Pajisja e përgjimit, pse policia e fshehu?

Policia shqiptare është përfshirë dje në një skandal, kur me anë të lajmeve të infiltruara në media, është munduar të fshehë të vërtetën rreth kapjes së pajisjes së përgjimit të llojit Imsi Chacther në Aeroportin e Rinasit. Në tentativë për të nxjerrë ilegalisht jashtë vendit, ajo është kapur nga punonjësit e skanerit në Aeroportin e Rinasit, dhe më pas ka ndërhyrë policia, e cila në vend t’a çonte çështjen në prokurori, është munduar ta fshehë me anë të drejtorit të Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, sipas pretendimeve të deputetit demokrat Flamur Noka. Ende nuk është e qartë a bëhet fjalë për të njëjtën pajisje përgjimi, e cila u refuzua t’i dorëzohej policisë. Nga ana tjetër, të njëjtat burime bëjnë me dije se Frig është specialist përgjimesh dhe zotëron dy kompani investigimi në Izrael. Ka ardhur prej tre javësh dhe sipas sistemit TIMS nuk është hera e parë që futet në vendin tonë. Me pak fjalë, ka futur dhe nxjerrë disa herë një pajisje përgjimi, e cila në asnjë rast nuk mund të bëhet pa lejen e Prokurorisë. Duhet theksuar fakti se në momentin e kalimit, punëtorët e kompanisë kanë konstatuar me anë të skanerit se shtetasi Frig, mbante një pajisje të ngjashme me një laptop. Pyetjes së punëtorëve, ai i është përgjigjur se ajo ishte një “pajisje pune”, por pa dhënë më shumë shpjegime se për çfarë bëhej fjalë. Kjo ka ngritur dyshimet, tek punëtorët e Sigurisë së Aeroportit, të cilët pasi kanë veçuar shtetasin izraelit kanë lajmëruar forcat e policisë të stacionuara në Aeroport. Këta të fundit e kanë marrë dhe e kanë dorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, më pas shtetasi Yoram Frig është lënë i lirë, duke i fshehur informacionin Prokurorisë. Shtetasi izraelit është lënë më pas i lirë së bashku me pajisjen.

Hetimi

Prokuroria ka hapur hetimet vetëm në mesditën e djeshme. Pas alarmit që dha deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka me anë të një statusi të tij në Facebook, dhe shpërndarjes që iu bë informacionit kryesisht nga mediat online. Deri në atë kohë mësohet se, policia ska bërë asnjë njoftim në organin e Prokurorisë, duke ngritur akoma më shumë dyshime në lidhje me pajisjen, e cila po tentohej të nxirrej jashtë vendit. Më pas, prokurori i çështjes ka kërkuar që të shoqërohet sërish shtetasi izraelit, dhe të gjitha gjasat janë që ndaj tij të merret masa e sigurisë me burg. Por ajo çka smund të kundërshtohet, është fakti se është lënë i lirë të largohet së bashku me pajisjen e përgjimit që iu kap një ditë më parë. Interesimit të “RD”-së, burime nga Prokuroria iu përgjigjën se, “Prokuroria Tiranë, ka regjistruar procedim penal kryesisht në bazë të informacionit mediatik dhe disa verifikimeve për veprat penale të “përgjimit të paligjshëm, i të dhënave kompjuterike dhe shpërdorim detyre”. Po kryhen veprimet hetimore”, thonë burimet. Të njëjtat burime shtojnë se, akuza për shpërdorim detyre, është ngritur fillimisht për punonjësit e Policisë së Aeroportit, të kanë pasur informacion për pajisjen që do dilte jashtë vendit, dhe nuk kanë reaguar. Në momentin e fundit, ata janë lënë në baltë nga punëtorët e Sigurisë së Aeroportit. Burimet shprehen, se pas konstatimit, policët e Aeroportit menjëherë duhet të kishin thirrur prokurorin e gatshëm, dhe jo ta mbanin të fshehtë këtë ngjarje për gati 24 orë. Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për të njëjtën pajisje që u akuzua Saimir Tahiri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por e sigurt është se kemi të bëjmë me të njëjtën markë pajisje, pra Imsi CACTHER. Gjithsesi  në rast se bëhet fjalë për pajisjen e parë, pra atë që është futur ilegalisht, atëherë kemi të bëjmë me një tentativë për zhdukje provash. Por, situata rëndohet akoma më shumë në rast se bëhet fjalë për një pajisje tjetër, çka do të thotë se numri i pajisjeve të futura në vendin tonë është akoma dhe më i lartë dhe përmasat e skandalit shtohen edhe më shumë. Enigmë mbetet fakti, se përse policia shqiptare e ka ndaluar dhe më pas e ka lënë të lirë shtetasin izraelit, duke i djegur dhe fluturimin e tij drejt Izraelit. E dyta, përse nuk është lajmëruar Prokuroria për këtë çështje, dhe çfarë kanë dashur të fshehin pas saj. Në rast se do bëhej fjalë thjeshtë për një laptop, si ato që kalojnë me mijëra nëpër skanerët e sigurisë çdo ditë në Aeroportin e Rinasit, atëherë përse forcat e Sigurisë së Aeroportit të trajnuar për këto çështje do e ndalonin këtë shtetas? Përse është lënë i lirë ky shtetas për gati 24 orë dhe çfarë është tentuar të fshihet pas kësaj ngjarjeje. A bëhet fjalë për të njëjtën pajisje, dhe në rast se jo, si është e mundur që të futen pajisjet e përgjimit kaq lirshëm në këtë vend, ndërkohë që kjo përbën shkelje të ligjit. Çfarë ka bërë shtetasi Frig, për tre javë në Tiranë dhe cili ishte misioni i tij. Këto janë pyetje që në ditët në vazhdim duhet t’i japë përgjigje Prokuroria, por diçka është e sigurt. Pajisja vetëm pa lejen e policisë dhe Edi Ramës nuk mund të këtë hyrë.

