Basha nga SHBA: S’ka zgjedhje me Ramën

– Basha, sot Presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve në Kavajë, a do të merrni pjesë ju në to?
Qëndrimi i Partisë Demokratike dhe i gjithë opozitës është shprehur tashmë. Partia Demokratike, opozita dhe shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë, që, prej 18 shkurtit, ndodhen në një lëvizje popullore, qytetare, kombëtare dhe demokratike, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, as nuk do të pranojnë, as nuk do të lejojnë zgjedhje farsë, zgjedhje me krimin, zgjedhje me drogën dhe për këtë, kusht i patjetërsueshëm është largimi i Edi Ramës dhe formimi i një qeverie teknike me vullnet të të gjitha forcave politike, që do të mundësojnë krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke zbatuar Ligjin për Dekriminalizimin dhe duke luftuar influencën e krimit të organizuar dhe parave të pista të drogës.

– Do të ndalemi pak më gjatë në qëndrimin e opozitës, por le të ndalemi fillimisht tek synimi i kësaj vizite, për të cilën ishit këtu në Uashington.
Po, jam i ftuar këtu, jam mirëpritur nga udhëheqësit republikanë të Kongresit dhe të Senatit. Kam takuar krerët e komisioneve relevante, Komisionit të Jashtëm, të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, një numër të madh senatorësh dhe kongresmenësh, të cilët merren drejtpërdrejt me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, si edhe bashkëpunëtorë të nivelit të lartë të administratës së Trump, ku kemi diskutuar për gjendjen në Shqipëri, për zhvillimet politike në Shqipëri, për impaktin që ka kriza politike dhe në veçanti krimi i organizuar, paratë e drogës dhe influenca e tyre mbi procesin politik në Shqipëri, jo thjesht për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, por për rajonin në tërësi dhe interesat gjeostrategjike të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dua të ndaj sot me kënaqësi të jashtëzakonshme, nga kjo studio e juaj, lajmin e shkëlqyer, me qytetarët shqiptarë, jo thjesht me protestuesit, të cilët i përshëndes këtu nga Uashingtoni, nga studioja e “Zërit të Amerikës”, lajmin për mbështetjen që kam marrë nga të gjithë bashkëbiseduesit nga të gjitha nivelet e administratës Trump, të Kongresit dhe të Senatit, për kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për betejën e qytetarëve shqiptarë për të mos lejuar asnjë standard tjetër, përveç standardit europian dhe euroatlantik në procesin e ardhshëm zgjedhor.

– Çfarë prisni ju nga zyrtarët amerikanë? Çfarë ndihme prisni prej tyre? Çfarë mbështetje prisni ju prej tyre për zhvillimet në Shqipëri, pasi problemet që keni ju në vendin tuaj besoj, ka ardhur koha tashmë që mos ta zgjidhin të huajt apo jo?
Jo, nuk presim zgjidhjen nga të huajt, sepse po të prisnim zgjidhje nga të huajt nuk do të ishim në këtë ditë të 35-të të një proteste të paprecedentë, non stop. Ka rëndësi, informimi ashtu siç duhet i qendrave kryesore të aleatëve tanë strategjikë, të Uashingtonit, të Brukselit dhe partnerëve tanë, sepse për fat të keq, me futjen edhe të parave të narkomafias shqiptare është investuar fuqishëm në keqinformimin, si të publikut ndërkombëtar, ashtu edhe të qendrave të vendimmarrjes politike. Prania ime këtu është një prani në vazhdim, unë kam qenë këtu para disa javësh me rastin e inaugurimit të Presidentit Trump.

