Maskat grabisin nën kërcënimin e armëve një biznes në Tiranë

Një grabitje ndaj një firme private ka ndodhur ditën e djeshme në Fushë Prezë. Katër persona të armatosur dhe me maska kanë arritur të neutralizojnë rojet dhe të marrin shumën prej 700 mijë lekësh. Pas largimit të tyre, rojet private kanë njoftuar policinë. Bëhet e ditur se, ngjarja ndodhi rreth orës 4 e 20 minuta të mëngjesit të djeshëm. Autorët goditën fizikisht një nga rojet e kompanisë së Sigurisë dhe më pas e izoluan. Më pas, ata hynë në ambientet e administratës ku morën nga kasaforta një shumë prej 70 mijë lekësh të reja.
Sipas dëshmisë së rojeve të sigurisë, dy nga autorët ishin të armatosur, ndërsa dy të tjerët kontrolluan zyrat. Ishin punonjësit e policisë private që lajmëruan sallën operative të policisë për grabitje. Hetuesit sekuestruan pamjet e kamerave të sigurisë së objektit dhe të disa bizneseve të tjera të zonës. Dyshimet e Policisë lidhen me një grup keqbërësish që veprojnë në trekëndëshin Fushë-Krujë-Vorë-Tiranë.
“Më datë 06.04.2017, rreth orës 04:23, ka ardhur një telefonatë tek Nr. 112, nga salla operative e një firme Sh.P.S.F.-je (polici private), se në Fushë Prezë, tek një firmë kanë hyrë 4 persona të armatosur. Menjëherë janë nisur shërbimet e policisë, ku kanë marrë kontakt me rojet e kësaj firme, të cilët kanë deklaruar paraprakisht se: Katër persona, ku dy prej tyre dyshohet të kenë qenë të armatosur kanë hyrë brenda rrethimit, ku personat e armatosur kanë arritur të neutralizojnë rojet, ndërkohë që dy personat e tjerë, kanë kontrolluar zyrat e kësaj firme. Këta shtetas kanë arritur të marrin një shumë monetare prej 70.000 lekësh”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë autorët.
Para tre ditësh u grabit nën kërcënimin e armës një kazino në lagjen nr.2 në Korçë, pranë Kinemasë. Dy persona të armatosur dhe të maskuar janë futur në kazino dhe kanë kërcënuar punonjësit, duke u vendosur armën në kokë. Më pas, ata kanë arritur të marrin një shumë parash dhe janë larguar në drejtim të paditur për policinë.