Holanda në kaos

Tërmet te Holanda pas humbjes shokuese ndaj Bullgarisë në Sofie. Danny Blind nuk do të jetë më trajneri i përfaqësueses portokalli. Federata holandeze e Futbollit pas disfatës së fundit me shifrat 2-0 që ka komplikuar shumë shanset e tulipanëve për t’u kualifikuar në botërorin Rusi 2018, qoftë edhe nëpërmjet play off-it, kanë vendosur të shkarkojnë nga detyra 55-vjeçarin. Merr fund pas 5 vitesh aventura e Danny Blind te Holanda. Ky i fundit nga 2012 deri më 2015-tën ka punuar si asistent fillimisht i Louis van Gaal dhe më pas i Guus Hiddink, ndërkohë që prej 1 korrikut të 2015-tës ai ishte emëruar trajner i parë i Holandës. Blind do të zëvendësohet përkohësisht në stol nga trajneri i përfaqësueses së 21-vjeçarëve, Fred Grim, i cili do të drejtojë Holandën në miqësoren e të martës ndaj Italisë, ndërsa që nga e mërkura drejtuesit e federatës do të nisin nga puna për të gjetur pasuesin e 55-vjeçarit.
“E respektojmë shumë Danny dhe i dimë vlerat që ai ka përcjellë te skuadra, por rezultatet sportive kanë qenë zhgënjyese dhe vështirësitë që po hasim për t’u kualifikuar në botërorin e Rusisë na detyrojnë të ndahemi”, lexohet në komunikatën e KNVB, Federatës holandeze të Futbollit. Humbja ndaj Bullgarisë ka lënë shumë pasoja te Holanda që tashmë ka zbritur në vendin e 4 të Grupit A kualifikues teksa është parakaluar në renditje nga Suedia, por edhe nga Bullgaria. Një lumë kritikash kanë mbërritur në drejtim të përfaqësueses portokalli pas sfidës së të shtunës. Ka shfryrë ndaj shokëve të skuadrës, por edhe ndaj vetes edhe mesfushori i Romës, Kevin Strottman, i cili deklaroi se Holanda është në një situatë dramatike dhe mbrëmjen e të shtunës të gjithë futbollistët ishin të padenjë për të përfaqësuar fanellën e Holandës.
Lojtarët duan rikthimin e Van Gaal. Kanë kaluar gati 3 vite nga gjysmëfinalja ndaj Argjentinës në Botërorin e Brazilit, por për futbollin holandez duket sikur ka kaluar një jetë e tërë që nga ajo periudhë. Shkarkimi i trajnerit Danny Blind vetëm pak orë nga miqësorja me Italinë, është vetëm kapitulli i fundit i një dështimi total. Që pas largimit të Louis van Gaal, zhgënjimet kanë qenë të njëpasnjëshme për tifozët e përfaqësueses portokalli, fillimisht me Guus Hiddink në stol dhe më pas me ish-mbrojtësin e Ajaxit Danny Blind. UEFA rriti nga 16 në 24 numrin e skuadrave që morën pjesë në Europianin Francë 2016-të, por pavarësisht kësaj Holanda dështoi të kualifikohej në këtë kompeticion, ndërsa tashmë rrezikon të mbetet jashtë një tjetër evenimenti madhor siç është botërori Rusi 2018. Ndaj Italisë në stol do të jetë trajneri i 21-vjeçarëve, Fred Grim, por ky i fundit është vetëm një trajner i përkohshëm sepse për t’i besuar stolin e tulipanëve drejtuesit e Federatës holandeze të Futbollit janë vendosur në kërkim të një emri të njohur.
Tre janë alternativat, rikthimi i  Louis van Gaal, por edhe emërimi i një prej dy ish-lojtarëve të kësaj kombëtareje siç janë Frank de Boer dhe Clarence Seedorf. Emri i parë në listë është padiskutim ai i Van Gaal, i cili pas largimit nga Manchester United mendoi tërheqjen nga futbolli, por më pas bëri të ditur se thjesht do të qëndronte 1 vit pushim. Me kombëtaren holandeze, Van Gaal ka arritur rezultate fantastike dhe një pjesë e mirë e lojtarëve kërkojnë rikthimin e tij. Mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë 65-vjeçari nga Amsterdami, por në rast të një JO-je nga Van Gaal do të rriteshin shanset e njërit mes De Boer dhe Seedorf për të marrë drejtimin e Holandës.