Ballina Ekonomi Tkurrja e vendeve të punës, alarmi që vjen nga bizneset

Tkurrja e vendeve të punës, alarmi që vjen nga bizneset

Nga Ornela Liperi

Në sistemin bankar, në vitin 2016 u shtuan neto vetëm 28 të punësuar. Vendi i preferuar i punës për shumë të rinj me arsim të lartë, që janë në kërkim të një perspektive për karrierë dhe paga të kënaqshme, vitet e fundit nuk është më lehtësisht i disponueshëm, si disa vite në parë, kur punësimi rritej me ritme dyshifrore. Sistemi është në stanjacion, një pjesë e madhe e bankave janë me humbje dhe oreksi i tyre për t’u zgjeruar është minimal: vitin e kaluar u mbyllën 15 degë, duke zbritur në 503, sipas të dhënave zyrtare nga Shoqata e Bankave. Në total, në fund të 2016-s kishte gati 7 mijë persona që punonin në banka. E njëjta tendencë konstatohet në shoqëritë e telekomunikacioneve, edhe ato ndër më të preferuarat dhe të paguarat. Teksa normat e fitimit kanë rënë dhe konkurrenca është rritur, operatorët po tregohen të rezervuar në hapjen e vendeve të reja të punës dhe vitet e fundit, numri i të punësuarve ka mbetur në rreth 420-450 për Vodafone dhe Telecom Albania, ndërsa Albtelecom e ka reduktuar numrin e tyre në rreth 860 (sipas të dhënave të fundit të 2015-s), pas ristrukturimit dhe shkrirjes me Eagle Mobile. Nuk ka më shumë shpresa as për doktorët në spitalet private, që tashmë duket se i kanë plotësuar nevojat për personel dhe ndryshe nga periudha 2012-2014, kanë shumë më pak kërkesa për mjekë të rinj. I vetmi sektor që ka parë rritje vitet e fundit ka qenë call center, që tërhoqi një sërë kompanish italiane të transferonin aktivitetin e tyre në Shqipëri, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohjen e gjuhës italiane nga të rinjtë. Por e ardhmja e këtij sektori, pavarësisht avantazheve të dukshme, është vënë në pikëpyetje pas sulmit të hapur të qeverisë italiane, që po u vë barriera sipërmarrjeve të këtij sektori dhe mungesës së kundërpërgjigjes nga qeveria shqiptare. Shqipërisë i mungojnë dukshëm kompanitë e mëdha private me më shumë se 450 të punësuar dhe hyrjet e reja numërohen me gishta vitet e fundit. Sa më të mëdha ndërmarrjet aq më shumë janë në gjendje të amortizojnë goditjet e krizës dhe rënies së konsumit, si rrjedhojë e ekonomisë së shkallës, ndryshe nga të vegjëlit, që janë më të brishtë. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, në bazë të listës së 100 punëdhënësve më të mëdhenj në vend, në të përfshihen 45 sipërmarrje me kapital privat (me më shumë se 450 punëtorë), 11 janë kompani me kapital shtetëror dhe 44 të tjera janë ente shtetërore (bashki, spitale, ujësjellës, drejtoritë e policive etj.). Nga këto 45 ndërmarrje private dominon sektori i këpucëve, që punon kryesisht me material porositësi, me 11 të tilla, 7 janë në fushën e call center, 5 janë banka, 3 janë subjekte të sigurisë fizike, 4 janë baste sportive, 2 arsim privat, të tjerat janë në fushën e televizionit, prodhimit të naftës, minierave, ndërtimit (rrugëve) etj. Mungojnë sipërmarrje të mëdha prodhuese apo dhe biznese të teknologjisë së informacionit, drejt të cilave po orientohet sot e gjithë bota. Nga 45 punëdhënësit më të mëdhenj privatë në vend, 7 janë nga sektori i call center, e ardhmja e të cilit nëse nuk evoluon dhe nuk përshtatet, mbetet në pikëpyetje. Këto 7 sipërmarrje kanë së bashku 10 mijë të punësuar.

