De Biazi lavdëron Çanin, pret ndihmë nga Gatuzo për Manajn

Dy javë para grumbullimit të kombëtares për ndeshjet ndaj Italisë dhe Bosnje-Hercegovinës, trajneri Xhani de Biazi ka filluar të bëjë gati listën e futbollistëve që do të ftojë këto ndeshje. Me vizitën e tij në fundjavë, në ndeshjen SPAL-Piza, ai ka parë nga afër situatën e dy futbollistëve kuqezi, Edgar Çanit dhe Rei Manajt, por opinionet për të dy sulmuesit ndryshojnë paksa. “Çani është një djalosh, i cili me mua në dyvjeçarin e parë ka luajtur shpesh dhe ka qenë vendimtar. Këtë vit ka më pak hapësira, shpesh alternohet gjatë ndeshjeve me Manajn. Ai është një futbollist bujar, se e bën i vetëm gjithë repartin e sulmit. Ndoshta është më pak rezultativ para portës se sa ka mundësi, por mua më pëlqen shumë”, tha De Biazi për mediat pas ndeshjes që u mbyll në barazim 1-1.
Ndërkaq, për Manajn ka një “tërheqje veshi” për sa i përket anës së karakterit, ndërsa shpreson që këtë aspekt t’ia rregullojë një personazh që njihet për karakterin e fortë, trajneri Gatuzo. “Manaj është i destinuar për t’u bërë dikush, por duhet të kanalizojë maninë që ka për të arritur në maja, në drejtimin e duhur, pasi ndryshe ajo rrezikon të ta nxjerrë jashtë rruge.
Me Gatuzon mund të edukohet mirë dhe të përballet me të edhe nga pikëpamja e karakterit pasi janë të dy shumë kryeneçë. Për Manajn do të jetë i rëndësishëm”, deklaroi tekniku i përfaqësueses.