Jemi në vitin ’46: 19 katolikë të Veriut në pranga brenda orës

Frrok ÇUPI

Këta veçohen se “nuk janë si të gjithë”, edhe pse të gjithë pranojnë vetë se janë si njëri-tjetri, me të njëjtin hall, me të njëjtën varfëri, si vëllezër – pavarësisht se në cilën krahinë e në cilën fe “kena le”. Mirëpo gjithnjë shteti, në regjimin e diktaturës komuniste dhe tani, këta i ka veçuar, i ka shpallur armiq. A je prej Veriu? Po… A je katolik?… Po. Atëherë nuk ke fat tjetër.
… Të gjithë kultivojnë drogë, por në Veri të vendit kultivuesit shpallen armiq të qeverisë. Mbillet drogë në Jug e në Veri, sepse e mbjell dhe e shet qeveria, por, për të njëjtin faj, në Veri sot u burgosën 19 katolikë…. Edhe në vitet e para të pushtetit komunist, shumica (në Jug e Veri) nuk e donin komunizmin, por në Veri të vendit u kryen operacionet barbare kundër armiqve si në Postribë, Reç, Vig, Mirditë, Bicaj, Kala e Dodës, Dibër, etj.
Në gjithë vendin kultivojnë drogë, por sot një operacion i madh i Policisë së Shtetit, që në mëngjes piketoi 16 katolikë në Veri të vendit dhe iu vuri prangat aty nga dreka: Dritan Lisaj- 39 vjeç; Gjin Lushi, 61 vjeç; Ndoc Papshaj- 52 vjeç;  Gjovalin Gravilaj- 45 vjeç; Llesh Qeftaj- 49 vjeç;  Emiljan Qeftaj- 23 vjeç; Nikë Qeftaj- 20 vjeç;  Rinaldi Qeftaj- 22 vjeç; Dedë Koçeku- 47 vjeç; Gëzim (Gjin) Çakaj- 48 vjeç; Benard Bungaja- 25 vjeç; Gjon Ndrecaj- 29 vjeç; Mentor Bungaja- 30 vjeç;  Mark Bashi- 40 vjeç;  Nikë Bashi- 43 vjeç; Ndokë Bregu- 63 vjeç.
Përveç tyre edhe tre të tjerë, ku bëhen 19: Dritan Lisaj, kryeplak; Gjin Lushi, kryeplak; Ardian Loci, efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë… Edhe kryepleqtë që kultivojnë drogë ka qëlluar që të jenë po katolikë; edhe polici që “tregon shokët”, ka qëlluar po katolik… Ka një paradoks që i kalon kufijtë e “mrekullisë” së keqe: Të gjithë armiqtë zgjidhen nga Veriu dhe nga katolikët. Në regjimin e diktaturës komuniste, edhe në filma-të gjithë banditët, vrasësit, prapanikët…, flasin dialektin gegë dhe kanë emra malësorësh në Veri… Në legjislaturën e fundit të Kuvendit, gjashtë deputetë që u shpallën “kriminelë” janë katolikë. Kush i zgjedh armiqtë? Në pushtete të dhunshëm e të tmerrshëm si ky, i zgjedh gjithnjë pushteti.
Shteti selektiv e nis me një pjesë dhe pastaj dhunon tjetrën; e nis me katolikë dhe zgjat dorën te çamët, e nis me Veriun dhe zgjat dorën në Breg…
Ky është zgjatim i pushtetit të diktaturës hoxhiste. A u është dukur si e “tepërt” kur kemi thënë se këta janë fëmijë të atyre që ushtruan diktaturën 45 vjet në komunizëm? U është dukur vërtet e “tepërt”?
Pse shfren kjo urrejtje e pushtetit për në veri e për në fe?
Arsyeja e parë-ajo që lidhet me komunizmin e parë: Këta nuk binden-sipas tyre; këta nuk pranojnë fyerjen… Po këtë nuk e pranon asnjë shqiptar. Megjithatë kryeministri ka qenë në Shkodër dhe nuk e kanë përkëdhelur. Derisa ta përkëdhelin, do t’i dhunojë e do t’i burgosë. Por kjo ditë mund të mos vijë.
Arsyeja e dytë, një hije e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Këtu tani ndodhet Çadra e Protestës Popullore kundër qeverisë; qeveria mendon se këtu ka Veriorë dhe Katolikë. Në fakt ka njësoj-nga gjithë Shqipëria. Por këtu, para dy vjetësh kanë “parakaluar’ 40 martirët katolikë të varrosur nga diktatura komuniste, duke filluar që nga Vincens Prenushi e deri te Frano Gjini. Ishte dita e pritjes së Papës. Pas kësaj, qeverisë i del përpara fantazma e dyzet martirëve katolik në bulevard. Qeveria ka frikë se u “pushtua”.
Qeveria rron me fantazma; sot qeveria ka burgosur 19 brenda një ore. I ka burgosur paradite dhe pasdite kërkon duartrokitje nga populli. Siç kërkon duartrokitje për Vetting që do t’i japë drejtësi shtetit para individit. Njësoj si në vitin 1946 kur duartrokitej në kinema “Rex”.
Armiqtë zgjidhen përsëri…