Varësia nga call center

Nga 45 punëdhënësit më të mëdhenj privatë në vend, 7 janë nga sektori i call center, e ardhmja e të cilit nëse nuk evoluon dhe nuk përshtatet mbetet në pikëpyetje. Këto 7 sipërmarrje kanë së bashku 10 mijë të punësuar. Punëdhënësit më të mëdhenj në vend (pa entet publike). Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është punëdhënësi më i madh në Shqipëri. Në fund të vitit 2015, kompania kishte rreth 6 mijë të punësuar. Intercom Data Service (IDS) është punëdhënësi i tretë më i madh në vend (pas OSHEE dhe Drejtorisë Arsimore Tiranë) dhe i pari nga sipërmarrjet private, me rreth 3 mijë të punësuar. E përqendruar në aktivitetin e thirrjeve telefonike, IDS është nga pionierët e parë të këtij sektori në vend, që vitet e fundit ka punësuar mijëra të rinj shqiptarë, madje po tërheq edhe të rinj italianë, teksa po diversifikohet dhe në shërbimet online të marketingut. Renditjen e vijon Top Bast, një subjekt që vepron në aktivitetin e lojërave të fatit, me gati 2200 të punësuar. Më shumë se hapje reale e vendeve të punës, ky rezulton një formalizim, pas aksionit të qeverisë në vitin 2015 në këtë sektor. Në renditjen e punëdhënësve më të mëdhenj janë dhe operatorë të tjerë të këtij segmenti si I T S G A, Loto Sport dhe Top Start. Të katërta kompanitë deklarojnë gati 5 mijë punonjës, pothuajse dyfishim në raport me 2014-n. Dy sipërmarrjet e tjera të mëdha call center janë Albanian Marketing Service (Teleperformance) dhe Albacall, me përkatësisht 2150 dhe 1800 të punësuar. Ky sektor dominon dukshëm në renditjen e kompanive më të mëdha për nga pesha në punësim. Në total, nga 43 mijë punonjës të punësuar nga 45 më të mëdhenjtë, 23% i përkasin call center. Operatorë të tjerë të mëdhenj janë PARR, Professional Marketing Albania, Tregi Marketing Group, FIBER. Sektori i fasonit vijon të jetë punëdhënës i madh, sidomos në prodhimin e këpucëve që ka përparuar në raport me tekstilet dhe pjesa më e madhe e sipërmarrjeve e kanë mbyllur ciklin, duke rritur vlerën e shtuar. Alba Shoes Group mbetet më i madhi për numrin e të punësuarve, me rreth 1200 punonjës. Më pas renditen Remal, Fital, Donianna, Endi sh.p.k., Dophil. Nga bizneset e veshjeve, më i madhi është Naber-Shijak. Center Shqiptare Berat, me aktivitet në fabrikimin e letrës dhe kartonit të valëzuar dhe ambalazhit me karton, ka rreth 1000 të punësuar. Nga bankat, kryesimin e kanë Raiffeisen dhe BKT, së bashku me Credins e Intesa Sanpaolo Bank. Sipërmarrjet e naftës, që kryesojnë renditjen sipas qarkullimit vjetor, janë kryesisht tregtues të mëdhenj (Kastrati) dhe me kapital intensiv (Bankers Petroleum) dhe punësojnë nga rreth 500 persona secili.

Çfarë do të ndodhë me call center

Intercom Data Service (IDS), që është kompania më e madhe e punëdhënësve privatë në Shqipëri kishte rreth 3000 të punësuar në fund të vitit 2015. Agron Shehaj, administrator i sipërmarrjes, thotë se numri i të punësuarve edhe aktualisht ka mbetur i pandryshuar. “Është e vështirë të rritesh kur je i madh”, thotë ai, ndërsa shton se edhe konkurrenca është shtuar. Shehaj pohon se do të mbajë pozicionin që ka me IDS-në, ndërsa pret rritje shumë të madhe te kompania tjetër Localweb, agjencisë së webmarketing e krijuar në Itali në gusht 2013, ku mbi 250 të rinj punojnë në zyrat e Tiranës. Përmes internetit (Google, Facebook) ata gjejnë klientë për bizneset me të cilët ata kanë kontrata. “Me Localweb jepet shërbimi i reklamës në web për sipërmarrjet e mesme dhe të vogla në Itali”, thotë Shehaj. Investimi për Localweb është në radhë të parë një diversifikim në një fushë me shumë potencial, që është tregu dixhital. Ai nuk ka në qendër biznesin e call center, por webmarketing, që nuk preket nga ndryshimet e ligjit në Itali. “Ne nuk po bëjmë një call center më të mirë, ne po shkojmë përtej call center”, ka pohuar Shehaj. Në fakt, kalimi në një tjetër nivel, përtej thirrjeve, po shihet si “shpëtimi” për sektorin e qendrave telefonike, për të cilin interesi vijon të jetë shumë i lartë, por që po sulmohet fort nga Italia. Më 1 prill hyri në fuqi ligji i ri i delokalizimit në Itali, i miratuar nga qeveria italiane në dhjetor të vitit të kaluar, që tenton të forcojë masat ndaj fenomenit “dumping” në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit në Itali, ku një pjesë e madhe e vendeve të punës është transferuar në Shqipëri, për shkak të avantazhit të kostos së fuqisë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane. Ligji vendos sanksione deri në 150 mijë euro për shkelje si mosdeklarimi i origjinës nga bëhet telefonata, mosruajtjen e të dhënave, mosnjoftimi i delokalizimit, mosdeklarimi i numrit të punonjësve, transferimi i punonjësve etj. Për shembull, mosinformimi i vendit nga bëhet thirrja shoqërohet me një sanksion administrativ prej 50,000 eurosh për çdo ditë të shkeljes së ligjit, pavarësisht nga numri i thirrjeve “jo të rregullta”. Operatorët e tregut pohojnë se ky presion ka filluar të ndihet. Kompanitë e mëdha italiane kanë filluar që të reduktojnë kontratat në Shqipëri. Telecom Italia Mobile (TIM), platforma televizive me pagesë Sky dhe Fastweb (fibra optike), të cilat kanë kontraktuar operatorë shqiptarë për shërbimet e call center, po tërhiqen gradualisht. Sektori i call center në Shqipëri ka 25 mijë të punësuar dhe ka njohur një zgjerim të shpejtë vitet e fundit. Por, ndërsa të paktën ndërmarrjet e mëdha do t’i mbijetojnë presionit italian, nuk pritet që rritja të vazhdojë me ritme të njëjta, ndërsa ka sinjale se disa subjekte kanë filluar të mbyllen. Qeveria italiane duket e vendosur për të mos lejuar as transferimin e kompanive të tjera në Shqipëri dhe po u bën presion kompanive celulare, televizive të internetit të mos rinovojnë kontratat me operatorët shqiptarë. “Il Sole 24” shkruan se legjislacioni “antizhvendosje” në industrinë e call center, miratuar në ligjin e buxhetit (ndër më kufizueset në BE) ka filluar të tregojë rezultate. “Vetëm në janar janë vënë 20 sanksione në raport me 30 që u zbatuan gjithë vitin e kaluar – ka pohuar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda. Hapi i dytë, tani, është që të shmanget lëvizja dhe brenda Europës, në mënyrë që kompanitë të mos kalojnë nga Shqipëria në Rumani. Tani për tani, kemi marrë OK nga 12 nga lojtarët kryesorë, ne duam që të arrijmë deri në 15”. Çështja është që në skenarin aktual ekonomik, “sektori i call center ka nevojë për një nivel mbrojtjeje të veçantë”, ka shpjeguar zyrtari i qeverisë.

