Julian Sinanaj refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të prokurorëve grekë

Julian Sinanaj, i dënuar me 30 vjet burg si vrasës me pagesë, nuk pranoi të flasë për krimet e kryera në Greqi. Burimet bëjnë të ditur se, Prokuroria për Krime të Rënda ka bërë ekzekutimin e letër-porosisë së ardhur nga pala greke, për marrjen në pyetje të Sinanajt për disa vrasje dhe akte terroriste me anë të shpërthimeve. Mësohet se në Tiranë, për pyetjen e Sinanajt kanë ardhur dy hetues e dy prokurorë, të cilët në prani të pesë gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe prokurorit Behar Dibra kërkuan përgjigje nga Sinanaj për disa ngjarje.
Burimet thonë se hetuesit grekë, kishin ngritur dyshime për disa vrasje dhe shpërthime me eksploziv në zonën e Selanikut për të cilat dyshonin se Sinanaj kishte dijeni. Por pavarësisht zbatimit të procedurave ligjore, Julian Sinanaj në prani të avokatit të caktuar nga shteti shqiptar nuk pranoi t’i përgjigjet pyetjeve të hetuesve e prokurorëve grekë. Burimet thonë se, Sinanaj ka mohuar përfshirjen e tij në ndonjë krim të ndodhur në Greqi, duke refuzuar të japë përgjigje prokurorëve grekë për ngjarje të caktuara. Mësohet se ai i ka thënë hetuesve greke, se veç refuzimit për të fol për dyshimet e ngritura për ngjarje të caktuara, Sinanaj nuk ka preferuar të përgjigjet edhe për pyetjet, se ku ka qëndruar apo me çfarë është marrë në Greqi. Duke parë refuzimin e Sinanaj për të dëshmuar, pesë gjyqtarët kanë ndërprerë seancën e marrjes në pyetje, duke lejuar kthimin e të dënuarit në burg, ndërsa hetuesit grekë nuk arritën të marrin përgjigjet për ngjarjet ku dyshohet se vrasësi me pagesë ka gisht.
Sipas palës greke, Sinanaj dyshohet si person i përfshirë në disa ngjarje të rënda në Greqi, si vrasje apo edhe akte terroriste me eksploziv në kuadër të një organizate kriminale. Burimet thonë se pala greke, dyshon se disa vrasje dhe shpërthime me eksploziv të ndodhur në zonën e Selanikut ngjajnë me metodat e vrasjes dhe shpërthimeve në Shqipëri, të kryera nga vrasësi me pagesë tashmë me statusin e të penduarit. Julian Sinanaj me vendim të formës së prerë, është dënuar me 30 vjet burg për disa vrasje dhe shpërthime me eksploziv dhe armëmbajtje pa leje në bashkpëunim me disa persona të tjerë, në rolin e porositësve.