Krimineli që la mandatin pasi votoi Reformën në Drejtësi

Armando Prenga është zgjedhur dy herë deputet i Partisë Socialiste në Qarkun e Lezhës. Ai asnjëherë nuk ka folur në Parlament, megjithatë është i njohur për opinionin publik. Jo për ndihmën ndaj atyre që votuan, as për të mira publike, por për dhunën që ka shkaktuar në Parlament dhe jashtë tij.
Në dy raste, ai dhunoi fizikisht kolegët e opozitës. Një herë ndaj Edi Palokës dhe rasti i dytë dhe më i bujshëm, kur goditi me rripin e pantallonave deputetin demokrat Gent Strazimiri. Të dy ngjarjet ndodhën në ambientet e Parlamentit.
Gjithmonë ai ka qenë i akuzuar nga opozita si i përfshirë në ngjarje kriminale dhe probleme me drejtësinë, që me kalimin e kohës do të vërtetoheshin dhe ligjërisht.
Në shtator të 2015, Armando Prenga u arrestua nga policia për shkak të një konflikti me armë me fisin Çali. Ai u akuzua nga Prokuroria se ka plagosur njërin prej pjesëtarëve të këtij fisi. Me vendim të Gjykatës së Lartë, u lirua. Fshehurazi medias dhe kolegëve, Armando Prenga shkoi në Parlament dhe mori pjesë në votimin e një prej ligjeve që shoqërojnë Reformën në Drejtësi, duke shmangur njëkohësisht dhe humbjen e mandatit, pasi prej 6 muajsh nuk ishte i pranishëm në seancat plenare.
Me miratimin e ligjit të dekriminalizimit, Armando Prenga ishte një ndër emrat më të akuzuar të Partisë Demokratike. Prokuroria nisi hetimin ndaj tij dhe në bazë të njoftimeve të ardhura nga vende të ndryshme të Europës, rezultoi se kishte përdorur dhjetë emra të ndryshëm. Gjithashtu u zbulua se në formularin e vetëdeklarimit, nuk kishte deklaruar një vendim të Gjykatës së Kurbinit për falsifikim dokumentash. Për këtë shkelje, Prokuroria prej kohësh kërkonte heqjen e mandatit. Çështja e tij u kthye në një lojë ping-pongu mes Prokurorisë e KQZ-së. Kjo e fundit nuk pranon t’i heqë mandatin me argumentin se nuk janë të mjaftueshme materialet e ardhura nga organi i akuzës.
Përplasja institucionale u zgjidh shpejt, pasi deputeti Prenga u dorëzua, duke lënë mandatin në Qarkun e Lezhës. Ai do të kujtohet si deputeti i dhunshëm dhe natyrisht fjalëpak.