Mbylljet e mëdha të kompanive me potencial të lartë punësimi

Disa kompani, punëdhënës të mëdhenj, nuk janë më në treg si “Kurum”, që shpalli falimentin për arsye ristrukturimi në shkurt 2016. Në vitin 2015, ai kishte më shumë se 500 punonjës. Transatlantic Albania, që shfrytëzonte me koncesion dy vendburimet e naftës dhe gazit në Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, me gati 500 punonjës, i është prishur kontrata nga Albpetrol. Megjithatë, shfrytëzimi i burimeve është marrë në dorë nga kjo e fundit, që ka hapur sërish garën. Përpunuesi i naftës, ARMO, me mbi 1000 të punësuar në fund të 2014-s vijon të jetë në një situatë të komplikuar, edhe pasi u mor në shfrytëzim nga kompania offshore IRTC ku një pjesë e madhe e punonjësve po i kërkojnë pagat e prapambetura përmes përmbarimit ose gjykatës.
Kuarta, shoqëria e tregtimit me pakicë të naftës (që ka qenë pjesë e ish-grupit Taçi Oil) me rreth 400 të punësuar më 2014-n, është tashmë e falimentuar. Ndërsa këta punëdhënës të mëdhenj kanë dalë nga lista, nuk shihet të ketë hyrje të reja të sipërmarrjeve private, me më shumë se 400 të punësuar, më 2015-n. E vetmja kompani e re, e renditur në listën e punëdhënësve më të mëdhenj është JEU, e hapur më 2014-n dhe me aktivitet në fushën e material-porositësit. Mungojnë dhe investimet e huaja në industri apo fusha të tjera përveç gazsjellësit TAP, që do të gjeneronin vende të reja pune me ritëm të shpejtë.
Bizneset, të paktën në afatin e shkurtër, kanë deklaruar një ngrirje të investimeve, për shkak të situatës së paqartë politike, që nënkupton më pak vende pune të hapura. Ka një orientim pozitiv drejt turizmit, teksa bizneset po i alokojnë në këtë sektor investimet e tyre, por dhe këtu është problematike cilësia e fuqisë punëtore dhe rreziku se këto investime mund të kthehen në një flluskë për shkak të infrastrukturës së dobët dhe shfrytëzimit të turizmit për një periudhë të shkurtër të vitit. Shqipëria ka një numër të lartë të punësuarish në turizëm dhe listohet si vendi i tretë në botë që siguron punësim të lartë në këtë sektor, sipas të dhënave të World Travel and Tourism Council (WTTC). “Shqipëria vjen si surprizë në vendin e tretë, ku 24% e vendeve të punës (një në 4) janë si rezultat i turizmit. Për 50 vjet e mbyllur nga bota, Shqipëria ende nuk mund të quhet destinacion i profilit të lartë turistik, por turistët tërhiqen nga produktet turistike të panjohura kryesisht në Rivierën shqiptare dhe Alpet e Shqipërisë. Markat ndërkombëtare ende mungojnë në vend, po sipërmarrja është duke lulëzuar dhe kjo do të thotë që autenticiteti është pika më e fortë e turizmit shqiptar”, thuhet në raportin e World Travel and Tourism Council të publikuar së fundi mbi impaktin ekonomik të udhëtimeve dhe turizmit, fokusuar tek shtetet që krijojnë më shumë vende pune nga turizmi.

Exit mobile version