Ceferin kundër Ligës Europiane të Futbollit

Një Ligë Europiane ka qenë një prej çështjeve më të nxehta të muajve të fundit, me disa klube të mëdha të kontinentit që janë shprehur pro një sipërmarrje të tillë, por presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka përjashtuar kategorikisht krijimin e një lige të tillë, duke theksuar se kompeticionet europiane nuk do të ndryshojnë më në të ardhmen. “Plani ynë është që asgjë të mos ndryshojë më sa i përket formatit, dhe as që e kemi çuar nëpërmend krijimin e një Superleague. Një ide e tillë nuk është në planet tona”, tha ai.
Ceferin foli gjithashtu dhe për zgjerimin e Kampionatit Botëror dhe Euro 2020, që do të luhet në 13 vende të ndryshme. “Ideja e një Botërori me 48 skuadra më pëlqen, sepse është interesante, por kemi një problem. Ku do të organizojmë kompeticionin, pasi nevojiten 12 stadiume me një kapacitet prej më shumë se 50 mijë spektatorësh, dhe impiante të tilla mund të gjesh vetëm në 2 ose 3 vende të Europës, ndoshta dhe në Kinë apo SHBA, por askund tjetër. Sa i përket Europianit mendoj se është mirë që maksimumi dy vende të marrin përsipër organizimin, ndërsa ai i 2020 me 13 vende organizatore më duket pak i tepërt, pasi do të na krijonte shumë probleme logjistike. Në të ardhmen është e sigurtë, që nuk do të organizohet më në kaq shumë vende”, përfundoi Ceferin.