Deklaratë shokuese e sulmuesit të Leicester Sitit, Xhemi Vardi, i akuzuar si një nga komplotuesit kundër ish-trajnerit Klaudio Ranieri. Pas shkarkimit të teknikut italian, 30-vjeçari ka zbuluar se ai dhe familja e tij kanë marrë kërcënime me vdekje në rrugë e në rrjetet sociale.
Futbollisti anglez i ka mohuar gjithnjë akuzat, por kjo nuk i ka shpëtuar etiketimit si një futbollist që nuk pëlqehet nga tifozët.
Vardi ka vënë në dijeni policinë për kërcënimet, por këta të fundit kanë bërë pak ose aspak për të parandaluar valën e urrejtjes ndaj tij. Përgjithësisht agresorët fshihen pas një adrese në “Tëitter”, ndërsa për kërcënimet në rrugë ku nuk ka kamera, është e vështirë të reagohet.
Megjithatë, kampioni i Premier Ligës mundohet ta zbusë disi situatën. “Jam ofenduar në të gjithë stadiumet ku kam luajtur. Është normale, si pjesë e futbollit. Gjithsesi, ajo që po më ndodh mua dhe familjes time, është e papranueshme”, është shprehur Vardi.