Memushaj kërcënon Italinë

Ledian Memushaj beson se kombëtarja shqiptare mund të arrijë rezultat pozitiv në ndeshjen ndaj Italisë, e cila luhet të premten në kuadër të eliminatoreve për Botërorin Rusia 2018. Mesfushori kuqezi, Ledian Memushaj e ka të qartë rëndësinë dhe vështirësinë e duelit me Italinë, por beson se nëse Shqipëria jep më të mirën rezultati nuk do të mungojë. “Kemi shumë mungesa, por besoj se të gjithë ata që do të luajnë do të japin maksimumin. Është një ndeshje e vështirë dhe e rëndësishme për ne, por do të japim më të mirën sikundër gjithë ekipeve të tjera të mëdha”, ka deklaruar anëtari i Pescaras.
“Do të japim maksimumin dhe do të kërkojmë të marrim pikë. Kur luan me ekipe të mëdha nuk ka nevojë për motivim. Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe këtë e kemi të qartë. Do të kërkojmë të marrim pikë”, ka shtuar ai. Sipas Memushajt, forca e Shqipërisë mbetet grupi. Ai mendon se kjo është edhe mënyra më e mirë për t’u përballur me yjet e azzurrëve.
“Ndeshjet tona kur i kemi fituar ose barazuar i kemi arritur me lojën e grupit. Nuk duhet të shohim më tepër ekipin italian, por të përqendrohemi te vetja. Në dy ndeshjet e fundit nuk kemi luajtur mirë, por si në ndeshjet e kaluara. Verratti është një prej mesfushorëve më të mirë në botë”, tha Memushaj.