Fitimet e sistemit bankar rënie me 41% për 2016

Ekspertët bankarë nuk bien dakord me një konstatim të fundit të Autoritetit të Konkurrencës, sipas të cilit tregu bankar paraqet karakteristikat e një tregu me norma relativisht të larta fitimi në kushtet e stanjacionit të kreditimit dhe interesa shumë të ulëta të depozitave. Ekspertët e Shoqatës së Bankave kanë pohuar në takimet me median se, treguesi më i mirë për të matur fitimet e sistemit është norma e kthyeshmërisë ndaj kapitalit (fitimi/kapitalit rregullator), i cili duhet të jetë mesatarisht mbi 15%, që investimi të konsiderohet eficient. Për vitin 2016, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi i sistemit për vitin 2016, i raportuar sipas standardeve lokale, ishte 9.27 miliardë lekë (rreth 67 milionë euro), me një rënie prej 41% në raport me vitin e mëparshëm. Norma e kthyeshmërisë së kapitalit, për vitin 2016 llogaritet në 6.6%, shumë më e ulët se kufiri prej 15%, që pret çdo investitor në bankë. Edhe fitimi rekord 15.7 miliardë lekësh në vitin 2015, ka rezultuar vetëm në letra (si rrjedhojë e pastrimeve në bilanc), teksa tatimi i paguar ishte vetëm 2.3 miliardë lekë, nga 2.4 miliardë lekë që u paguan në 2016-ën. Të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë se, fitimi është i përqendruar në pak banka. Për vitin 2016, 6 nga 16 banka rezultuan me humbje, ndërsa vetëm dy banka, BKT dhe Intesa kishin fitimet më të larta, përkatësisht 7.4 dhe 2.3 miliardë lekë (sipas standardeve IFRS). Në bankat e tjera, fitimi varionte nga 37 deri në 420 milionë lekë. Gjatë monitorimit të Autoritetit të Konkurrencës në tregun bankar u vunë re diferenca (spread) relativisht të larta mes interesave të kredive dhe depozitave; tendencës në rritje të interesave të letrave me vlerë të qeverisë, kryesisht afatgjata (obligacione) në kushtet e një politike lehtësuese monetare dhe kur norma bazë e interesit të depozitave ka tendencë në rënie; ka rritje të komisioneve për pagesat kryesisht brenda vendit etj.