Rënia e demokracisë “Obama”

Douglas Heaven
“BBC”

Besimi në institucionet politike, por edhe në vetë procesin politik, ka rënë në nivele historike. Shtetet e konvertuar së fundmi në demokraci në Europë dhe Lindjen e Mesme, janë duke rrëshqitur drejt regjimit autoritar. Liderët populistë janë duke fituar vota. Gjithmonë e më shumë shoqëri të botës janë duke u shkëputur nga sistemi qeverisës që ka qenë themeli i vendeve të zhvilluara për breza të tërë.
“Vendet si Rusia, Lindja e Mesme dhe Kina marrin shumë vëmendje”, thotë Joan Hoey i Njësisë së Inteligjencës së Ekonomisë në Londër. “Megjithatë, problemi i vërtetë ndodhet këtu, në zemër të demokracive të konsoliduara të Perëndimit”. Këndvështrimi i egër i ekspertit ndahet nga shumë të tjerë. Shtetet perëndimore po shqetësohen për shëndetin e demokracisë për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore, thotë Larry Diamond, një sociolog politik në Universitetin e Standfordit në Kaliforni. “Nuk kemi parë asgjë të tillë për dekada me radhë dhe nuk e dimë se ku po shkojmë”, thotë ai. “Nuk e dimë sa serioze është”.
Diamond prej kohësh vëzhgon mbarëvajtjen e demokracisë nëpër botë dhe ka vënë re se ka hyrë në fazën që ai e quan “recesion të lehtë, por të vazhdueshëm” prej rreth një dekade. Vende të botës relativisht të reja në sistemin demokratik – si vendet e ish-Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore apo shtetet që luftojnë me pasojat e Pranverës Arabe – janë duke rrëshqitur gradualisht drejt autoritarizmit. Por vitin e kaluar, gjithçka ndryshoi. Demokracia është tani në rrezik edhe në vendet më të pjekura të botës, thotë ai. “Tani mund të flasim për krizë të vërtetë”.
Në fakt, rënia e demokracisë është matur. Që pas vitit 2006, Hoey dhe kolegët e saj kanë publikuar një raport të quajtur Indeksi i Demokracisë, i cili ofron renditjen e pothuajse të gjithë vendeve të botës me një vlerësim nga 1 deri në 10. Këto kombinohen në të dhënat rajonale dhe sondazhe të shumta të zhvilluara në 167 vende për të matur cilësinë e proceseve politike, lirive civile, funksionimit të qeverisë, pjesëmarrjes publike dhe kulturës politike. Secili nga shtetet më pas klasifikohet si demokraci e plotë, demokraci me të meta, regjim hibrid ose regjim autoritar.
Rezultatet e vitit të kaluar nuk janë aspak të kënaqshme. Në përgjithësi vlerësimi mesatar tregoi se 72 vende kishin rënë në klasifikim gjatë vitit 2015 dhe vetëm 38 ishin ngritur. Numri i “demokracive të plota” kishte rënë nga 20 në 19. Gjatë administratës së ish-presidentit Obama, Shtetet e Bashkuara kanë rënë në klasifikim dhe janë renditur nga “demokraci e plotë” në “demokraci me të meta”. Sipas raportit rreth gjysma e popullsisë së botës (49,3%) jetojnë në një prej formave të demokracisë, por vetëm 4,5 për qind e tyre jetojnë në demokraci të plotë, gjysma krahasuar me vitin 2015.
Raporti i Indeksit të Demokracisë nuk është i vetmi që flet për transformimin e rrezikshëm që po përjeton politika globale. Andrew Reynolds, një shkencëtar politik i Universitetit rë Karolinës së Veriut dhe themelues i Projektit të Integritetit Elektoral, i cili vlerëson cilësinë e demokracive nëpër botë flet për të njëjtën situatë të rrezikshme. Atëherë çfarë po ndodh? Çfarë fshihet pas dobësimit të sistemit politik që ka drejtuar botën e ekonomive të zhvilluara për dekada me radhë?
Një shembull i pranueshëm është që bota vazhdon të reagojë nga krizës financiare globale dhe politikave të egra ekonomike që e pasuan atë. Kriza ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm dobësues të demokracisë, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit shihnin liderët e tyre politikë. Sipas këtij këndvështrimi, efektet do të jenë afatshkurtër dhe kur ekonomitë të jenë ringjallur përsëri plotësisht, politika do të normalizohet. Megjithatë, ajo çfarë po shohim sot nuk është një lëkundje e përkohshme, thotë Hoey.
