Pritje fantastike e tifozëve për Berishën e Atalantën

Thirrje, duartrokitje dhe flakadanë. Gjithçka në qendrën stërvitore të Atalantës në Xingoria i ngjasoi një pritje triumfuese, por në fakt tifozët dolën në mbështetje të skuadrës pas humbjes së thellë 7-1 në fushën e Interit.
Megjithë disfatën e rëndë, qindra tifozë në Bergamo realizuan atë që pakkush do ta mendonte dhe që fatkeqësisht nuk ndodh shpesh në botën e futbollit.
Mes atyre që morën mbështetje maksimale ishte edhe portieri kuqezi, Etrit Berisha, që ndaj Interit regjistroi një bilanc tejet të rëndë në portën e tij, duke pësuar gola vetëm në atë 90 minutësh gola sa kishte pësuar në 14 javë të marra së bashku.
Një mënyrë për të treguar mbështetjen dhe vlerësimin për skuadrën, në një sezon të jashtëzakonshëm, ku Atalanta e drejtuar nga Gasperini i ka kaluar të gjitha pritshmëritë dhe pozicionohet e gjashta në Serinë A italiane me 52 pikë pas 28 ndeshjeve. “Me skuadrën jo vetëm në fitore, kështu do të ishte shumë e lehtë”. Ky ishte mesazhi i tifozëve zikaltër. Një shembull për t’u ndjekur në të gjithë Europën dhe një veprim që mund t’i shërbejë si leksion edhe tifozëve shqiptarë.