Ballina Aktualitet Plumba mbi makinën e vlonjatit

Plumba mbi makinën e vlonjatit

Një 51-vjeçar nga Vlora i ka shpëtuar mrekullisht një atentati me armë zjarri. Bëhet e ditur se gjithçka ka ndodhur afër mesnatës të së hënës në aksin rrugor Risili-Llakatund, pranë vendit të quajtur “Kthesa e Bushajve”, teksa shtetasi me inicialet P.S., banues në fshatin Llakatund, ishte duke udhëtuar me automjetin “Benz”, me targë AA 029 LV.
Në një moment ai ka dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri, por nuk ka ndaluar. Sapo ka arritur në banesë, ai ka konstatuar se mjeti i tij kishte marrë 4 goditje të dyshuara me armë zjarri, por vetë nuk ka pësuar asnjë lëndim.
51-vjeçari ka njoftuar policinë, dhe menjëherë kanë nisur hetimet në lidhje me këtë atentat, që fatmirësisht ka përfunduar pa viktima. Ende nuk dihet se kush është autori apo autorët e atentatit, ndërsa uniformat blu të Vlorës po punojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme në dy persona janë vetëvrarë. Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 06:30, në lagjen nr. 18 në Durrës, në katin e dytë të banesës ku jetonte, është vetëvaruar S.A., 75 vjeç. Kanë qenë familjarët, ata që kanë gjetur trupin e pajetë të të moshuarit, duke mbetur të shokuar me skenën me të cilën janë përballur. Shkaqet e ngjarjes mbeten për t’u zbardhur nga hetimet. Dyshohet se i moshuari ka qenë në gjendje të rënduar mendore.
Rasti tjetër ka ndodhur në Kurbin, ku viktima është një grua në moshë. D.P., 76 vjeçe, banuese në Droje të Kurbinit ka gjetur vdekjen në spital në Tiranë. Nga hetimet paraprake, dyshohet se e moshuara ka konsumuar lëndë helmuese në rrethana të paqarta. Hetimet janë në vijim për të dyja rastet.

Exit mobile version