Prokuroria e Fierit nis hetimet për “Bankers Petroleum”

Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet ndaj kompanisë së shfrytëzimit të naftës “Bankers Petroleum”. Bëhet fjalë për shpërthimet e dhjetorit të vitit të kaluar në Zharrëz dhe fonanave të gazit në Marinëz dy vjet më parë. Një ngjarje e paralajmëruar kjo nga Kryeprokurori Adriatik Llalla para një jave gjatë takimit me prokurorët e Fierit. Pasojat e kësaj afere po i vuajnë banorët e zonës  të cilëve ajri dhe uji i ndotur i fshatit po ju sëmur fëmijët, ndërsa shtëpitë po i zënë brenda. Që qeveria të vendosë që “tërmetet” e shkaktuar nga përdorimi i ujit teknologjik që kompania Bankers injekton për të nxjerrë naftë këtyre banorëve të mos i prishë më gjumin dhe banesat t’jua dëmshpërblejë në masën 100%, fshatarëve të Zharrëzës iu desh të qëndronin tri javë në grevë urie dhe të përshkonin rreth 120 km rrugë në këmbë.
Derisa çdo pikë e negociuar mes palëve të kthehet në vendim të Këshillit të Ministrave banorët e Zharrëzës janë shprehur se të vetmin vendqendrim do të kenë trotuarin përpara Ministrisë së Energjisë.
Banorët e mbetur në fshatin Zharrëz kujdesen të mos u rrëzohen muret e shtëpisë. Çdo ditë ata ndjekin zhvillimet për çfarë ndodh me grevistët. Në familjen Pëllumbi kryefamiljari mungon. Ai ndodhet në Tiranë bashkë me banorët e tjerë që janë ngujuar pranë Ministrisë së Energjetikës. Shtëpitë janë shndërruar në kurthe për jetën e banorëve të tyre. Në Zharrëz nuk gjendet asnjë shtëpi pa krisje dhe çarje në mure nga themelet deri në çati.
Banorët po tentojnë të mirëmbajnë atë çka ka mbetur nga tronditja e muajit dhjetor. Reshjet e ditëve të fundit zbuluan shkallën e vërtetë të dëmeve. Numrat në portat e shtëpive tregojnë se, aty ka kaluar Komisioni i Verifikimit të Dëmeve, këto të fundit u kujtojnë çdo ditë banorëve edhe tmerrin e përjetuar gjatë lëkundjve të tokës.
Bashkia ofron çadra, por ato nuk mjaftojnë për të gjithë. Nga ana tjetër, ata që i kanë marrë nuk kanë ku t’i hapin. Familja Sinjari po jeton e ndarë që prej dhjetorit. Të vegjëlit dhe gruaja kanë shkuar te të afërmit në Fier. Shtëpia mund të bjerë në çdo çast.
Dëmet në banesat e Zharrëzës përllogariten në qindra milionë lekë. Vetëm nga tronditja e fundit e tokës u dëmtuan reth 600 shtëpi, nga të cilat 70 janë deklaruar të pabanueshme. Verifikimi i dëmeve vazhdon. Fshati ka gjithsej 1000 familje. Banorët akuzojnë prej vitesh kompaninë Bankers Petroleum se nëpërmjet shpërthimeve nëntokësore për nxjerrjen e naftës shkakton lëkundje të tokës. Protesta e tyre kulmoi me marshimin drejt kryeqytetit ku vazhdojnë të qëndrojnë pranë Ministrisë së Energjetikës për të kërkuar dëmshpërblim dhe ndaljen e lëkundjeve të tokës.