Shkëlzen Berisha për Ballën: Palaço i Ramës

Për të katërtën herë, Taulant Balla u përpoq sërish dje të shndërronte në një teatër politik mbledhjen e radhës së komisionit hetimor mbi çështjen CEZ, teksa i pranishëm në seancë ishte thirrur djali i ish-Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha. Për shkak të konfliktit të interesit, pasi është i dënuar për shpifje me vendim gjykate ndaj Shkëlzen Berishës, Taulant Balla nuk duhet të ishte dje në drejtimin e mbledhjes, kjo pasi bie në papajtueshmëri me Kodin e Procedurës Penale. Në këto kushte, Shkëlzen Berisha refuzoi sërish dje të bënte betimin para një personi, i cili është dënuar nga gjykata për shpifje ndaj tij, ndonëse sqaroi se është dhe do të jetë i gatshëm për t’iu përgjigjur në çdo kohë komisionit hetimor për të dëshmuar. Në nisje të mbledhjes, Berisha replikoi ashpër me Ballën teksa i bëri të ditur se nuk do të bënte betimin në rast se ai nuk largohej nga drejtimi i mbledhjes për shkak të konfliktit të interesit. Qëndrimi i Berishës bëri që Balla të humbte kontrollin duke lëshuar akuza e duke mos i dhënë atij fjalën e as mundësinë për të sqaruar qëndrimin e tij. Në një prononcim pas daljes nga komisioni, Shkëlzen Berisha i cilësoi akuzat e ngritura nga Balla qoftë në komision qoftë edhe në kërkesën e thirrjes së tij në komision si gënjeshtra elektorale të paguara nga Rama. Ai tha se akuzat ndaj tij janë gënjeshtra elektorale të kryeministrit Rama për të mbuluar milionat e vjedhura prej tij. Duke iu përgjigjur akuzave të mediave, lidhur me akuzat për evazion fiskal ndaj tij, Shkëlzen Berisha i konsideroi ato si shpifjet e radhës për të mbuluar vjedhjet e kryeministrit. “Ju thanë fillimisht që Shkëlzen Berisha është shok i ngushtë me Nuel Kalaj, nuk sollën asnjë provë, asnjë evidencë. Shpifja e radhës ishte që isha takuar në Pragë me Ismailajn. Pse nuk e sjellin të dëshmojë? Shpifja e radhës është që nuk kam paguar taksat. Unë kam një dokument që çdo gjë është paguar sipas kontratës. Ai paguhet si shpifës. Nuk ka asnjë cilësi tjetër. Janë gënjeshtra elektorale të paguara nga Edi Rama. Kërkon të mbulojë vjedhjen e tij, 634 milionë euro për marrëveshjen me CEZ. Kërkon të mbulojë sarajet e Surrelit. Dërgoni një ekspert të zbulojë sa kushton vila e Surrelit. Qindra, miliona euro. Kërkon të mbulojë pallatin 5-katësh të gruas në mes të Tiranës me para gjaku, para të pista. Kërkon të mbulojë faktet tronditëse që pritet të dalin shumë shpejt për kalimin e kufirit të vëllait të kryeministrit me makinën e Genci Xhixhës. Kërkon të mbulojë mashtrimin elektoral për hapjen e 300 mijë vendeve të punës”, tha Shkëlzen Berisha. Nga ana tjetër, Berisha tha se do të vijë në komision sa herë të thërritet, por vetëm me një kusht: “Nëse nuk është kryetar Balla”. “Ai kërkon të mbulojë shëndetësinë falas. Ai ka dhënë mijëra euro klientëve të tij. Ka kërkuar të lirojë nga burgjet shokët e tij. Ai kërkon të mbulojë faktin që Shqipëria është kthyer në hambar droge. Kërkon të mbulojë një tjetër që fsheh listat e Gamorra-s. A ju kam kërkuar ndonjëherë mos më bëni pyetje? Unë i përgjigjem çdo pyetjeje. Komisioni është kthyer në një majmun që e nis me Zenin dhe përfundon tek Mulleti. Me Mulletin kam një kontratë për shitblerje të pronës. Ekziston një kontratë noteriale që është nënshkruar më 2008 dhe është ekzekutuar në mes të vitit 2008 dhe pas një viti kanë ardhur lekët siç e përcakton kontrata”, tha Shkëlzen Berisha. Berisha u pyet dhe në lidhje me akuzat që shpeshherë janë bërë ndaj tij mbi angazhimet profesionale, për të cilat u përgjigj: “Unë kam pasur dhe kam një kompani që ofron konsulencë ligjore. Një tjetër profesion ka qenë dhe ndërmjetësimi në mënyrë periodike. Të gjitha burimet e ardhura të miat vijnë përmes tyre dhe qirave. Dhe kur kam shitur apartamentit e kam deklaruar të gjithë në ILDKP. Kam 12 vjet që bëj deklarimin e pasurisë. Mjafton që të kërkoni në ILDK që të bëni verifikime. Jam i gatshëm të dëshmoj. Kam ardhur të dëshmoj 4 herë. Mund të jem një nga personat e parë publikë që nuk kam heshtur ndaj akuzave. Të heqin Taulant Ballën dhe të flas sa herë të kenë dëshirë”.

Arben Shahini