Tahiri në trafikun e 8 ton droge në Itali, Prokuroria nis hetimet

Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardh dinamikën e trafikimit të kamionit me 8 ton kanabis nga Shqipëria drejt Italisë më 5 shkurt të këtij viti. Përmes një komunikate, Prokuroria thotë se, kamioni ka hyrë nga Maqedonia për në Shqipëri përmes pikës së Qafë Thanës, pastaj është nisur drejt Italisë përmes Portit të Durrësit. Në të dyja pikat kufitare nuk është pikasur lënda narkotike, madje kamioni nuk është regjistruar në hyrje në Qafë Thanë. Sasia e madhe e drogës është zbuluar nga autoritetet italiane, pasi mbërriti në Ankona. Për këtë çështjë janë vënë nën pranga 4 oficerë policie.
Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 4 punonjës policie të pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, në vijim të hetimeve të nisura pas zbulimit të një sasie prej rreth 8 tonësh kanabis sativa në Itali, në një kamion maqedonas, që kishte kaluar tranzit në Shqipëri.
Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin, pasi në mediat në Shqipëri është publikuar fakti në lidhje me sekuestrimin e një sasie prej 8 ton lëndë narkotike të llojit marijuanë nga autoritetet policore italiane dhe dyshohej se mjeti i transportit që kishte trafikuar këtë sasi lëndë narkotike e kishte origjinën e tij nga Maqedonia dhe kishte kaluar tranzit nga Shqipëria në Itali.
Gjatë hetimit ka rezultuar se, kamioni i kapur në Itali, me drejtues shtetasin maqedonas Z.S, rezulton të ketë hyrë në Shqipëri me datë 04.02.2017 nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Qafë-Thanë, Pogradec dhe, pasi i është nënshtruar verifikimeve doganore të tij dhe dokumentacionit, është lënë i lirë për të udhëtuar tranzit në drejtim final të deklaruar, për në Belgjikë. Po me datë 05.02.2017, në orën 15:50, ky mjet me të njëjtin drejtues është paraqitur në dalje nga Shqipëria nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Portit Durrës, i cili pasi i është nënshtruar procedurave të kontrollit të dokumentacionit shoqërues të tij, pa u kontrolluar në skanër, është lejuar të vazhdojë udhëtimin, duke u mbingarkuar në tragetin, i cili ka udhëtuar në linjën Durrës-Ankona (Itali).
Autoritetet italiane, duke qenë se kanë dyshuar se kamioni kishte të ngarkuar lëndë narkotike kanë filluar menjëhërë hetimet proaktive. Gjatë transportimit të lëndës narkotike, shtetasi maqedonas Z.S, është munduar që ta shkëpusë karrocerinë e kamionit për ta lënë të parkuar atë tek një parking, por kanë ndërhyrë autoritetet italiane dhe kanë bërë arrestimin e shtetasit maqedonas, si edhe kanë sekuestruar kamionin së bashku me sasinë e lëndës narkotike prej tetë ton.
Nga veprimet e kryera nga autoritetet italiane, rezultoi se kamioni ka qenë, i plumbosur dhe  i vulosur në gjendje të rregullt, siç kanë qenë të vendosura nga autoritetet doganore shqiptare të Degës së Doganës Qafë Thanë, në kohën kur janë ndjekur procedurat doganore.
Në bazë të këtij informacioni, Prokuroria për Krime të Rënda ka kryer veprimet e saj proceduriale. Në bazë të tyre, rezulton se kamioni ka hyrë në Shqipëri në datën 04.02.2017 në pikën kufitare Qafë-Thanë dhe i është nënshtruar një kontrolli sipërfaqësor. Rezulton se shoferi, ka ndaluar në të paktën 2-3 raste në zonën e kontrollit kufitar, ka komunikuar me punonjës policie për pak sekonda dhe më tej është larguar për në brendësi të territorit shqiptar.
Nga këqyrja e sistemit TIMS, ka rezultuar se ky kamion nuk është i regjistruar nga punojësi i policisë në hyrje të pikës së kalimit kufitar Qafë-Thanë. Ndërsa rezulton se është i regjistruar në dalje në pikën e kalimit kufitar të Portit të Durrësit, me datë 05.02.2017, në orën 15:50, tranzit për në Itali.
Nga këqyrja e librit të planizimit të shërbimit ka rezultuar se me datë 04.02.2017 në kohën kur ka hyrë në Shqipëri automjeti kamion, kanë qenë me shërbim në pikën e kalimit kufitar Qafë-Thanë Pogradec disa punonjës policie, për të cilët Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila është pranuar nga ana e Gjykatës.
Në vijim, Prokuroria për Krime të Rënda ka angazhuar efektivët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave për ekzekutimin e masave të sigurisë, për punonjësit e Policisë, të dyshuar për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”. Pas kërkesës së Prokurorisë janë arrestuar shtetasit, Çlirim Pepa, me detyrë përgjegjës turni, Ervin Kodra me detyrë kontrollor hyrje dhe dalje, Lirim Halili me detyrë tek kabina në hyrje dhe Syrja Terziu, si kontrollor në hyrje.

