Rruga e Lumit të Vlorës, 78 milionë dollarë pa kontratë dhe supervizor

Në prag të fushatës zgjedhore ka nisur zbatimi i një projekti për rikonstruksionin e rrugës me rëndësi të madhe për banorët e fshatrave të Lumit të Vlorës. Bëhet e ditur se, punimet për ndërtimin e kësaj rruge po bëhen me një shpejtësi rrufe dhe jashtë standardeve që rruga e Lumit të jetë gati para 18 qershorit në mënyrë që Rama të presë shiritin e inaugurimit. Për ndërtimin e kësaj rruge nuk ka asnjë kontratë të rregullt dhe punimet po kryhen pa supervizor.
Ky problem është ngritur edhe nga banorët e zonës, të cilët shprehen se rruga po bëhet shkel e shko dhe jashtë standardeve. Një qytetar nga zona e Lumit të Vlorës i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku e informon për batërdinë e kryeministrit Rama me rrugën e Lumit të Vlorës. “Përshëndetje zoti Berisha. Unë jam një banor i Vlorës që dua të ngre pranë jush shqetësimin e banorëve të Vlorës me batërdinë që po ndodh nga kryeministri Rama me rrugën e Lumit të Vlorës. Në rrugën e Lumit të Vlorës po punohet pa supervizor, nuk ka një kontratë të rregullt dhe puna po bëhet copë-copë vetëm për të bërë një prezantim elektoral. Presioni po ushtrohet direkt nga kryeministri, që nuk bëri asgjë për Vlorën dhe po shpërdoron miliona euro për një tapet elektoral. Besoj ky shqetësim i yni do marrë vëmendjen e duhur që vepra mos jetë një baltosje elektorale, por një investim që t’i qëndrojë kohës”, shkruan qytetari.
Plot 78 milionë dollarë janë planifikuar të harxhohen për ndërtimin e kësaj rruge, por projekti që lidh fshatrat e lumit të Vlorës me bregdetin ka devijuar. Fillimisht ishte projektuar që rruga të kalonte në Borsh, por më pas është devijuar, duke përfunduar në Qeparo. Qëllimi është dalja në Qeparo dhe jo në Borsh, siç është gjurma e aksit ekzistues. Por banorët, ndryshe nga sa janë mësuar që zbrisnin në Borsh, me rrugën e re do t’u duhet që të ndalojnë 3 km më para, për të vazhduar një rrugë më të gjatë nëse duan të shkojnë në komunat e tjera apo Sarandë.
Sipas projektuesve, rruga nis në Vlorë, kalon nga fshati Kuç e nëpërmjet urës së Laskos në fshatin Kudhës e në Qeparo. Faza e parë, sipas firmës fituese të tenderit do të çelë trasenë e re në aksin Kuç (ura e Laskos) deri në urën e Kudhësit. Pikërisht këtu do të nisë dhe devijimi për në bregdet, në Qeparo. Rruga do të jetë 9 m e gjerë (7 metra e asfaltuar) dhe 12 km e gjatë. Financimi është nga BERZH, BEI, program PA i Bashkimit Europian dhe qeveria shqiptare, me fondin prej 98,348,040 lekësh. Afati i përfundimit të punimeve është 9 muaj, ndërsa kanë nisur që prej disa ditësh, me investitor Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Në gjatësinë prej 12 km, më e shumta e gjatësisë së rrugës është zonë kodrinore dhe pjesërisht shkëmbore, ndërsa në zonën bregdetare vjen me pjerrësi, tërësisht zonë shkëmbore dhe rrugë shumë e vështirë, sidomos në fshatin Kudhës deri në fshatin Qeparo të zonës së bregdetit.
Ky aks rrugor është pjesë e rikonstruksionit të rrugës së Lumit të Vlorës që nis nga Vlora e Selenica (përfshirë këtu urën mbi Vjosë) dhe që do të përfundojë në fshatin Qeparo, në sajë të sigurimit të një kredie shtetërore kuvajtiane. Aksi i vjetër që lidh fshatrat e lumit të Vlorës me fshatrat e zonës bregdetare është më i shkatërruari deri tani në Qarkun e Vlorës. Ky aks nuk është rikonstruktuar për më shumë se 25 vjet, duke iu vështirësuar jetën banorëve të fshatrave të këtyre zonave.
Prej shumë vitesh, banorët kanë vuajtur për të arritur në qytetin e Vlorës, si dhe për të lëvizur në këto fshatra me automjete, për shkak të gjendjes së mjeruar të rrugëve. Me devijimin nga Borshi drejt Qeparosë, sërish banorët e këtyre zonave do të kenë vështirësi në lëvizje, pasi rruga e vjetër, (gjysma e saj) do të jetë në gjendjen aktuale. Duket se rruga e Lumit të Vlorës po ndërtohet për fushatë elektorale nga Rama dhe jo për t’u ardhur në ndihmë të gjithë banorëve.