Dy shqiptarë kapen me 80 kg drogë në Itali

Zbulohet një qendër e përpunimit të drogës në një garazh në Livorno të Italisë, ndërsa ‘pronarët’ e këtij aktiviteti të paligjshëm ishin një grup shqiptarësh. Gjatë kontrollit, atyre iu gjetën dhe sekuestruan 80 kg drogë. Pas hetimeve të karabinierëve italianë rezultoi se bëhet fjalë për një rrjet trafiku të kokainës dhe heroinës, që vepronte mes Toscanës dhe Emilia-s, ndërsa operacioni çoi në arrestimin e 9 personave.
“Ansa” shkruan se grupi drejtohej nga dy vëllezër shqiptarë, Shkëlzen dhe Kastriot Kasa. Kjo bandë ishte strukturuar si një ‘kompani’, duke nisur nga tregtarët e drogës, shpërndarësit e besuar silleshin nga Shqipëria dhe paguheshin me një pagë mujore prej 1,500 eurosh në muaj. Po ashtu, atyre iu sigurohej strehim dhe transporti.
Sakaq, në pranga janë vënë shtetasit Ilirjan Luku, Klodian Hakballa, Rezart Sula, Ervin Keci, Radebor Karina, Enkel Matraku, Ervin Sgura dhe Erist Piku. Nga hetimet rezulton se fitimi i këtij grupi shqiptarësh shkonte në gjysmë milion euro në vit.