Nën hetim zyrtarë të lartë dhe doganierë

Prokuroria për Krime të Rënda ka zgjeruar hetimet për drogën 8 tonëshe që kaloi nga Porti i Durrësit në Itali. Kamioni me 8 ton drogë ka kaluar pa asnjë problem në doganën shqiptare të Qafë-Thanës dhe më pas ka kaluar pa u kontrolluar edhe në Portin e Durrësit, ndërsa u bllokua nga autoritet italiane. Është e pamundur që të kalojë në dy doganat shqiptare një kamion me 8 ton drogë pa u vënë re nga kontrollorët dhe policia, por një gjë e tillë është arritur vetëm pas ndërhyrjes së Tahirit dhe zyrtarëve të lartë të policisë. Për këto dyshime të ngritura në media, Prokuroria ka nisur hetimet për zyrtarë të lartë dhe doganierë.
Bëhet e ditur se Prokuroria, krahas arrestimit të 4 policëve, nën hetim janë edhe zyrtarë, biznesmenë shqiptarë dhe maqedonas si dhe punonjës dogane në pikat e kalimit kufitar të Qafë- Thanës dhe Portit të Durrësit. Burimet thonë se, kalimi me lehtësi i 8 tonëve hashash në dy pikat e kontrollit kufitar shqiptar, është bërë në bashkëpunim dhe me dijeni edhe të personave të tjerë.
Sipas akuzës, dyshohet se hashashi është dërguar nga Shqipëria në Maqedoni në rrugë të ndryshme, ku është paketuar në një nga magazinat e ngritura enkas për këtë punë shumë pranë kufirit me Shqipërinë. Hashashi, thonë burimet, është paketuar në qese disa kilogramshme së bashku me pluhur gipsi për të evituar edhe aromën e lëndës narkotike nga qentë antidrogë. Më pas, kamioni është nisur për në Shqipëri, ku në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës 4 efektivët e policisë kanë bërë githçka fiktive.
Ata kanë përpiluar dokumentet sikur kamioni ka hyrë në skaner, është bërë kontrolli fizik i ngarkesës, i dokumentave shoqëruese, është plumbosur dhe vulosur për tranzit në Shqipëri me destinacion Italinë. Hetuesit thonë se i çuditshëm është fakti, pasi kamioni me shoferin maqedonas nuk rezulton i regjistruar në hyrje të territorit shqiptar, por vetëm në dalje. Sipas Prokurorisë, edhe në Portin e Durrësit mbrëmjen e 5 shkurtit të këtij viti, kamioni i mbushur me 8 ton hashash nuk i është nënshtruar kontrollit, duke u mbingarkuar në target i pashqetësuar.
Kamioni me shoferin maqedonas ka udhëtuar me linjën Durrës-Ankona dhe kishte destinacion final Belgjikën. Me të zbritur në Ankona, thonë burimet e Prokurorisë, policia italiane ka dyshuar për ngarkesën e kamionit dhe i është vënë nga pas. Shoferi, pasi ka konstatuar se po ndiqej nga policia, është ndaluar në një parking dhe ka tentuar të shkëpusë karrocerinë e kamionit për t’u larguar kur ka ndërhyrë policia, duke arrestuar shoferin dhe gjetur ngarkesën e drogës të fshehur brenda qeseve me pluhur gipsi.
Sipas Prokurorisë, 4 punonjësit e policisë të arrestuar me vendim Gjykate, Çlirim Pepa, Ervin Kodra, Lirim Halili dhe Syrja Terziu, ishin me detyrë në pikën e kontrollit kufitar të Qafë-Thanës, që kanë lejuar kalimin e 8 tonëve hashash. Ata akuzohen për “trafik droge” në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

R.POLISI