Prokuroria tjetër akuzë ndaj Frrokut, rrezikon 8 vite burg

Prokuroria ka ndryshuar një nga veprat për të cilat ish-deputeti i mazhorancës, Mark Frroku akuzohet. Sipas Prokurorisë, akuza e re që rëndon ndaj tij është “ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”. Akuza e parë që rëndonte mbi Mark Frrokun ishte “ndërtim i paligjshëm”. Kjo akuzë e re e Prokurorisë e rëndon pozitën e Frrokut, i cili tani rrezikon 8 vite burg, 3 më shumë se sa rrezikonte nga akuza e parë. Prokuroria e Tiranës, kur pritej të lexonte konkluzionet përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Mark Frrokut, vendos t’i ndryshoi njërën prej dy akuzave për të cilat po gjykohet. Seanca e radhës për Mark Frrokun do të zhvillohet më 7 mars, ora 11:00. Mbi Frrokun rëndojnë edhe akuza të tjera, si pastrim parash, fshehje e pasurisë.
Po ashtu, Frroku akuzohet edhe për një vrasje në Belgjikë, një javë më parë Prokuroria e Tiranës kërkon 16 vjet burgim për Kristian Marinaj, i akuzuar për vrasjen në bashkëpunim, në Belgjikë, të shtetasit Aleksandër Kurti. Për këtë ngjarje akuzohet edhe ish-deputeti Mark Frroku.
Marinaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar. I dyshuari, emri i të cilit ndodhet në listën e personave të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, njihet edhe me disa emra të tjera, si Arjan Bytyçi, Hilë Joka ose Hilë Morina.
Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Lartë thuhet se: Me 28.03.2015 Prokuroria e Përgjithshme, ka regjistruar procedimin penal Nr.2, datë 28.03.2015, në ngarkim të shtetasve: a) Mark Frroku, (deputet i Kuvendit); b) Arjan Bytyçi, alias Kristian Morina (Marinaj) alias Hile Joka alias Hile Morina, lindur në Pukë më datë 02.02.1977 alias Ilir Morina, i lindur në Drenicë, Kosovë, më datë 2 shkurt 1977, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim”.
Procedimi penal Nr.2, i mësipërm, është regjistruar mbi bazën e materialeve të ardhura nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me shkresën Nr.2851/1 KL Prot.BM/FKB 1433/15, datë 27.03.2015 dhe Ministria e Drejtësisë me shkresën Nr.266/2 datë 28.03.2015.
Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ka komunikuar se, më datë 04.11.2014 Interpol Brukseli ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin Arjan Bytyçi, lindur më 02.02.1977 në Drenicë, Shqipëri, alias Hilë Joka, Hilë Morina dhe Ilir Morina, pasi nga Gjykata e Shkallës së Parë Bruksel, Belgjikë është lëshuar urdhri i arrestit Nr.37/99 dt. 10.01.2000 ndaj këtij shtetasi, si i akuzuar për veprën penale “vrasja” e parashikuar nga nenet 66 dhe 394 të K.P.Belg, për të cilën dënimi maksimal i parashikuar është ai me burgim të përjetshëm.
Sipas Z.Q.K Interpol Tirana, më dt. 09.01.2015, Interpol Brukseli e ka hequr nga kërkimi ndërkombëtar personin nën hetim me arsyetimin se, urdhri i arrestit i lëshuar ndaj tij nuk është më i vlefshëm dhe se gjeneralitetet e sakta të tij janë Kristian Marinaj, i dtl. 18.02.1975. Në vijim, më dt. 26.01.2015 Interpol Brukseli ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin Kristian Marinaj, i dtl. 18.02.1975, lindur në Serbi, me kombësi serbe të konfirmuar, duke specifikuar se ky shtetas njihet ndryshe si Arjan Bytyçi, alias Hilë Joka, Hilë Morina, Ilir Morina.
Ndaj këtij shtetasi është lëshuar urdhri europian i arrestit B1/070PC, dt. 12.01.2015 nga Gjykata e Apelit Bruksel, për veprën penale “vrasja dhe plagosja në rrethana rënduese”. Sipas Z.Q.K Interpol Tirana, Arjan Bytyçi është identifikuar se ishte i njëjti person, por kishte disa emra, siç specifikohen më lart.
Shkresës së Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpol Tiranës i është bashkëlidhur dokumentacioni i mëposhtëm: Kopje e Urdhrit të Arrestit Ndërkombëtar (Diffusion) lëshuar ndaj shtetasit Kristian Marinaj nga Interpol Bruksel, më datë 26.01.2015; Kopje e rezultateve të nxjerra nga kontrolli në sistemin e ASF2 të Interpolit lëshuar në emër të Kristian Marinaj.