Tahiri, sot në Prokurori për lidhjet me Shullazin

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të paraqitet sot në orën 10:00 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku do të merret në pyetje për lidhjet me Emiljano Shullazin. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, Tahiri ka konfirmuar marrjen e fletë-thirrjes dhe ka pranuar të paraqitet në Prokurori. Mësohet se Tahiri do të merret në pyetje si dëshmitar me cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen e kërcënimit nga banda e Shullazit të dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, që të mos kandidonin për Rektor të Universitetit të Tiranës që t’i hapnin rrugë pedagoges Klodeta Dibra, anëtare socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Burimet thonë se, Saimir Tahiri, do të japë shpjegime për bisedën me dy profesorët Koni e Kule, pasi këta të fundit gjatë marrjes në pyetje, kanë deklaruar se ka qenë ministri Tahiri, ai që i ka premtuar zgjidhjen e çështjes, por çështja jo vetëm që nuk është zgjidhur nga Tahiri, por përkundrazi, banda e Shullazit ka vijuar kërcënimet dhe terrorin ndaj dy profesorëve të njohur. Shullazi është ndaluar nga policia pas reagimit të ish-Kryeministrit Berisha, i cili denoncoi në një postim në Facebook kërcënimet e Bandës së Shullazit ndaj dy profesorëve.
Në procesverbalin e deklarimeve, mes tjerash, dy profesorët janë shprehur se pas kërcënimit nga një grup personash në oborrin e një hoteli të njohur, ata janë kontaktuar nga drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit, thonë profesorët, i ka shoqëruar për një takim me ministrin Tahiri. Gjatë këtij takimi, dy profesorët kanë pretenduar se ministri, pasi është vënë në dijeni për kërcënimin, i ka premtuar profesorëve zgjidhjen e çështjes dhe zbardhjen e ngjarjes. Për këtë fakt, burimet thonë, se Tahiri do të japë shpjegime para prokurorëve të çështjes pse policia nuk ka reaguar për ndalimin e Shullazit.
Burimet e Prokurorisë bëjnë të ditur se, bashkë me Tahirin është thirrur për të dhënë shpjegime edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla me cilësinë e dëshmitares. Në takimin e Tahirit me dy profesorët ka qenë edhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, të cilët i kanë ofruar siguri profesor Konit për të vazhduar garën për rektor.
Si ministrja e Arsimit Nikolla, ashtu edhe ish-ministri Tahiri do të pyeten nga prokurorja e çështjes Elisabeta Imeraj, e cila ka firmosur edhe shkresat për thirrjen e tyre në Prokurori. Sipas akuzës, nuk përrjashtohet mundësia që veç Nikollës dhe Tahirit të merren në pyetje edhe zyrtarë të lartë e deputetë të Parlamentit, që kanë pas dijeni për kërcënimet e Emiljano Shullazit. Ky i fundit së bashku me të dyshuarit si pjesëtar të ‘bandës’ së tij po hetohen prej muajsh nga Prokuroria për Krime të Rënda për disa akuza, si gjobëvënie e kërcënime ndaj dy profesorëve Dhori Kule e Mynyr Koni.
Për kërcënimin e profesorëve Koni e Kule, Prokuroria mësohet se ka pyetur edhe drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit, thonë burimet, ka shpjeguar para hetuesve për të gjitha procedurat e ndjekura që nga momenti i marrjes në dijeni për kërcënimin e deri te shoqërimi i Emiljano Shullazit dhe më pas arrestimin e tij. Mësohet se Hodaj, ka treguar edhe për hetimet operative që policia ka kryer ndaj këtij personi apo të dyshuarve si pjesëtarë të bandës së tij.

R.POLISI