Ballina Aktualitet Përmbytjet, revoltë në Shkodër: Grevë përpara Kryeministrisë!

Përmbytjet, revoltë në Shkodër: Grevë përpara Kryeministrisë!

Një muaj pasi zhvilluan grevën e urisë, 8 protestuesit të cilët kërkojnë dëmshpërblimet e përmbytjeve u thirrën dje në Prokurorinë e Shkodrës, pas padisë së bërë nga policia më 18 shkurt. 8 protestuesit u thirrën në Prokurori për t’u marrë në pyetje për grevën e urisë, e cila zgjati për 17 orë. Bëhet e ditur se Policia e Shtetit ka regjistruar në 18 shkurt të këtij viti proçedim penal për 8 grevistët. Mbi këtë proçedim të nisur nga policia, organi i akuzës ka thirrur 8 ish-grevistët mëngjesin e djeshëm për t’i marrë në pyetje. Ka qenë oficerja e Policisë Gjyqësore Suela Kerxhaliu, që mori në pyetje ndarazi 8 ish-grevistët, ku të vetmet detaje që ajo ka kërkuar prej tyre mësohet se ka qenë arsyeja e nisjes së grevës dhe përse kanë marrë një vendim të tillë, kur nga policia nuk kanë patur leje.
Banorët i kanë bërë të ditur oficeres së Policisë Gjyqësore se, vendimi i tyre ka ardhur i sforcuar nga mungesa e përgjigjes prej qeverisë shqiptare për marrjen e parave të dëmshpërblimit të përmbytjeve të viteve 2010-2011. Si provë, ata i kanë dorëzuar dokumentacionin e siguruar rreth vlerësimit që asokohe i është bërë banesave e tokës bujqësore. Ky veprim ka ngjallur revoltë tek banorët e NënShkodrës, të cilët janë prekur më së shumti nga përmbytjet.
Banorët thanë për mediat se, ky është veprim absurd, duke kërkuar t’i dënojnë këta të fundit. “Është çështje veç politike, se nuk jemi as hajdutë, as kriminelë, nuk kemi vjedhur gjë. Na thirrën në Prokurori për një të drejtë që e kemi kërkuar vetë, për një të drejtë tonën që na takon. Edhe thirrjen na e kanë bërë sikur të ishim kriminelë. Mbas 26 vitesh demokraci në këtë vend, unë këtë thirrje e quaj vetëm politike. Na akuzojnë për provokim qeverie. Kjo është qeveri speciale. Na kanë thirrur për grevën e urisë që zhvilluam para një muaji”, tha njëri prej grevistëve.
Banorët paralajmërojnë me nisjen e një tjetër greve, këtë radhë përpara Kryeministrisë. “Ne jemi disa nga personat që protestuam për të kërkuar të drejtat tona. Ne kemi njoftuar Prefektin e Shkodrës për të bërë një grevë urie, edhe Policinë e Shtetit, dhe për këtë kemi edhe dokumentet që e faktojnë. Por Prefekti nuk mori asnjë masë për ne, as për vendosjen e çadrës. Ne bëmë një grevë për 17 orë, dhe sot shteti shqiptar na ka çuar një thirrje për t’u paraqitur në Prokurorinë e Shkodrës. I drejtohemi shtetit shqiptar, nëse ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë të drejtat tona, siç është për rastin tonë për përmbytjet e vitit 2010-2011, atëherë vaj medet populli shqiptar, në çfarë gjendje ka shkuar. Ne jemi të vendosur, dhe nga ana e shoqatës sonë të përmbytjeve të zonës së NënShkodrës ditën e enjte do të ndërmarrim një masë tonën, dhe do të hyjmë në grevë para Kryeministrisë, ose para Ministrisë së Energjisë”, tha një prej grevistëve.
Greva e urisë e 8 ish-grevistëve Gjon Lasku, Pal Marku, Frrok Kola, Lush Ndoci,  Arben Kola, Mhill Guri, Skënder Mhilli dhe Dritan Ndreu zgjati 19 orë në sheshin përpara Bashkisë së Shkodrës. Ata kishin dorëzuar më herët në polici kërkesën për lejen për zhvillimin e grevës së urisë, çka iu refuzua. Banorët kanë akuzuar qeverinë se i ka mashtruar për dëmshpërblimet. Pas përmbytjeve, qeveria Berisha kreu vlerësimin e dëmeve, por nuk arriti t’i dëshmpërblejë, pasi në 2013 zgjedhjet u fituan nga “Rilindja”, ndërsa Rama nuk pranon t’i dëmshpërblejë.
Protesat e banorëve të Shkodrës për dëmshpërblimet e përmbytjeve janë mbështetur nga Bashkia Shkodër. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi është shprehur se të përmbyturit janë në të drejtën e tyre. “Pra, kjo është alternativa e kësaj qeverie për Shkodrën, asnjë lek, asnjë fond, asnjë interesim. Në vend të zgjidhjeve për njerëzit, ofrohet dhunë, kordona policie.
Të përmbyturit janë në të drejtën e tyre, por diskriminohen hapur nga Edi Rama e qeveria e tij, që pas braktisjes po tenton të fusë dhe konfliktin në qytetin më të madh të Veriut. Meqë ai nuk votohet në Shkodër, hakmerret dhe çon deri në fund trillet e tij. Nuk i ka bërë mirë llogaritë. Shkodra dhe shkodranët nuk janë sunduar me polici e forca të armatosura as në ditët më të këqia të diktaturës. Eshtë koha që ai të reflektojë, të ndryshojë raportin me Shkodrën, duke respektuar në mënyrë të barabartë të drejtat e çdo individi në këtë vend, e të ushtrojë detyrimin që ka si kryeministër”, është shprehur Ademi pas hyrjes në grevë urie të 8 banorëve.

R.POLISI

Exit mobile version