Policia italiane sekuestroi dje 1.6 ton drogë në Brindizi dhe dy pistoleta, një “Dan Wesson” të kalibrit 357 dhe një “Beretta” të kalibrit 7,65. “Brindisi.report” raporton se droga kishte ardhur nga Shqipëria. “Fshihej në një shtëpi në fshat ku ruante më shumë se 1 ton e gjysmë marijuanë. Mbasdite, karabinierët e Norm të Brindizit, nën komandën e kapitenit Luca Morrone dhe të tenentit Luca Colombari, kanë hyrë në një shtëpi në fshat në Qarkun Montenegro ku kanë ndaluar një qytetar shqiptar. Një tjetër ka arritur të arratiset”, shkruan gazeta italiane Brindisi.report.
Të dy qytetarët ishin duke ruajtur, sipas asaj që kanë zbuluar karabinierët, të një sasie “bari”, 1 ton e gjashtëqind e dhjetë kg marijuanë, pjesa më e madhe e mbështjellë në pako të mëdha me celefon.
Është kapur në flagrancë dhe është arrestuar Abaz Mamo, 22 vjeç, i lindur në Shqipëri, i cili me një tjetër bashkëpunëtor, që është arratisur, duke u hedhur nga dritarja e shtëpisë në fshat, mbante në pjesët e brendshme të banesës, gati 70 metra katrorë, marijuanë të ndarë në pako nga 5 në 20 kg.
Disa nga pakot e drogës ishin të hapura, me shumë mundësi janë hapur gjatë transportit, disa ishin të lagura dhe të pista nga rëra, gjë që të bën të mendosh për një zbarkim të bërë së fundmi. Bëhet fjalë për ngarkesën e disatë me drogë të ardhur nga Shqipëria dhe të sekuestruar në Brindizi. Sekuestrime të ngjashme janë bërë edhe nga Skuadra Lëvizëse në zonat e Giancola-s dhe Sbitri-t, në brigjet veriore të Brindizit, midis janarit dhe shkurtit.
Duke llogaritur se 1 gram marijuanë ka vlerën e 5 eurove, vlera e ngarkesës së sekuestruar dje nga karabinierët ka vlerën e rreth 8 milionë eurove.
“Dy kriminelët e identifikuar sot nga karabinierët kishin edhe dy pistoleta: një Dan Wesson me kalibër 357 magnum, dhe një Beretta me kalibër 7,65. I arrestuari, pas formaliteteve, është çuar në burgun e Brindizit”, shkruan gazeta italiane.
Droga drejt Italisë nuk ndalet si nga toka, deti dhe ajri. Para pak ditësh, Forcat e Guardia di Finanza-s ndaluan një gomone me 1.2 ton marijuanë në ujërat e Adriatikut, pranë Barit. Mediat italiane bënë të ditur se, Drejtoria Antimafia e Policisë së Barit në bashkëpunim me repartin territoral të Policisë Financiare kanë sekuestruar një gomone me drogë me prejardhje nga Shqipëria.
Sipas mediave italiane, një skaf me motorë të fuqishëm i nisur nga brigjet shqiptare u pikas nga Guardia di Finanza dhe u ndoq në det për disa minuta. Në operacion u angazhuan forca të shumta policore nga deti dhe nga ajri. Skafi me drogë ishte drejtuar në Veri të Barit, por është bllokuar në Molfeta. Për t’i shpëtuar policisë, trafikantët hodhën në det ngarkesën me kanabis. Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti në Itali janë sekuestruar 30 tonë drogë e futur nga Shqipëria.
Sasia më e madhe e drogës nga Shqipëria, plot 10 tonë u sekuestrua nga policia italiane në Portin e Ankonës më 19 shkurt. Mediat italiane shkruanin se, në port kishte zbritur një kamion nga Porti i Durrësit i ngarkuar me materiale plastike. Gjatë kohës që efektivët po kontrollonin letrat e kamionit, qentë e antidrogës zbuluan sasinë rekord të drogës të kapur ndonjëherë në këtë port. Mediat italiane shkruanin, duke iu referuar policisë, se lënda narkotike e ardhur nga Shqipëria është e cilësisë më të lartë, ndërsa në pranga ka përfunduar drejtuesi shqiptar i kamionit.
R.POLISI