Ballina Aktualitet Erdhi nga Italia, zhduket në Rinas 25-vjeçarja nga Tirana

Erdhi nga Italia, zhduket në Rinas 25-vjeçarja nga Tirana

Një vajzë 25-vjeçare rezulton e zhdukur prej më shumë se një muaji dhe familjarët nuk dinë ende asgjë për vendndodhjen e saj. Denoncimi është bërë tri ditë më parë në Komisariatin Nr.4 nga vëllai i vajzës, i cili pretendon se ka verifikuar të gjitha të dhënat e hyrjes së saj në Shqipëri, prej më shumë se një muaji.
25-vjeçarja me iniciale D.Gj., ka zbritur në Aeroportin e Rinasit më datë 16 shkurt dhe ishte nisur nga Italia. Vëllai i saj, me iniciale M.Gj., 31 vjeç, është paraqitur në Komisariatin Nr.4 më datë 19 mars dhe ka denoncuar “zhdukjen” e saj. Sipas të vëllait, e reja kurohej për depresion në Itali. Një ditë para se të nisej për në Shqipëri, ajo i kishte lajmëruar familjarët, por më pas nuk është bërë e gjallë.
Vëllai i 25-vjeçares është shprehur në polici se ajo ka udhëtuar vetëm nga Italia në Shqipëri dhe që nga momenti kur ka zbritur në Rinas, nuk dinë më asgjë për të. Familjarët kanë deklaruar se kanë kontaktuar me të gjithë të afërmit në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit, gjithashtu edhe me shoqet e shokët e vajzës së tyre, por as ata nuk kanë dijeni për vendndodhjen e saj.
Vëllai është shprehur i shqetësuar në polici, pasi, për shkak të problemeve shëndetësore që ajo ka, mund të ketë kryer edhe vetëvrasje, apo mund të jetë aksidentuar. Megjithatë nga verifikimet në Morgun e Tiranës, por edhe në qytete të tjera, nuk ka rezultuar ndonjë person me karakteristikat e 25-vjeçares.
Hetuesit mësohet se kanë marrë në pyetje disa dëshmitarë në lidhje me ngjarjen. Ata kanë bërë edhe këqyrjen e kamerave të sigurisë së Aeroportit të Rinasit. Pas kësaj këqyrje, policia ka vijuar hetimet me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Exit mobile version