Niveli i besimit publik në institucionet demokratike në Shtetet e Bashkuara është reduktuar prej vitesh. Sipas një sondazhi të zhvilluar në vitin 2015 nga “Pew Research Center” në Washington që studion trendet demografike, vetëm 19% e njerëzve thoshin se kishin besim që qeveria do të bënte gjënë e duhur shumicën e kohës. Në vitin 1958, kur Studimi i Zgjedhjeve Kombëtare drejtoi të njëjtën pyetje në një sondazh, 73% e popullsisë amerikane kishin besim tek qeveria.
Disa mund të argumentojnë se kjo ndodh për shkak se qeveritë e ditëve të sotme nuk e ndjekim më parimin “qeveri e popullit, nga populli, për popullin” njëlloj si Abraham Lincoln. Gjatë shekullit të fundit, biznesi i qeverisjes është bërë gjithnjë e më teknokrat, me pozicionet e pushtetit që mbahen nga një numër më i madh politikanësh për nga profesioni dhe ekspertë të politikës. Shumë nga partitë e vjetra dikur kishin lidhje më të ngushta me një numër specifik njerëzish,  por këto lidhje u tendosën deri në pikën e këputjes.
Ndarjet e vjetra ndërmjet të majtës dhe të djathtës dikur i jepnin votuesve alternativa të qarta, por këto ndarje janë bërë më ambigue, veçanërisht pas Luftës së Ftohtë. Partitë përfaqësojnë dy vizione konkurruese të mënyrës se si duhet të funksionojë shoqëria.

Kur injorohen kërkesat e popullit
Si rezultat i rritjes së frymave populiste, elita politike – ku përfshihen edhe një pjesë e mirë e mediave – papritur po flasin për nevojën e mbrojtjes së demokracisë. “Por nga se duhet të mbrohet demokracia, nga njerëzit që janë ngritur kundër elitës?”, pyet Hoey. Duke përfshirë publikun në debatin politik më të rëndësishëm të dekadave të fundit, Brexit ishte një shembull i papërsëritshëm i përfshirjes popullore në diskursin politik. “Njerëzit që nuk kishin votuar prej vitesh, papritur dolën për të marrë pjesë në jetën politike”.
Megjithatë, shumë e identifikojnë frymën populiste të kohëve të fundit si problem, jo si shprehje të një problemi akoma më të thellë. Votuesit e Brexit dhe Donald Trumpit po stigmatizohen duke u etiketuar si njerëz “fanatikë” dhe “të mjerueshëm” (nëse përmendim fjalët e Hillary Clintonit) apo si persona që janë “gënjyer” nga politikanët. Por të injorosh nevojat dhe kërkesat e miliona njerëzve është tepër e rrezikshme dhe nuk mund ta çojë shoqërinë asgjëkundi.
“Partitë politike kanë filluar t’i shmangen diskutimit të problemeve të vërteta që kanë rëndësi për popullin”, thotë ajo. “Nëse nuk drejtohen pyetjet e mëdha, rreth shoqërisë në të cilën duam të jetojmë, atëherë çfarë na mbetet? Nëse njerëzit kanë kërkesa specifike të dukshme, ato duhet të adresohen, jo të shmangen, sado të vështira të jenë. Na nevojiten përplasjet e opinioneve dhe nëse duam të ringjallim demokracinë e dikurshme, kjo është ajo që duhet të bëjmë. Nuk ka zgjidhje të tjera”.
Për Hoey, Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara janë tronditje të forta elektorale tepër të rëndësishme dhe të mira për demokracinë në periudhën afatgjatë. “Gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, askush nuk është interesuar për ecurinë e demokracisë”, thotë ajo. “Papritur të gjithë janë duke diskutuar sërish për këtë çështje dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme”.
Arsyeja përse shumë vende kanë demokraci përfaqësuese – në të cilën populli zgjedh përfaqësuesit për të marrë vendimet për llogari të tij – apo struktura të tjera, si dhomat e dyta të qeverisë, është që vullneti i popullit të balancohet me gjëra të tjera si barazia dhe liritë civile. Disa shtete kanë Kushtetuta që përkufizojnë qartë të drejtat e patjetërsueshme të popullit. Shumica e tyre kanë sisteme të pavarura të drejtësisë. “Shteti ka nevojë për frena, njëlloj siç kanë makinat. Nëse ke vetëm pedalin e gazit, automjeti nuk është aspak i sigurt”.
“Kur njerëzit thonë haptazi se nuk arrijnë ta tolerojnë dot më emigracionin, kur nuk janë më të sigurt nëse do të kenë mundësi të dalin në pension apo nuk kanë garanci për të ardhmen e fëmijëve të tyre, elita politike duhet të hapë veshët dhe të dëgjojë, për t’i zgjidhur gjërat përpara se të nxitet një revolucion”, thotë Diamond. Por vetëm të flasësh për të këto çështje nuk mjafton, nevojiten zgjidhje të thjeshta edhe eficente.