– A e vini ju në dyshim mënyrën se si funksionon qeveria amerikane, ka një ambasadë jo të vogël në Shqipëri. A e vini ju në dyshim informacionin që u jep ambasada politikëbërësve në Uashington?
Jo nuk ka të bëjë kjo, sepse është çështje e komunikimit diplomatik midis ambasadës dhe Departamentit të Shtetit, janë çështje të tjera. E kam fjalën për lobistët e paguar me paratë e narkomafias shqiptare, të cilët veprojnë në Uashington, në Bruksel, në Berlin, në Londër, për të fshehur të vërtetat e hidhura të Shqipërisë dhe për të keqinformuar aleatët tanë. Për fat të mirë, një nga meritat e mëdha të protestës së 18 shkurtit që vazhdon, është që është çjerrur kjo vello e paguar me paratë e drogës dhe narkomafias shqiptare dhe qendrat kryesore të politikëbërjes shohin me tronditje të madhe se si në qeverisjen e Edi Ramës, Shqipëria është shndërruar në një bazë kryesore të furnizimit të Europës jo vetëm me marijuanë, por edhe me heroinë dhe kokainë, se si, shteti ligjor është zhbërë, bashkë me garancitë për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe se si, procesi demokratik është asgjësuar, jo nga një parti politike, jo nga socialistët shqiptarë, por nga kriminelët me damkë, të dënuar për vepra të rënda të krimit të organizuar që sot bën ligjin në shtetin shqiptar dhe brenda Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ky është një realitet që sot njihet nga të gjithë dhe konstatohet si problemi kryesor për të ardhmen e Shqipërisë. Këtu në Uashington, sikundër edhe në Europë, e ardhmja e Shqipërisë shihet si e ardhmja e një vendi në Bashkimin Europian, por pengesa kryesore që Shqipëria të anëtarësohet në BE, që të hapen negociatat për anëtarësim, diçka që SHBA e mbështet plotësisht, diçka për të cilën Partia Demokratike ka luftuar si në qeverisje ashtu edhe në opozitë sot dhe do të luftojë fuqishëm edhe nesër, pengesa kryesore pra, është kriminalizimi total i shtetit dhe kërcënimi që krimi i organizuar dhe paratë e drogës po bëjnë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

– Pa dyshim, konstatimet tuaja mund të jenë mëse të drejta, mëse të sakta, por unë do t’ju pyes për diçka tjetër. Kërkesa juaj për qeveri teknike është hedhur poshtë nga kryeministri, i cili ka theksuar se në zgjedhjet e 18 qershorit, do të shkohet edhe pa opozitën. Nëse nuk plotësohet kërkesa juaj për qeveri teknike dhe zgjedhjet zhvillohen në datën që janë dekretuar më 18 qershor, a do të merrni ju pjesë në to?
Nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën dhe nuk do të lejojmë, as opozita, as qytetarët, zgjedhje fasadë, zgjedhje farsë.

– Më falni, nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën, nuk e përcaktoni ju.
Sigurisht, këtë e përcaktojnë qytetarët shqiptarë. Qytetarët shqiptarë kanë folur qartë më 18 shkurt. Po flasin ditë për ditë dhe natë për natë, pa censurë, nga ai shesh i lirisë.

– Ata janë pjesa që ju mbështet ju, pjesa tjetër nuk bëhet pjesë.
Nuk do të thoja se Dritan Hila apo Artan Fuga janë militantë të Partisë Demokratike, po përmend dy emra, po ka me qindra e me mijëra, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me programin tonë elektoral, por që thonë: zgjedhje me krimin në pushtet, zgjedhje pa dekriminalizuar shtetin shqiptar, nuk mund të ketë.

– A mendoni se ka mekanizma Partia Demokratike për t’i bllokuar zgjedhjet?
Sigurisht që po. Të gjitha mekanizmat paqësore për të mos lejuar një proces farsë dhe këto mekanizma ne do t’i shpalosim hap pas hapi në varësi të situatës politike në vend. E sigurtë do të jetë një gjë dhe ky është një mesazh i qartë që sot e përsëris nga Uashingtoni, zgjedhje me krimin, zgjedhje me drogën, zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë.

– Dakord, me ju ndahem teknikisht. Por edhe një herë të kthehemi, zgjedhjet janë dekretuar nga Presidenti më 18 qershor, zgjedhjet mund të organizohen nga institucionet përkatëse, KQZ, qeveria, etj. Nëse zgjedhjet zhvillohen, a do të marrë pjesë PD apo jo?
Nuk do të zhvillohen zgjedhjet. Unë ju garantoj që zgjedhje fasadë nuk do të ketë. Nuk mund të ketë një proces demokratik, votime po, ka pasur 50 vjet votime në Shqipëri, por nuk ishin zgjedhje.

–  Por kishte?
Votime po, zgjedhje jo.

– Pasojat janë të tjera gjëra, por votime mund të zhvillohen.
Proces farsë në Shqipëri nuk mund të zhvillohet, ky është zotimi ynë. Dhe, së bashku me qytetarët shqiptarë jemi të gatshëm të ndërmarrim të gjitha veprimet demokratike dhe paqësore…

– Pra, ju nuk pranoni të thoni që nëse zgjedhjet do të zhvillohen ju nuk do të merrni pjesë?
Jo, e kam sqaruar njëherë e mirë këtë. Nuk do të ketë bojkot, por nuk do të ketë zgjedhje të diktuara nga krimi dhe nga droga.

