Protestë para Bashkisë së Fierit, banorët: Jo impiantit të vdekjes!

Banorët e fshatrave Kallm dhe Verri janë ngritur sërish në protestë dje kundër ndërtimit të impiantit të plehrave. Qindra banorë kanë protestuar para Bashkisë së Fierit, duke bërë thirrje që të mos ndërtohet impianti. Banorët u shprehën se një ditë më parë Bashkia u premtoi të hynin në bisedime, ndërsa sot u ka mbyllur dyert. “Dje, na thanë që do na presin në bashki, kurse sot na kanë mbyllur dyert. Nuk do lejojmë ndërtimin e impiantit të vdekjes. Do të përshkallëzojmë protestat derisa të anulohet vendimi i Bashkisë së Fierit për ndërtimin e impiantit”, shprehen banorët të revoltuar.
Banorët vijojnë protestat prej disa ditësh, ndërsa kërkojnë ndalimin e ndërtimit të impiantit të plehrave, pasi rrezikon jetën e tyre. Banorët thonë ndër të tjera se, protestat e tyre do të vazhdojnë derisa të mos ndërtohet impianti i përpunimit të plehrave jo në Verri, por as në Myzeqe.
Protesta është mbështetur edhe nga dega e PD Fier. “Vazhdon historia disa mujore kundër ndërtimit të impjantit larg qendrave të banuara. Protestoi Portëza, Mbrostari, tani po përballen me dyert e Bashkisë banorët e Verrisë. Larg plehrave nga Verria, janë thirrjet e banorëve! Në mbështetje të protestuesve vazhdojnë të jenë këshilltarët e djathtë dhe PD dega Fier, si dhe shumë qytetarë fierak. Stop plehrave!”, shkruhet në një postim në Facebook-un e degës së PD Fier.
Dy ditë ditë më parë banorët bllokuan punimet, të shtyrë nga frika për dëmin mjedisor që ky impiant mund të shkaktojë. As policia që u njoftua, por nuk ndërhyri, dhe as kompania që bëri dëgjesë publike me banorët, nuk ka bindur banorët të ndërpresin protestën e tyre për ndalimin e ndërtimit të impiantit. Të shqetësuar, prej 5 ditësh protestuesit bllokojnë këto punime dhe thonë se ky projekt do të ndotë mjedisin ku ata jetojnë dhe tokat bujqësore.
Ndërtimi i impiantit të mbetjeve është kundërshtuar edhe nga PD e Fierit. “Filloi me banorët e Portëzës, Mbrostarit dhe tani protesta vazhdon me banorët e Verrisë dhe Kallm i Vogël. Banorët ndihen të revoltuar nga mashtrimi i kryetarit të Bashkisë, ku ai vetë ka pohuar anulimin përfundimtar të ndërtimit të impjantit të plehrave. Në mbështetje të protestuesve, ashtu si dhe në protestat e tjera, vazhdon të jetë PD dega Fier, si dhe të gjithë qytetarët fierakë që janë kundër këtij impianti”, thuhet në një deklaratë të degës së PD Fier.
Jo vetëm Bashkia e Fierit, por dhe njësitë e tjera vendore të Mallakastrës, Roskovecit dhe Patosit, kanë probleme me fushat e grumbullimit të mbetjeve. Edhe në këto zona, banorët u ngritën në protestë, duke mos lejuar ndërtimin e impianteve të përpunimit të plehrave.
Më parë, impianti i mbetjeve në Fier ishte planifikuar të ndërtohej në fshatin Portëz, por banorët e kundërshtuan këtë ndërtim në zonën e tyre, sikurse banorët e Mbrostarit, të cilët kanë dy muaj që kundërshtojnë impiantin me protesta.
Bisedime me banorët nuk kanë zhvilluar vetëm përfaqësues të kompanisë që ndërton impiantin, por edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit që kanë zhvilluar bisedime nuk i kanë bindur banorët se vepra nuk do të ndotë ambientin.

R.POLISI