Agron Duka: Nuk ka zgjedhje me këtë qeveri

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka deklaron se e vetmja mënyrë për zhvillimin e zgjedhjeve do të jetë krijimi i qeverisë teknike, në të kundërt thotë ai, nën qeverisjen Rama zgjedhje nuk do të zhvillohen. “Opozita nuk shkon në zgjedhje me këtë qeveri, jo sepse ashtu dëshiron ajo, por sepse ka një sërë argumentesh që dihen tashmë. Ne mendojmë dhe tashmë jemi të bindur se me këtë qeveri rrezikohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe provat janë dhënë për këtë në zgjedhjet e pjesshme dhe ato vendore. Ne si pjesë e opozitës kemi të njëjtin qëndrim, pra nuk hyjmë në zgjedhje pa qeveri teknike, pa garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, është shprehur Duka. Duka i bën thirrje mazhorancës, si dhe partive të aleate të saj të reflektojnë dhe t’i hapin rrugë krijimit të qeverisë teknike. “Një shenjë për këtë e dha edhe lideri i LSI, i cili me të mirat dhe të këqijat që ka, në këtë pjesë ndau të njëjtin mendim me ne kur tha se pluralizmi në Shqipëri ka ardhur më 1990, kështu që nuk kemi ndërmend të hyjmë me një parti në zgjedhje. Sipas meje sinoptika është pozive dhe gjykoj që ne do të hyjmë në zgjedhje me qeveri teknike, e cila përfaqëson gjithë popullin shqiptar dhe që do të krijojë një shtrat për zgjedhje të lira dhe të ndershme diçka pozitive edhe PAA”. Këtë deklaratë kreu i Partisë Agrare Ambientaliste e bëri gjatë punimeve të “Akademisë Politike” organizuar nga të rinjtë e kësaj partie, ku u ndanë edhe çertifikatat e kësaj akademie.