Plas te kombëtarja

Tensionohet situata në radhët e kombëtares shqiptare të futbollit. Taulant Xhaka dhe Amir Abrashi, dy të përjashtuarit e mëdhenj të kombëtares shqiptare të futbollit në ndeshjen e mbrëmjes së të premtes kundër Italisë, nuk do të jenë pjesë e përfaqësueses për ndeshjen kundër Bosnje-Hercegovinës.
Futbollistët në fjalë nuk kanë udhëtuar me ekipin kombëtar dhe sipas burimeve, situata më problematike duket ajo e Xhakës. Futbollisti është revoltuar me injorimin nga trajneri De Biasi për përballjen me Italinë dhe ka vendosur të largohet nga grumbullimi i kuqezinjve e të mos udhëtojë me ta drejt Tiranës.
Nga ana tjetër, Amir Abrashi vuan një inflamacion të ligamenteve dhe është vendosur që të mos rrezikohet situata e tij në miqësoren me Bosnje-Hercegovinën. Ndaj ai është lënë i lirë të kthehet për riaftësimin në klub.
Taulant Xhaka dhe Amir Abrashi nuk kanë mbërritur në Tiranë me kombëtaren pas disfatës me Italinë. Justifikimi zyrtar është se lojtarët janë të dëmtuar dhe kanë lënë para kohe grumbullimin, një pretekst i vështirë për t’u besuar. Ndeshja ndaj Italisë veç humbjes në fushën e lojës mund të sjellë probleme edhe më të rënda për kuqezinjtë.
Bëhet fjalë pikërisht për dy mesfushorët, Taluant Xhaka dhe Amir Abrashi, të cilët kanë qenë të revoltuar me vendimet e trajnerit Gianni de Biasi, jo vetëm për faktin se nuk u aktivizuan si titullarë, por gjithashtu nuk patën asnjë minutë në dispozicion edhe si zëvendësues në Palermo. Por krisja e raporteve mes palëve nuk ka filluar këtu.
Fërkimet e para me trajnerin, Xhaka i ka patur që në Europian, pas zëvendësimit në ndeshjen me Zvicrën. Lojtari ka kërkuar llogari për zëvendësimin dhe prej atij momenti raporti i De Biasit me Xhakën është ftohur ndjeshëm. Në eliminatoret e Rusi 2018, hapësirat për të kanë qenë të pakta dhe këto ndeshje ai i ka nisur si zëvendësues apo dhe nuk është aktivizuar fare, edhe pse është një titullar fiks tek kampionët e Zvicrës, Basel.
Sa i takon Abrashit, ai nuk ka patur ndonjë konflikt verbal me trajnerin, por pas mbarimit të Europianit gjërat ndryshuan për të ndonëse ishte tek lojtarët që u paraqit më mirë në këtë kompeticion. Për të gjërat filluan të marrin për poshtë në ndeshjen në Lihtenshtein ku u zëvendësua pas mbarimit të pjesës së parë, ndonëse skuadra ishte duke fituar. Më pas ai nuk luajti ndaj Spanjës, Izraelit dhe së fundmi ndaj Italisë duke e rritur më shumë nervozizmin e lojtarit ndaj vendimeve pa shkak të trajnerit.
Të dy lojtarët shfaqën hapur shenjat e mërzisë pas ndeshjes me Italinë dhe qëndruan të veçuar nga pjesa tjetër e grupit. Dhe pasi kemi humbur Ergys Kaçen në kombëtare, a rrezikojmë të humbasim dy mesfushorë të tjerë me shumë potencial?