Ngec huaja tek ekonomia

Përpjekjet e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë për të nxitur huadhënien në ekonomi, përmes bërjes më të lirë të kostos së parasë nuk kanë arritur të japin efekt.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se stoku i huasë për ekonominë, në fund të dhjetorit ishte 546.7 miliardë lekë nga 567.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Negativisht këtu ka ndikuar dhe fshirja e huave, një proces që intensifikohet gjithnjë në muajt e fundit të vitit. Rënia më e madhe e stokut ishte në dhjetor me 5.6 miliardë lekë.
Janari ka vijuar me tkurrje, teksa stoku ka zbritur në 545 miliardë lekë.
Reduktimi i huasë rezulton të ketë ardhur tërësisht nga valuta, e cila është kryesisht në euro. Sipas statistikave, stoku i kredisë në valutë në janar 2017 ra me 6.3% në 286 miliardë lekë.
Në të kundërt huaja në lekë është gjallëruar si rrjedhojë e dy faktorëve. Interesat e huave në lekë kanë qenë më të favorshme, pasi ato kanë zbritur në 8-9% dhe nga ana tjetër, vetë bankat kanë orientuar kredinë në monedhën vendase, për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit.
Kredia në lekë është rritur me gati 9% me bazë vjetore në janar, për të arritur në 258.7 miliardë lekë.
Pesha e huasë në valutë ka rënë ndjeshëm, në 52.5% të totalit në janar 2017, nga 56.2% në të njëjtën periudhë dhe shumë larg prej 70% që ajo zinte në vitet e arta 2008-2010, kur huaja për ekonominë rritjet me ritme dyshifrore, dhe ka pasur vite kur i kalonte dhe 50 zgjerim.
Rritja e vazhdueshme e kredive me probleme, që i bëri bankat më të kujdesshme, ngadalësimi i ekonomisë, maturimi i shumë sektorëve janë disa nga arsyet kryesore të ngërçit të kreditimit vitet e fundit. Më 2015, rritja vjetore e kredisë ishte negative prej -2.4%.