Ish-Kryeministri Berisha reagoi mbrëmë ndaj diversioneve të mediave të Ramës sipas të cilave Berisha nuk ka kërkuar qeveri teknike gjatë takimit me ambasadorin Lu. Berisha ka reaguar ashpër, duke thënë se “nuk ka zgjedhje me Ramën” dhe se “zgjidhja e vetme është qeveria teknike”. Ish-Kryeministri i ka bërë thirrje që të bëhet gati dhe të ikë.
“Ediskobari me mediat e tij po festojnë trillimin e tij, sipas të cilit unë në takimin tim me ambasadorin e SHBA, Donald Lu nuk paskërkam kërkuar qeveri teknike. Për të mos e lënë të gëzohet me mashtrimet e tij, pra me lugë bosh, po e sqaroj Ramën se jo vetëm që kam deklaruar se me Ramën nuk ka zgjedhje, gjë që lexohet në çdo rrjesht të njoftimit për shtyp, por kam theksuar se për një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, zgjidhja e vetme është qeveria teknike, dhe përveç këtyre, siç e kam bërë publike, e kam krahasuar pa asnjë ekuivok Ramën me ish-narkodiktatorin e Panamasë, Noriega, me të cilin Rama nuk ka asnjë dallim. Ndaj i them Ramës mos u gëzo me trillimet e tua, por bëhu gati dhe ik, dhe thellohu mirë në kuptimin e krahasimit që të kam bërë me Noriegën”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha ka diskutuar dje me ambasadorin amerikan Donald Lu situatën politike në vend, ndërsa ka njohur ambasadorin me arsyet se, përse zgjedhjet e 18 qershdorit nuk mund të zhvillohen me këtë qeveri.
Berisha u shpreh se, në vlerësimin e tij situata është kritike për vendin, më kritike se në gjithë ekzistencën e pluralizmit. Ai theksoi se opozita shqiptare, për herë të parë në histori, fillon një protestë të pandërprerë në periudhë elektorale si dhe renditi arsyet e kësaj proteste.
Berisha theksoi se, së pari, opozita para zgjedhjeve që do të zhvillohen, përballet me një mal me para droge, me të cilat nuk përballet opozita e asnjë vendi tjetër në botën e lirë. Zoti Berisha u shpreh se, mbjellja e gjithë vendit me kanabis ishte një politikë e Edi Ramës me një qëllim nga më kryesorët: zgjedhjet. Ai theksoi se, opozita beson se Shqipëria me drogën nuk zhvillohet, por shkatërrohet. Në këtë kontekst, ai u shpreh se Rama, në kuptimin e vërtetë të fjalës, është një lloj Noriege, ndaj të cilit SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajnë qëndrim të prerë.
Së dyti, arsye tjetër pse opozita po proteston janë bandat kriminale më të rrezikshme të vendit, të cilat janë liruar dhe po lirohen nga burgu me ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, si Lul Berisha, Hakmarrja për Drejtësi etj., me qëllimin kryesor: grabitjen e zgjedhjeve. Klement Balili sot shëtit i lirë nëpër Sarandë, ndërsa shefi i policisë që duhet ta arrestojë është emëruar prej tij dhe informohet për çdo operacion. Nga ana tjetër, Shullazi është pothuaj më i fuqishëm në burg se sa jashtë burgu, duke u dhënë urdhëra dhe ofruar favore zyrtarëve në të gjitha nivelet e administratës, u shpreh zoti Berisha.
Së treti, zoti Berisha theksoi se 120 mijë punonjës të administratës, si kurrë ndonjëherë në histori, janë shpallur nga qeveria si patronazhistë, të cilët detyrohen të sjellin vota, dhe jo vetëm të familjes, por dhe të të afërmve dhe të njohurve të tyre, dhe të dorëzojnë numrat e telefonit dhe të kartave të identitetit të personave që me detyrim marrin në patronazh.
Së katërti, zoti Berisha shprehu shqetësimin dhe për situatën e mediave në Shqipëri, të cilën e vlerësoi si më të keqe se në vitin 1991. Asokohe, theksoi ai, mediat zyrtare censuruan plotësisht opozitën, por “Zëri i Amërikës” dhe Radio “Vatikani” transmetonin të gjithë aktivitetet e saj. Ndërsa sot, opozita përjeton shkallën më të lartë të censurës në të gjithë ekzistencën e saj, u shpreh ish-kryeministri Berisha.
Berisha theksoi se, kriza që u shfaq në Maqedoni një vit para zgjedhjeve ndërmjet forcave politike maqedonase, si mosbesim për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm nuk ka asnjë krahasim me situatën tejet dramatike në Shqipëri për procesin elektoral.
Në këtë takim zoti Berisha vlerësoi se që nga themelimi i pluralizmit, forcat politike kanë bashkëpunuar ngushtë dhe me sukses si me Institutin Kombëtar Demokrat Amerikan ashtu dhe me atë Republikan dhe shprehu mirënjohjen ndaj tyre. Por ai theksoi se që nga viti ’93 deri sot, George Soros ka shpenzuar miliona dollarë jo vetëm në mbështetje të ish-komunistëve shqiptarë, por direkt kundër PD. Ai u shpreh se, Soros është një milioner dhe se në Ballkan i blenë lirë politikanët, por theksoi se do vlerësonte që qeveria amerikane të ndalojë një veprimtari të tillë të tij. Berisha dha shembuj konkret të ndërhyrjeve të tij të dëmshme për demokracinë në mbështetje të Edi Ramës.
Ish-kryeministri Berisha theksoi se për këto arsye opozita është jashtë Parlamenti dhe po proteston për votën e lirë dhe jo për pushtet.