Mediat e qeverisë tentojnë dizinformimin për pajisjen

Ndërkohë në mediat e qeverisë, është dhënë lajmi sikur bëhej fjalë për një alarm fals dhe që është ndaluar nga policia shqiptare. Por në fakt, alarmi nuk është fals, dhe çështja po merr përmasa të tjera. Shtetasi izraelit, nga ana tjetër nuk është ndaluar nga forcat e policisë, por nga forcat e Sigurisë së Aeroportit. E vetmja gjë e vërtetë në lajmin e transmetuar dje nga këto media është fakti se shtetasi izrelit është lënë i lirë “Një shtetas izraelit, i cili udhëtonte përmes Aeroportit “Nënë Tereza” ditën e enjte, ka alarmuar policinë për shkak të një pajisjeje të dyshimtë që mbante në valixhe. Skandal. Sot, siguria kombëtare në këtë vend është term inekzistent. Skandali që provokoi futja e IMSI CATCHER sot mori përmasa të frikshme. Kapet në Rinas një shtetas i huaj në tentativë për të nxjerrë jashtë vendit një pajisje përgjimi IMSI CATCHER. Policia e mban të fshehur që nga dita e djeshme pasdite. Nuk dihet se sa kohë ka operuar kjo pajisje, por një gjë është e sigurt që sapo iku Saje Qorri u ngutën ta largojnë nga Shqipëria këtë pajisje tjetër. Gjithashtu i bëj thirrje Prokurorisë të ndërhyjë urgjentisht në sekuestrimin e pajisjes sa nuk është vonë e të zbardh përdorimin e saj dhe krimin e përgjimeve të bëra.

Noka: Pajisja që nga momenti i ndalimit në zyrën e Ardian Çipës
Lajmi do bëhej i ditur nga një status në Facebook, i deputetit të Partisë Demokratike Flamur Noka, rreth mesditës së djeshme. Më pas lajmi u transmetua në të gjitha portalet si lajm i parë. Ja statusi në Facebook i deputetit Noka që u bë shkas për vënien në punë të Prokurorisë. “Skandal. Sot siguria kombëtare në këtë vend është term inekzistent. Skandali që provokoi futja e IMSI CATCHER sot mori përmasa të frikshme. Kapet në Rinas një shtetas i huaj në tentativë për të nxjerrë jashtë vendit një pajisje të mundshme përgjimi IMSI CATCHER. Policia e mban të fshehur që nga dita e djeshme pasdite dhe pajisjen e kanë dërguar kundër çdo proçedure në zyrën e Ardian Çipës. Nuk dihet se sa kohë ka operuar kjo pajisje, por një gjë është e sigurt që sapo iku Saje Qorri u ngutën ta largojnë nga Shqipëria këtë pajisje tjetër. Gjithashtu i bëj thirrje Prokurorisë të ndërhyjë urgjentisht në sekuestrimin e pajisjes sa nuk është vonë e të zbardhë përdorimin e saj dhe krimin e dyshuar të përgjimeve të bëra”, ka dhënë alarmin deputeti i PD-së.

Izraeliti pronar i dy kompanive investigimi të regjistruara në ishujt Virgin

Por kush është izraeliti, i ndaluar në Aeroportin e Rinasit, dhe që u mundua të mbahej i fshehtë nga policia. Ai është Yoram Frig, ndërsa emri i tij ka dalë edhe në skandalin e ‘Panama Papers’, pak kohë më parë, pasi kishte llogari në parajsat fiskale. Yoram Frig 51 vjeç, nga të dhënat e para mësohet se ka dy kompani investigimi në Qipro dhe në Izrael. Izraeliti u ndalua gjatë ditës së enjte në Aeroportin e Rinasit me një pajisje kompjuterike, e dyshuar si pajisje përgjimi e llojit Imsi Catcher. 51-vjeçari me origjinë nga Izraeli rezulton dhe posedues i dy kompanive investiguese në Izrael, ç’ka shton dyshimet se ai ka njohuri nga përgjimet apo nga survejimet. Fring është pyetur për disa orë si nga oficerët e policisë dhe prokurori Tavani, por ka refuzuar të jap një përgjigje në lidhje me pajisjen, duke deklaruar se e ka thjesht një kompjuter personal. Në terren oficerët e Policisë Gjyqësore janë duke kryer verifikimin dhe kanë vendosur të kalojnë për ekspertim pajisjen kompjuterike. Kjo pajisje sqaruan burimet nga Prokuroria do të ekspertohet në qoftë se është përdorur apo jo për përgjim dhe nëse ka apo jo aftësi të tilla.