Opozicioni i Metës që voton për Ramën!

Edhe sot Ilir Meta ka bërë për mrekulli atë që di të bëjë gjithmonë: i jep votat Ramës, por bën ndonjë lëvizje disidence sa për të prodhuar lajm se nuk është futur 100% në tufë.
Ndërsa debati politik ishte ndezur nëse duhej votuar apo jo, Fatmir Xhafa si ministër i Brendshëm, përsëri LSI shkoi ta votonte me një këmbë, por me një përjashtim: Ilir Meta tërhoqi vëmendjen e mediave, duke mbajtur një ligjëratë të gjatë për rolin e veterinerëve në shoqërinë shqiptare dhe duke e shmangur votën pro ose kundër Xhafës.
Po të njëjtën gjë bëri kreu i Kuvendit edhe pak ditë më parë, kur pasi Rama tha se do të hynte edhe i vetëm në zgjedhjet e 18 qershorit, ai deklaroi se “pluralizmi politik është vendosur që më 1990”. Pra, asnjë përgjigje: a do të hyjë LSI në zgjedhje, nëse nuk hyn PD? Asnjë koment.
Në fakt prej kohësh, Ilir Meta bën të njëjtën lojë: Ai i jep mbështetje me vota Ramës, por nxjerr njerëz të flasin se vendi po kanabizohet, se policia mund të vjedhë zgjedhjet.
Ai jep votat për reformën në arsim, por pastaj nxjerr Monika Kryemadhin rrugëve për të thënë se ajo qe gabim.
Ai vë njerëz për të thënë se, Rama do të kapë drejtësinë dhe se reforma apo shkel sovranitetin, pastaj vë LSI-në të votojë gjithçka nga reforma.
Në të gjithë veprimet e Metës, më shumë sesa lëvizje politike, duket se ka një përpjekje për vëmendje, një stërmundim për të thënë se ekziston.
Ai me deklaratat për kanabisin, për zgjedhjet, për policinë, për Xhafën, për drejtësinë, për arsimin, për plehrat… më shumë duket sikur do të marrë vështrimin e Ramës, ta bëjë atë nervoz, ta luajë mendsh, sesa ta godasë për mëkatet e qeverisjes.
Në këtë kuptim, më shumë sesa sjellja e një aleati politik, ajo e Metës i ngjan asaj të një dashnori xheloz dhe të mërzitur. Ai nuk do të ndahet nga partneri. Vetëm thjesht kërkon më shumë vëmendje prej tij. Dhe kur nuk e arrin, fillon hedh vickla, e nervozon, e mërzit, e bën xheloz, duke i thënë se do të shkojë në shtratin e dikujt tjetër. Por në fakt nuk bën asgjë. Sepse ai do të mbajë ndezur flakën e pasionit të 1 prillit.

“Lapsi.al”