Reporterët pa Kufij dënojë dhunën ndaj gazetarit Fundo: Të ndëshkohen përgjegjësit

Organizata Reporterët pa Kufij ka reaguar së fundi për dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Elvi Fundo. Përmes një deklarate kjo organizatë shpreh keqardhje për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 8 marsit pranë stacionit të trenit në Tiranë, ku dy persona dhunuan barbarisht gazetarin e portalit CityNews.al
“Kohët e fundit gazetari Fundo ka investiguar financimin e disa mediave, përfshi këtu televizionin “Ora News”, një kanal privat që transmeton lajme”, thuhet në deklaratën e Reporterëve pa Kufij, duke shtuar atë që Fundo ka thënë nga spitali se dhuna ndaj tij mund të ketë lidhje me raportimet e fundit.
“Ne shpresojmë që të bëhet çdo gjë që është e mundur për të identifikuar përgjegjësit e këtij sulmi dhe vënien e tyre para drejtësisë”, deklaron Pauline Ades Mevel, kreu i zyrës së Reporterëve pa Kufij për rajonin e Ballkanit.
Në deklaratë përmendet gjithashtu se për këtë rast ka reaguar edhe kryeministri Rama dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në fund, Reporterët pa Kufij theksojnë faktin se, Shqipëria është e renditur në vendin e 82 nga 180 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror për vitin 2016.