– Nuk do të zgjedhje s’e keni ju në dorë… nëse do të ketë zgjedhje, qoftë edhe nga ato që mund të jenë farsë, ju do të merrni pjesë apo jo?
Nëse ka përpjekje për zgjedhje fasadë, PD dhe qytetarët do të bëjnë atë që i takon çdo shoqërie të civilizuar; do të ndalë një maskaradë të tillë dhe do t’u japin shqiptarëve, në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk mund të ketë bojkot, sepse nuk mund të ketë zgjedhje fasadë, zgjedhje me krimin, dhe një herë e përsëris. Është me rëndësi që këtë mesazh e jap sot, në këtë ditë në 35 të protestës dhe e jap këtu nga Uashingtoni pas takimeve me krerët më lartë, me udhëheqësit më të lartë të Kongresit, të Senatit.

– Historia e Shqipërisë në të kaluarën në këto 20 e ca vite demokraci me zgjedhje pluraliste ka treguar se palët shkojnë buzë greminës, deri në minutën e fundit dhe pastaj gjendet një marrëveshje, gjendet një formë zgjidhjeje dhe situata zhbllokohet. A shikoni ju një lloj zgjidhje të mundshme, përveç kërkesës maksimale për qeveri teknike?
Zgjidhja që ne kemi propozuar është zgjidhja e vetme në këto kushte. Mos harroni që ne, për një vit, u munduam ta zgjidhim me Edi Ramën kryeministër, me këtë koalicion, duke propozuar paketën e majit të vitit 2016, paketën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përfshirë votimin elektronik. Duke propozuar në korrik kalimin në të njëjtën kohë me paketën kushtetuese për reformën në drejtësi, edhe largimin e të gjitha pengesave ligjore, pikërisht për votimin elektronik, biometrik dhe numërimin elektronik dhe një sërë propozimesh të tjera, të cilat do të adresonin problemin e shitblerje së votës, problemin e kapjes së medias, problemin e përdorimit të shtetit në fushatë. Me vetëdije, z. Rama asgjësoi ditë pas dite, çdo mundësi për të zgjidhur këtë çështje në kuadër të institucioneve. 18 shkurti është produkti mbi të gjitha, i arrogancës dhe i bindjes kriminale të z. Rama se Shqipëria dhe shqiptarët do të pranonin një proces zgjedhor të kontrolluar nga krimi dhe aq më shumë tani, me pretendimet absurde se ky proces zgjedhor do të zhvillohet pa opozitën. Nuk ështe e vërtetë që ne kemi ardhur në kërkesa maksimaliste. Ne kemi ardhur me kërkesa të diktuara nga koha, pasi kemi shterruar çdo mundësi tjetër. Është plotësisht e mundur. Jo vetëm kaq, por është një rrugë e ndershme edhe për z. Rama që të çlirohet nga mafia që sot dikton qeverisjen dhe emërimet e ministrave. Është një oportunitet, është një mundësi për z. Rama të çlirojë edhe Partinë Socialiste nga zgjedha e krimit të organizuar dhe t’i japë vendit, së bashku me PD, dhe forcat e tjera, një kabinet teknik, i cili do të organizojë procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

– Ju përmendët majit e vitit 2016 ku keni paraqitur propozimet tuaja për përmirësimin e procesit zgjedhor, ligjin e zgjedhjeve e me radhë. Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti që nga maji i 2016 deri më sot, u bë pak a shumë një vit, ju nuk keni këmbëngulur deri një muaj më parë, se çështja e zgjedhjeve të ishte kaq problematike e parësore për PD-në. Nuk ju kemi parë të këmbëngulni prej kohësh për këtë çështje, kur ju më herët e keni bojkotuar Parlamentin edhe për gjëra më të vogla siç kanë qenë çështjet e konfliktit të interesit të disa deputetëve socialistë që nuk u shqyrtuan nga Parlamenti. Pra, përse nuk keni këmbëngulur ju dhe PD më përpara me forcë kaq të madhe për çështjen e ligjit zgjedhor?
Dua ta kundërshtoj këtë premisë. Fakti është që ne i atashuam kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme si kusht për votimin e reformës në drejtësi.

