Tahiri drejt burgut për lidhjet me krimin

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u mor në pyetje për rreth një orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për lidhjet e tij me Emiljano Shullazin, arrestuar për gjobëvënie. Pasi ka dalë nga Prokuroria, Tahiri është pyetur nga gazetërët për lidhjet e tij me Shullazin, por ai i është shmangur kësaj pyetjeje. Po ashtu, Tahiri nuk pranoi t’i përgjigjej interesit të gazetarëve se përse nuk kishte reaguar për arrestimin e Shullazit për kërcënimet që i bënte profesorit Mynyr Koni, që të mos kandidatonte për rektor.
Tahiri nuk rrëfeu se çfarë dëshmoi në Prokurori lidhur me këtë ngjarje, por u tha gazetarëve se ata duhej të vlerësonin faktin se ai i ishte përgjigjur ftesës së Prokurorisë. Deri dje, Tahiri fliste për prokurorë dhe gjykatës të korruptuar, ndërsa pas marrjes në pyetje tha se ishte shumë e rëndësishme që politikanët të japin llogari në Prokurori dhe të respektojnë institucionet e drejtësisë.
Tahiri nuk mori asnjë masë për arrestimin e Shullazit ndonëse u premtoi dy profesorëve Mynyr Koni e Dhori Kule se do ta zgjidhte çështjen. Shullazi është ndaluar nga policia vetëm pas reagimit të ish-Kryeministrit Berisha, i cili denoncoi në një postim në Facebook kërcënimet e Bandës së Shullazit ndaj dy profesorëve.
Në procesverbalin e deklarimeve, mes tjerash, dy profesorët janë shprehur se pas kërcënimit nga një grup personash në oborrin e një hoteli të njohur, ata janë kontaktuar nga drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit, thonë profesorët, i ka shoqëruar për një takim me ministrin Tahiri. Gjatë këtij takimi, dy profesorët kanë pretenduar se ministri, pasi është vënë në dijeni për kërcënimin, i ka premtuar profesorëve zgjidhjen e çështjes dhe zbardhjen e ngjarjes. Për këtë fakt, burimet thonë, se Tahiri do të japë shpjegime para prokurorëve të çështjes pse policia nuk ka reaguar për ndalimin e Shullazit.
Për kërcënimin e profesorëve Koni e Kule, Prokuroria ka pyetur edhe drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit, thonë burimet, ka shpjeguar para hetuesve për të gjitha procedurat e ndjekura që nga momenti i marrjes në dijeni për kërcënimin e deri te shoqërimi i Emiljano Shullazit dhe më pas arrestimin e tij. Mësohet se Hodaj, ka treguar edhe për hetimet operative që policia ka kryer ndaj këtij personi apo të dyshuarve si pjesëtarë të bandës së tij.
Shullazi po gjykohet për gjobëvënie ndaj biznesmenit Ylvi Beqja. Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë në pyetje 20 persona me cilësinë e dëshmitarëve ndaj Shullazit. Bëhet e ditur se në pyetje janë marrë gjyqtarë, avokatë, drejtues të Hipotekave, profesorë, zyrtarë të administratës, punonjës policie, tregtarë e persona të tjerë, për llogari të dosjes së Emiljano Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtar të bandës së tij.