Rithemelim i Republikës

Romeo Gurakuqi

Jam veçanërisht i nderuar sot, që 25 vite pas përmbysjes definitive të regjimit komunist në Shqipëri më 22 mars të 1992, kam mundësinë për të folur para trashëgimtarëve, bijve dhe baballarëve të asaj përmbysjeje të madhe, e cila në fakt filloi më 14 janar në vitin 1990 në Shkodër, kur një grup me të rinj shkodranë, bij të desidencës së mirëfilltë shqiptare tentuan të përmbysin bustin e Stalinit.
22 marsi në fakt është një prej datave kulmore të një serie ditësh, le t’i quajmë revolucionare të përmbysjes së madhe të shqiptarëve, të filluar më 14 janar, e vijuar me 11 nëntorin e vitit 1990, 8 dhjetorin e vitit 1990, 31 marsin e 1991, pa harruar 20 shkurtin e vitit 1991 dhe kjo është data kulmore që vendosi definitivisht në fillimin e një epoke të re. Më 22 mars filloi periudha e rindërtimit institucional të Shqipërisë, bazuar në parimet e lirisë, shtetit të së drejtës, ndarjes së pushteteve, një sistemi Republikë parlamentare që respektonte liritë dhe të drejtat e njeriut.
Shqipëria ka kaluar gjatë këtyre 25 viteve një periudhë shumë të vështirë për shkak edhe të trashëgimisë pararendëse, mjaft të rëndë që ka kaluar populli jonë, edhe për shkak të definimit? Gati të plotë të disidencës shqiptare nga bijtë e bllokut, të cilët, duke nisur nga 17 nëntori në këtë qytet, 17 nëntori i vitit 1944 e më pas 29 nëntori 1944 në Shkodër u shndërruat në një definim të të gjithë disidencën dhe gjithë trashëgimisë pararendëse më të mirë që formoi shtetin shqiptar, indipendencën shqiptare, ndërtuan themelet e shtetit, institucioneve, arsimore e kulturore, ndërtuan atë Shqipëri që u ndërpre për gati 50 vite.
Sot jemi mbledhur këtu për të kujtuar një datë shumë të rëndësishme, të cilën populli jonë e nisi me parullën: “E duam Shqipërisë si gjithë Europa”….bazuar themelisht në atë trashëgimi dhe në atë ëndërr të të gjithë atyre që u pushkatuan para skuadrave të pushkatimit të diktaturës, e lanë amanet për baballarët tanë dhe për ne që jemi këtu. Kështu që, kjo ka qenë rruga jonë kryesore, e ndërtimit të një Shqipërie të lirë, pro europiane, pro perëndimore, e drejtuar nga Europa, e një shteti serioz, i përbërë nga një klasë politike serioze.
Sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar këtë datë, por njëkohësisht jemi mbledhur në kuadrin e një situate shumë të rëndë që po kalon vendi jonë, e lidhur me destabilitetin e përgjithshëm të institucioneve të shtetit, për shkak të thyerjes së parametrave themelorë të demokracisë, që lidhen me respektimin e shtetit të së drejtës, me ndarjen e pushtetit nga shteti, me ndarjen e institucioneve dhe pushteteve dhe krijimin e një sistemi pluralist të mirëfilltë që nuk është funksional në vendin tonë.
Situata për katër vite ka precipituar në një mosdëgjesë premanente nga ana e institucioneve politike që kemi në krahun tonë. Ka qenë një mosdëgjesë sistematike jo vetëm ndaj opozitës, por ndaj gjithë klasës intelektuale, atyre pak zërave të pavarur, të cilët kanë arritur të shprehin mendimin e tyre të lirë pa u ndrojtur para presioneve.
Kemi ardhur në një moment, ku lidershipi i Partisë Demokratike, ka vendosur që të marrë një masë ekstreme që lidhet me rregullimin e sistemit përmes një garanti, i cili do të jetë një garant i paanshëm, por do të krijojë kushtet për të realizuar gjënë e parë në një demokraci që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Shqipëria, gjatë gjithë kësaj periudhe katërvjeçare ka pësuar një disbalancim institucional, ka pësuar një disbalancim nga pikëpamja administrative, një ndarje administrative që ka zhbalancuar Shqipërinë dhe ka krijuar një fluks të madh të refugjatëve, një fluks të gjatë të bijve tanë, të cilët janë larguar për një jetë më të mirë për shkak të pasigurisë.
Mbi të gjitha varfëria në këtë vend është rritur në përmasa të paimagjinueshme, mos shihni Tiranën, por shihni cepat e Shqipërisë anekënd nga veriu në jug, janë të gjithë të varfër, e sidomos në veri të Shqipërisë ku investimet e qeverisë aktuale janë në përmasa të paimagjinueshme, marr parasysh këtu Bashkinë e Shkodrës që është në nivelin e investimeve të barabartë me Bashkinë e Roskovecit, situata është totalisht e papranueshme dhe disbalanca është totalisht e papranueshme.
Jemi në momentin e një reflektimi shumë të rëndësishëm që kërkon uljen në një tavolinë të bisedimeve për ndërtimin e një pakti nacional që nënkupton rithemelimin e Republikës jo thjesht në pikëpamje institucionale, por në pikëpamje të parimeve, të shtetit të së drejtës, të parimeve të balancimit të institucioneve, duke respektuar reformën në drejtësi, por duke e riaxhustuar këtë reformë, bazuar në parimin check and ballance, i cili është shkatërruar përkundrejt udhëzimeve të Komisionit të Venecias, nga kjo qeveri dhe nga mazhoranca aktuale, e kanë kthyer këtë reformë në një plotësim të kontrollit politik të mazhorancës mbi sistemin e drejtësisë, gjë që është e papranueshme për një shtet të së drejtës.
Në këto rrethana, nisma për themelimin e një Republike të re nuk është një shprehje e rastësishme kalimtare, por do ta thoja është një nismë esenciale që kërkon reflektim dhe marrjen e masave konkrete përmes konstitucionalistëve më të mirë jo vetëm shqiptarë, por do të ftoja PD që këtë ta bëjë përmes konstitucionalistëve më të mirë perëndimorë, për ta rithemeluar Shqipërinë si një Republikë të ngjashme me të njëjtat reforma që vende të Europës Lindore, post komuniste, ato që kanë avancuar më përpara në sensin e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe këtu shembulli i Sllovenisë është më konkreti në rithemelimin e Republikës dhe ndërtimin e një Republike të balancuar.
Nga kjo tribunë, gjej rastin t’i bëj thirrje edhe pozitës, qeverisë që të bëhet serioz, të ulet në tavolinën e bisedimeve për ndërtimin e një pakti nacional të së ardhmes së Shqipërisë përmes një numri reformash ku reforma në drejtësi duhet të jetë pjesë e këtij ristrukturimi shumë të rëndësishëm të Republikës sonë. Kjo duhet të bëhet për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, për brezin e ri që po rritet këtu dhe për 2 milionë shqiptarë që gjenden anembanë globit dhe presin ditën për t’u kthyer në një vend të paqtë, në një vend që ka perspektivë, në një vend që ka siguri, afron mirëqenie, liri ekonomike, konkurrencë të lirë dhe garanci për rendin publik. Një Republikë të vlerave dhe jo një Republikë të krimit të organizuar!