– Nuk kemi dëgjuar nga bashkësia ndërkombëtare të thotë që Partia Socialiste ka shkelur marrëveshjen që kishte me ju dhe bashkësinë ndërkombëtare për t’i bërë këto me konsensus. Ajo i ka mbështetur, përshëndetur. Si mund të pretendohet që njëra palë ka thyer marrëveshjen kur bashkësia ndërkombëtare i ka përshëndetur këto ligje?
Bashkësia ndërkombëtare është një term shumë i gjerë. Ambasadori amerikan në Tiranë ka mbështetur qartësisht disa prej shqetësimeve që ne kemi ngritur, ka ofruar rrugë praktike për zgjidhjen e tyre, meqë jemi në SHBA, një nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Ai vetë ka ndihmuar që ligji për SPAK të kalonte me konsensus, 6 ligjet e tjera kanë kaluar pa konsenusin e opozitës. Edi Rama donte ta përjashtonte opozitën nga ato ligje që të kontrollonte sistemin. Këto janë fakte, jo opinione. Të vijmë te fakti tjetër. Edhe sikur sot opozita të ishte në Parlament, ligji për vettingun nuk zbatohet dot. E dini pse? Se kanë futur duart dhe kanë bërë një rrëmujë të paparë në përpjekjen e tyre për të kapur drejtësinë.

– Ligjet ju i kundërshtuat në Gjykatën Kushtetuese, Komisioni i Venecias e dha mendimin e tij…
Jo, jo. Nuk shterohet kurrë procesi politik.

– Ju s’mund të dilni mbi ligjet.
Ne nuk dalim mbi ligjet. Ne shprehim vullnetin politik. Ne na përjashtuan nga ky proces sepse duan ta bëjnë pa opozitën. Urdhëroni, le ta bëjnë pa opozitën, por kjo nuk ishte ideja e 22 korrikut, dhe as ideja e partnerëve tanë. Po të ishte pa opozitën, e bënin drejtësinë siç e donte Rama. Rama e do drejtësinë për Shullazin, për Hakmarrjen për Drejtësi, për Prengën, për Ndokën. Nuk e do për qytetarët shqiptarë. Duhet të kuptoni që ne këtu jemi në një mision kombëtar për t’u mbrojtur jo thjesht nga qeverisja aktuale, por nga çdo qeveri që do të diktojë sistemin e drejtësisë, sepse kjo e çon Shqipërinë 27 vjet prapa në kohë kur qeveria dhe gjyqtarët ishin një. Një nga themelet e shoqërive perëndimore është që gjyqësori është i ndarë nga qeverisja. Pse? Sepse duhet të hetojë edhe qeverinë, lidhjet potenciale të qeverisë me krimin, korrupsionin qeveritar.

– Faktori ndërkombëtar i ka mbështetur gjithë këto ligje. Si ka mundësi? Ju ka thënë shkoni në Parlament, votoni ngritjen e komisioneve, pastaj vazhdoni protestën. Pra, ligjet i quan të miratuara.
Faktori ndërkombëtar ka mbështetur reformën në drejtësi. Dikush mund të quajë të mirëqenë që në Shqipëri po ecin reformat. Dikush ka ardhur në Tiranë dhe ka thënë që Shqipëria po ecën përpara. Këtij dikujt, duhet t’i themi dy gjëra. Nuk mund të thuhet që Shqipëria nuk ka probleme, kur sapo doli këtë javë raporti i Departamentit të Shtetit, ku thuhet se do ta rifusin Shqipërinë në listën e zezë të pastrimit të parave sepse është kthyer në vendin kryesor të prodhimit të marijuanës, vend tranzit për heroinën dhe kokainën, korrupsioni nga i përhapur ka kaluar në jashtë kontrollit, në këto kushte, ne nuk mund të pretendojmë që gjërat në Shqipëri janë normale. Duhet patjetër të ndërmarrim veprime konkrete sepse ne nuk jemi analistë. Opozita është alternativa. Alternativa e shqiptarëve po propozon këtë rrugëdalje. Qeveri teknike dhe zbatim të reformës në drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut, jo sipas skemave të Edi Ramës dhe Emiljano Shullazit me shokë. Këtu nuk lëvizim ne. Dikush që nuk i di mirë faktet, le t’i shohë mirë. Kush e di këtë dhe sërish thotë votoni apo veproni sipas një reforme, e cila në vend që të çojë kriminelët para drejtësisë, i ndihmon të dalin nga burgu siç kanë dalë këtë muaj, këtij personi i themi e ke gabim zotëri apo zonjë. Interesi ynë është interesi i qytetarëve shqiptarë.

– Zoti Basha, faleminderit!