Për të konkurruar kundër rivalëve më autoritarë, Diamond mendon se politikanët e ditëve të sotme do të duhet të hapen rrugë, duke u distancuar pak nga politikat ekonomike dhe sociale liberale – si barazia, emigracioni dhe tregtia globale – krahasuar me trendet e viteve të fundit. Por edhe pse demokracia ka pësuar një regres, shumica e njerëzve janë të bindur se ajo është forma më e mirë e qeverisjes që njerëzit kanë shpikur ndonjëherë, kulmi i evolucionit politik.

Nuk ka alternativë ndaj demokracisë
Në vendet jo demokratike nëpër botë – si në vendet aziatike dhe në Afrikën e NënSaharasë – sondazhet tregojnë se njerëzit kërkojnë gjithmonë e më shumë demokratizimin e vendit. Teksa Kina bëhet gjithnjë e më e pasur dhe me ekonomi moderne, të rinjtë e shtresës së mesme rrisin aspiratat e tyre për demokraci, thotë Hoey. “Të kërkosh lirinë është natyra thelbësore e qenieve njerëzore”. Demokracia është i vetmi sistem legjitim i zgjedhjes së liderit të një shoqërie.
“Nuk shoh asnjë shtet të qëndrueshëm autoritar”, thotë Diamond. Ai beson se qeveritë në vende si Kina, Rusia dhe Irani do të rrëzohen një ditë. “I vetmi regjim autoritar në botë që duket se funksionon mirë është Singapori dhe nuk jam i sigurt që edhe ky regjim do të zgjasë për shumë kohë”, thotë ai. “Nuk mund të ndërtosh teorinë e një qytet-shtetit me vetëm pak miliona banorë”.
Megjithatë, jo të gjithë mendojnë se gjërat janë kaq të prera. Daniel Bell në Universitetin Tsinghua në Pekin argumenton se shumë ide perëndimore rreth demokracisë mund të konsiderohen dogma. Si shkencëtar politik kanadez i edukuar në Mbretërinë e Bashkuar, Bell ka kaluar shumë vite duke jetuar dhe punuar në Kinë. “Në Perëndim kemi tendencën ta ndajmë botën në regjime të mira demokratike që përcaktojnë rrugën që duhet të ndjekin të gjithë të tjerët dhe regjimet e këqija autoritare që i përkasin anës së gabuar të historisë”, thotë ai.
Bell thekson se shtetet jo demokratike mund të marrin forma të ndryshme. Ka diktatura të drejtuara nga familjet si në Korenë e Veriut, diktatura ushtarake si në Egjipt, monarki si në Arabinë Saudite. Secili regjim është ndryshe. Disa të tjerë, si në rastin e Kinës dhe sistemit të meritokracisë – ku zyrtarët e qeverisë nuk zgjidhen nga populli, por emërohen dhe promovohen në bazë të kompetencave dhe performancës së tyre – nuk janë regjime që duhet të hidhen mënjëherë poshtë. “T’i fusësh të gjithë këto regjime në të njëjtin grup është qesharake”, thotë Bell. “Nuk është mënyra e duhur për të kuptuar si shkojnë gjërat në Kinë.
Partia Komuniste e Kinës ka 88 milionë anëtarë. Anëtarësia menaxhohet nga Departamenti i Organizimit, i cili është praktikisht Departamenti i Burimeve Njerëzore. Për të qenë një pjesëtar i partisë, kandidatët duhet të kalojnë një sërë ekzaminimesh. Promovimi nga nivelet e ulëta në ato të larta – në princip – është thjesht çështje performance. Problemi i vërtetë në këtë lloj regjimi është mungesa e transparencës për mënyrën se si vlerësohet dhe matet merita e secilit zyrtar të emëruar.
Perëndimi është përpjekur shpesh të eksportojë formën e duhur të demokracisë nëpër botë, herë me pushtet të fortë, herë me pushtet të butë. Bashkimi Europian përpiqet të përhapë vlerat perëndimore dhe rregullin e ligjit tek anëtarët e rinj, por mënyra më e mirë e rritjes së demokracisë nëpër botë është shembulli i mirë, që demokracia të mos shihet si një produkt perëndimor i imponuar me zor. Me klimën politike që po shkon drejt nacionalizmit, Shtetet e Bashkuara dhe Europa Perëndimore janë distancuar pak nga qëllimi i eksportimit të demokracisë nëpër botë dhe sipas Hoey, kjo nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe. “Nëse Perëndimi kërkon të promovojë demokracinë, duhet ta bëjë atë përmes shembullit të mirë”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI