Veseli tregon sekretet e “mësuesit”

Karriera e Frederik Veselit mund të kishte marrë një rrjedhë krejtësisht tjetër po të mos ishte për Zdenek Zeman. Trajneri çek, i cili aktualisht drejton Peskarën, e cilësoi si bast personal mbrojtësin shqiptar duke e afruar dy vite më parë te Lugano dhe që aty, karriera e shqiptarit u ringjall pas disa eksperiencave aspak të lumtura në Angli.
Ndaj Veseli do t’i jetë gjithmonë mirënjohës teknikut, të cilin do ta ketë sot si kundërshtar në fushën e lojës me Empolin në një betejë të zjarrtë për mbijetesën. “Është e vërtetë, mundësia që m’u dha për të punuar me Zeman ishte shumë e rëndësishme për karrierën time. Kam mësuar shumë prej tij, nga të gjitha pikëpamjet dhe ajo që më ka mësuar më ka shërbyer dhe po më shërben shumë edhe në këtë aventurë në Serinë A”, shpjegoi lojtari për “Il Tirreno”.
Sipas mbrojtësit, edhe pse Zeman njihet më shumë për lojën ofensive, ai i jep shumë rëndësi edhe prapavijës. “Nuk është i pakujdesshëm sa i përket mbrojtjes. Pastaj unë isha mësuar me një lloj të veçantë loje nga sezonet e mëparshme në Angli. Loja e tij ofensive të mundëson të njohësh me detaje se si lëvizin dhe çfarë kërkojnë qendërsulmuesit. Kjo të ndihmon shumë pastaj kur zbret në fushë dhe duhet të mbrosh zonën apo portën tënde”, theksoi Veseli.
Ndaj kundër Peskarës, sot, duhet shumë kujdes. “Pikërisht. E para sepse në këto muaj kam kuptuar që në Serinë A nuk ka asgjë të thjeshtë, pastaj sepse skuadrat e Zeman janë gjithmonë të paparashikueshme. Janë të afta të sigurojnë arritje të mëdha dhe e dimë që nuk kemi luksin të nënvlerësojmë askënd”, tha ai.
Veseli i është kthyer rregullsisë në fushën e lojës, fillimisht me kombëtaren e Shqipërisë e më pas ndaj Romës, duke luajtur në qendër të mbrojtjes dhe duke treguar se mund ta mbulojë këtë rol. “Jam i lumtur nga paraqitjet e mia, sigurisht, aq sa të lejon fakti që jemi mundur. Por në përgjithësi jam i lumtur që më në fund po ndjehem mirë fizikisht pasi kisha që te ndeshja me Milanin që vuaja nga shqetësimet. Tani po stërvitem me rregullsi dhe kjo mendoj se është parë në fushën e lojës.
Ndeshja me Italinë? Ishte një mundësi e shkëlqyer dhe falënderoj De Biazin që ma dha. Në ato dy ndeshje me kombëtaren munda të nxjerr në pah punën që kam bërë te Empoli në stëvitje. Ndaj edhe kundër Romës u ndjeva i gatshëm për të luajtur në qendër të prapavijës”, ishin fjalët e 24-vjeçarit, i cili mund ta mbulojë këtë pozicion edhe në takimet e mbetura nga ky sezon në Serinë A.