Kokëdhima: S’ka zgjedhje pa opozitën, Rama del në opozitë

Kreu i Lëvizjes “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima ka parashikuar se cili do të jetë qëndrimi i Kryeministrit, Edi Rama për krizën politike. Ai thotë se nëse nuk ka kompromis të shpejtë, Rama do të tërhiqet në momentet e fundit dhe zgjedhjet do të shtyhen.
“Çdo njeri që ka dy fije mend në kokë e kupton se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme. Opozita nuk do të dalë nga çadra e saj. Zgjedhje pa opozitën nuk bëhen. Edhe LSI nuk mundet të shkojë në zgjedhje pa opozitën, sepse nuk do guxonte të merrte përsipër përgjegjësinë që vendi të hynte në destabilizim e në një spirale të re dhune e konfliktesh. Me shumë gjasa qeveria do të tërhiqet në momentin e fundit dhe do të plotësojë kërkesat e opozitës. Reforma Zgjedhore do të miratohet. Zgjedhjet do të shtyhen. Ato do të realizohen në vjeshtë”,  tha Kokëdhima.
Në një takim me mbështetësit e “Zgjidhja” në Shkodër, Kokëdhima ka kritikuar mënyrën sesi po drejtohet vendi dhe Partia Socialiste. Kokëdhima tha se mënyra sesi po hiqen socialistët nga puna dhe se si po promovohen njerëz jo profesionistë nga Qeveria Rama tregon mungesë vizoni për qeverisje. “Rama u bë kryeministër me votat e këtyre njerëzve që sot po i shkel me këmbë”, tha Kokëdhima, duke folur për largimet nga puna të socialistëve.
Ai ka folur dhe për situatën në koalicionin e majtë. Sipas Kokëdhimës për shkak të mungesës së vizionit të Kryeministrit, e majta ka mbetur në aleancë vetëm me PDIU-në. Për të gjitha problemet e keqqeverisjes, Kokëdhima kërkoi që “të mbahet Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së, duhet bashkim i të majtës”.
Kokëdhima tha se kursi politik që po ndjek Rama shumë shpejt do t’a nxjerrë të majtën në opozitë. “Kursi që po ndjek ky lidership po e çon PS-në në opozitë dhe po përgatit rikthimin e shpejtë në pushtet të Partisë Demokratike. E vetmja rrugë që e ndalon rrëshkitjen e shpejtë të PS-së në opozitë, është platforma politike e “Zgjidhjes””, tha Kokëdhima. Ai shtoi se “nëse nuk reagojmë dhe vazhdojmë të ndjekim me verbëri e servilizëm kryetarin, na pret kaosi, lufta dhe kalimi në opozitë. Kur të ndodhë kjo të gjithë servilët e kryetarit do e braktisin dhe do e shajnë atë më shumë se të tjerët”.