Hyka bashkohet me skuadrën në Durrës

Jahmir Hyka bashkohet me kombëtaren shqiptare në kompleksin “Tropikal”. Pas sagës që zgjati më shumë se 24 orë ku mesfushori u bllokua në Romë për shkak të grevës së një kompanie ajrore, tashmë De Biasi mund të punojë i qetë me grupin e plotë. Në seancën stërvitore të paradites, trajneri italian mbylli dyert për të gjitha mediat duke blinduar ambientin përreth kompleksit stërvitor për të mos lejuar rrjedhjen e asnjë informacioni.
Gjatë këtyre ditëve, trajneri i ka testuar të 23 lojtarët që ka në dispozicion dhe ka përdorur skema të shumta taktike, por sipas informacioneve ai nuk ka marrë ende asnjë vendim për lojtarët që do të hedhë në fushë apo edhe për modulin që do të zgjedhë. De Biasi preferon të ruajë me fanatizëm punën që po bën me grupin e tij dhe një informacion më të qartë për zgjedhjet e tij do të kemi vetëm pak orë përpara sfidës që do të luhet të premten në Palermo kundër Italisë të Gianpiero Venturës. Shqipëria e blinduar duket se ka synime të qarta, nga “Renzo Barbera” nuk synon të dalë pa pikë dhe këtë e tregon serioziteti dhe puna intensive e trajnerit italo-shqiptar.