Premtimi i De Biasit për fitoren me Italinë

Një ndeshje zyrtare me Italinë ka qenë ëndrra e të gjithë shqiptarëve. Fitorja, mbi të gjitha në fushën e të kaltërve, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për të gjithë. Jashtë këtij konteksti nuk mbetet as Gianni de Biasi. Trajneri i kombëtares ka premtuar për “Sky” se në rast fitoreje këtë të premte në Palermo do të ndërmarrë “Rrugëtimin e Santiagos”.  “Nëse Shqipëria e mund Italinë, jam gati të përshkuaj thuajse plotësisht ‘Rrugëtimin e Santiagos’”, u shpreh De Biasi.
Një premtim i rëndësishëm, edhe sepse bëhet fjalë për një prej riteve të pelegrinazhit fetar më të rëndësishëm dhe njëkohësisht më të lodhshëm në botë. Në total janë 800 kilometra udhëtim me kohëzgjatje një muaj, nga vargmalet Pirenei për të arritur në Santiago de Compostela. Kënaqësia e një fitoreje në Itali do të ishte shpagimi më i mirë për sipërmarrjen e premtuar nga De Biasi, që i ka të qarta vështirësitë e duelit në Palermo: nga forma e shkëlqyer e lojtarëve të Italisë deri te mungesat e rëndësishme që kanë kuqezinjtë. Trajneri tregoi gjithashtu çfarë kërkon nga skuadra kuqezi në sfidën e së premtes.
“Nga skuadra e Contes te ajo e Venturas kanë ndryshuar lojtarët, që në këto momente po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme në kampionatin italian. E kam fjalën për Bellotin, Immobilen, Insigne, Candrevan, por edhe ata që luajnë jashtë si Verratti. Do ta kemi të vështirë prej formës së lojtarëve që ka Italia, por edhe sepse kemi disa probleme në kontingjent. Italia ka si objektiv vetëm të fitojë, edhe për të vazhduar garën dhe të mbetet në krye me Spanjën. Kjo mund t’i shkaktojë edhe pak presion. Për ne, çdo rezultat do të jetë i mirë. E rëndësishme është që skuadra të luajë me inteligjencë taktike, me krenari dhe të luajë si zakonisht me zemër”, tha trajneri i kombëtares.