Një teatër politik me regjisor Edi Ramën

Shkëlzen BERISHA

Thirrja ime 4 herë është një teatër politik me regjisor Edi Ramën. Edhe pse nuk më lidh asgjë me punën e këtij komisioni, ndonëse padia ligjore dhe deklarimet e mia publike janë ezauruese për këtë çështje, në respekt të ligjit kam ardhur këtu 4 herë, për t’ju përgjigjur çdo pyetjeje që mund të kishin anëtarët e këtij komisioni me vetëm një kërkesë: Komisioni të mos drejtohej nga një njeri i dënuar për shpifje ndaj personit tim. Kërkesa ime është e drejtë, logjike dhe mbi të gjitha ligjore.
I dënuari e drejton këtë komision në kundërshtim me nenin 17-1/c/e dhe nenin 18 -1/b KPP që përcaktojnë qartë rastet e papajtueshmërisë me funksionin. Është në konflikt interesi dhe ka paragjykuar dëshminë time para se unë ta jap atë.
I dënuari ka shkelur procedurat e komisionit kur publikisht e cilësoi të rrëzuar kërkesën time për përjashtimin e tij edhe pse nuk e kishte hedhur fare në votim duke u detyruar të tërhiqet me turp sepse nuk mori as mbështetjen e kolegëve të tij.
I dënuari ka shkelur sërish KPP nenin 21.1 “Kompetencat për të vendosur përjashtimin” ku thuhet shprehimisht se “kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit (anëtarit të komisionit) shqyrtohet në seancë nga një anëtar tjetër i së njëjtës gjykatë”.
Pjesëmarrja e të dënuarit në këtë votim e bën atë të pavlefshëm së pari, pasi prezenca e tij ka siguruar kuorumin. Së dyti, sepse abstenimi është një formë votimi.
Siç duket qartë nga shkeljet e mësipërme, në kontrast me gatishmërinë time për të dëshmuar, insistimi i Ramës që këtë komision nga 140 deputetët e Parlamentit, duhet ta drejtojë me çdo kusht dhe në kundërshtim me ligjin, vetëm i dënuari për shpifje, që nuk zbaton vendimin e gjykatës, tregon se Edi Rama nuk ka interes për të dëgjuar, por për të provokuar dhe për t’u hakmarrë për paditë ligjore të fituara kundër deputetëve të tij.
Unë kam zgjedhur të zbatoj ligjin sepse jam qytetar, por është qesharake t’i kërkosh dikujt të dëshmojë para të dënuarit që nuk zbaton as procedurat e komisionit, as ligjin e konfliktit të interesit, as Kodin e Procedurës Penale dhe as vendimin e gjykatës, sepse për sa kohë bën palaçon, Edi Rama e mbron atë nga ligji.
Në fund kur panë dhe u bindën që nuk më bëjnë dot pjesë të teatrit të tyre politik u detyruan t’i drejtohen rrugës ligjore. Jam i sigurtë që i dënuari për shpifje dhe tutori i tij do të marrin përgjigjen e duhur në rrugë ligjore.
Karakteristika tipike e gënjeshtarëve dhe shpifësve, është që kur dalin blof, përgjigjen me një gënjeshtër tjetër edhe më të madhe se e para. Kur dalin zbuluar, shpikin një tjetër e kështu me radhë me shpresën se në këtë mënyrë do të mbulojnë zullumet e tyre.
Fillimisht thanë se Shkëlzen Berisha është miku i ngushtë i z. Kalaj, por në pamundësi për të sjellë edhe një fakt të vetëm që të provonte këtë shpifje, fabrikuan gënjeshtrën tjetër që kisha vizituar Pragën me z. Ismailaj.
Kur u përballën me padinë ligjore për shpifje, braktisën edhe këtë mashtrim duke fabrikuar gënjeshtrën e radhës se nuk kisha paguar taksat.
Jam i sigurtë që pasi kanë gjetur dokumentet që taksat janë paguar çdo qindarkë, kanë dalë me shpifjen e radhës se paratë e fituara nga kontrata të ligjshme ndërmjetësimi, të transferuara me bankë, të deklaruara nga vetë unë në ILDKP mund të kenë lidhje me CEZ.
Me këto gënjeshtra para elektorale Edi Rama kërkon të mbulojë vjedhjen 634 milionë euro që i bëri shqiptarëve në marrëveshjen me CEZ.
Kërkon të mbulojë sarajet miliona euro në Surrel dhe pallatin 5-katësh të gruas në mes të Tiranës, të ndërtuara pa asnjë faturë ose siç tha ndryshe bashkëshortja e tij me “para gjaku”. Me para gjaku nënkuptoni para pa burim, para pa taksa, para pa faturë, para jashtë sistemit bankar. Për definicion – para të pista!
Me këto shashka mendon të mbulojë faktet që do të dalin së shpejti dhe provojnë kalimet e kufirit nga vëllai i tij me makinën e përdorur nga kryetrafikanti i drogës Genti Xhixha drejtues i grupit të Xibrakës.
Kërkon të mbulojë mashtrimin për hapjen e 300 mijë vende pune ndërkohë që ka hapur vetëm kampe refugjatësh në çdo cep të Europës.
Përpiqet të mbulojë mashtrimin për shëndetësi falas, ndërkohë që u fal qindra miliona euro klientëve të tij përmes koncesioneve, kur buxheti nuk garanton dot as ilaçet për të qetësuar dhembjet e të sëmurëve me sëmundje të pashërueshme.
Shpreson të mbulojë shpalljen e kriminelëve të pafajshëm e nxjerrjen e tyre nga burgjet për arsye elektorale dhe mbushjen e qelive më të varfër që vrasin veten se nuk kanë me se të paguajnë energjinë elektrike.
Tenton të mbulojë kthimin e Shqipërisë në hambarin e drogës për gjithë Europën.
Kërkon të mbulojë faktin se në Parlament dhe listat e PS gjen më shumë kriminelë se në listat e Camorrës në Napoli.
Por sigurisht që nuk ka gënjeshtra që mund të mbulojnë degradimin e Ramës dhe kalbëzimin e qeverisjes së tij.
Është thjesht një mjeran, i gatshëm t’i lëpihet çdo krimineli e të pështyjë çdo mashtrim me shpresën se krimi dhe mashtrimi do ta mbajnë në pushtet.