Mos e shit Ronin!

Në një intervistë për “Sky Sport”, ish-sulmuesi italian, Christian Vieri ka rrëfyer me nostalgji për kohën që luajti te Interi dhe ka ripërshkuar vitet më të bukur të karrierës së tij, pikërisht ato të kaluara me fanellën numër 32 të Inter. “Duhej të fitonim dhe nuk ishim ndërtuar për ta bërë një gjë të tillë: Juventus dhe Milan ishin më të fortë. Kemi humbur një titull për fajin tonë, 5 majin e 2002-it dhe ka qenë shumë e rëndë. Sipas mendimit tim, po të kishim fituar atëherë, gjithçka do të kishte ndryshuar. Por, pas atij zhgënjimi, Ronaldo është larguar, Cuper është shkarkuar pas katër muajsh, shumë lojtarë të tjerë kanë vendosur të largohen”, ka thënë Bobo në emisionin “Zotërinjtë e Futbollit”.
Më 1999, Massimo Moratti bleu Vierin nga Lazio, kishte siguruar dy sulmuesit më të fortë në botë në atë periudhë, nga ku trajneri italian Capello tha në atë kohë që dyshja më e mirë sulmuese që ka pasur ndonjëherë Seria A ishte pikërisht ajo “Bobo-Roni”. Por fati i keq ka dalë kundër tyre, për shkak të dëmtimeve respektive, në tri sezone kanë arritur të luajnë bashkë vetëm 14 ndeshje.
“Dëmtoheshim me radhë. Nuk kemi luajtur kurrë 20-30 ndeshje bashkë. Por ishim dyshja e ëndrrave, ishim perfekt”. “Ia kam thënë duke iu lutur presidentit: ‘Mos e shit, mos e shit! Ka fituar Botërorin dhe tani do e shesësh? Ne po e presim dhe tani do e shesësh? Po unë çfarë të bëj këtu? Por duhej bërë një zgjedhje mes tij dhe Cuper. Ajo që ishim unë dhe Ronaldo tek Inter nuk do të fshihet asnjëherë! Dy më të fortët që kanë luajtur ndonjëherë për Interin!”, ka thënë ish-qendërsulmuesi, që akoma sot nuk arrin ta pranojë shitjen e Ronaldos te Real Madrid në vitin 2002.
Bobo Vieri mbetet shumë i lidhur me ngjyrat zikaltër, madje ai ka falur edhe Massimo Morattin që e ka përgjuar në kohën kur ai luante për Inter. “Në kohën që nuk po e kuptoja se pse u largua në atë mënyrë Ronaldo dhe i lutesha Morattit, ai më bëri diçka tjetër, kuptova se më kishte përgjuar. Nuk kishte asnjë arsye për ta bërë: nuk bëja asgjë! Të gjithë thoshin se Vieri dilte natën, por unë dilja vetëm të dielave, si të gjithë. Për këtë arsye unë shikoj vetëm aspektet më të bukura të asaj kohe: golat, shokët e skuadrës. Gjithçka ka qenë e bukur sepse të jesh titullar me Inter është një gjë e madhe. Më pas, koha shëron çdo plagë. Tashmë nuk mendoj më për atë. Moratti-n e kam falur, ka qenë presidenti im për gjashtë vite, më ka blerë për 90 miliardë lireta, më ka paguar gjithmonë shumë dhe do t’ia di gjithmonë për nder”, ka përfunduar Vieri.