Superoperacion i Antidrogës në Itali, sekuestrohet 1 ton drogë

Policia italiane, Njësia e Antidrogës ka realizuar një superoperacion që ka përfunduar me 267 arrestime dhe më shumë se 1 ton drogë të sekuestruar, shkruajnë mediat italiane. Operacioni i koduar “Pusher2” u krye nga 103 skuadra policie, të koordinuara nga Shërbimi Qendror Operativ i Drejtorisë Qendrore të Antikrimit kundër trafikut të drogës. Nga 267 të arrestuar, 250 janë burra dhe 17 janë gra. 133 janë italianë dhe 134 janë të huaj.
Konkretisht janë konfiskuar: 60 kg kokainë, 4 kg heroinë, 805 kg hashash, 300 kg dhe 50 bimë marijuanë dhe 70 gr drogë sintetike dhe variante të saj. Faza kryesore e operacionit u zhvillua në 29-31 mars. Ndër zbulimet qe një laborator për trajtimin, magazinimin dhe paketimin e drogës, kryesisht marijuanë. Më shumë se 43 kg kokainë u zbuluan në një furgon të vogël dhe në një makinë të vogël që u zbulua nga hetuesit në Romë.
Makinat ishin modifikuar, u ishte ndërtuar një ndarje sekrete prej një shqiptari që u arrestua. Hetuesit romanë zbuluan dhe dy armë të mbajtura paligjshmërisht, një prej tyre madje e vjedhur, 300 fishekë dhe 150 mijë euro në kesh si dhe materiale për paketimin e drogës si dhe 700 kg hashash.