi Mina në minutën e 55-të. Finalizimi i Ponces në të 65-tën i vleu thjesht për statistika Granadës që nga java në javë është gjithnjë e më pranë rrëzimit në Segunda Division.