Ballina Politikë Dënim me vdekje, 32 mijë ton mbetje kimike?

Dënim me vdekje, 32 mijë ton mbetje kimike?

Mediat italiane kanë hedhur dritë mbi një skandal ku Shqipëria është në qendër të tij e që ka të bëjë me importin e plehrave në Shqipëri. Sipas investigimit të një media italiane, bëhet fjalë për rreth 2600 kontenierë secili me 22 tonë mbetje që duhej të përfundonin për t’u ricikluar në Maqedoni, por në Shkup mësohet se kanë përfunduar vetëm rreth 1130 kontenierë.
Por shumica e kontenierëve nuk kanë mbërritur në Maqedoni dhe kanë ndryshuar drejtim për në Shqipëri. Sipas asaj që shkruan media italiane, kontenierët me mbetje janë zhdukur në doganën e Qafë Thanës. Bëhet fjalë për plot 1470 kontenierë. Secili prej tyre ka patur nga 22 tonë që nënkupton se totali i tonelatave të mbetjeve krimike që kanë hyrë në Shqipëri arrin në 32 mijë e 340 ton.
Bëhet fjalë për lëndë kimike shumë të rrezikshme që dyshohet se janë groposur në Shqipëri. Janë përdorur në dokumente si tranzit për në Shkup, por që nuk e kanë kaluar asnjëherë kufirin shqiptar për në Maqedoni.
Këto kontenierë me lëndë kimike kanë sjellë në Tiranë dhe kreun e Prokurorisë së Antimafias italiane, Franco Roberti, i cili ka pasur një takim me kryeprokurorin e Shqipërisë, Adriatik Llalla. Diskutimet për këtë hetim të nisur janë bërë në mënyrë të fshehtë. Mësohet se Prokuroria e Antimafias italiane ka nisur një hetim për qeverinë shqiptare, për lidhje me mafian italiane të plehrave.
Ky hetim ka përfshirë edhe zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Siç bën të ditur media italiane, përfaqësues të ambasadës së Italisë në Tiranë dhe Shkup, janë bërë pjesë e këtij hetimi, në të cilin Maqedonia është duke bashkëpunuar.

Artikulli i medias italiane “Pianeta Italia”:
“Bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë është në një pikë kthese… Ura e gjyqësorit mes vendeve tona do të sjellë një evolucion në bashkëpunimin ndërkufitar për krimin. Me pak fjalë, mafiet e reja do të gjejnë bukë për dhëmbët e tyre”!
Tonet e konferencës për shtyp janë me shenja optimizmi. Adriatik Llalla, prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, ka pritur në Tiranë prokurorin e Antimafies italiane, Franco Roberti. Një debat i gjatë për trafikun e drogës dhe armëve, luftën kundër riciklimeve të bërë nga mafia dhe shkëmbimeve të numrave e të dhënave për të hetuar më thellë…
“Hetimet konfidenciale do të vijnë shumë shpejt në rezultate vendimtare”, thuhet në korridoret e Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri, por askush në konferencën për shtyp nuk guxon të ngrejë hipoteza lidhur me interesat e përbashkëta hetimore. Asnjë indice, pra me përjashtim të një pyetjeje të “pacipë” lidhur me trafikun e paligjshëm të mbetjeve nga Italia, shpesh ilegal, në territoret e gadishullit ballkanik.
“Prokuror, mijëra kontenierë të nisur nga porti ‘Gioia Tauro’ në Kalabri drejt Maqedonisë kanë zbarkuar në Durrës dhe janë zhdukur gjatë rrugës. Dukej se përmbanin mbetje urbane dhe industriale. Shqipëria është kthyer në kazanin e plehrave të Europës?”, pyeti një gazetar.
Ai bën një shenjë me sy dhe ngre supet. I shmanget pyetjes, por e bën vetëm për sa i përket sekretit institucional që është i nevojshëm për të mbajtur në vazhdim procesin.
Është e vërtetë, Italia dhe Shqipëria hetojnë “mbeturinat e zhdukura” në rrugën drejt Ballkanit.
Dokumentet në posedimin tonë tregojnë se në vitin 2016, të paktën 1.300 kontenierë, prej 22 tonelata secila dhe zyrtarisht të destinuara për t’u shkarkuar në Dresla, Maqedoni, nuk e kanë kaluar kufirin. Të shkarkuara në Portin e Durrësit, në Shqipëri, nga anijet e kompanive të mëdha, të nisura nga Porti i Gioia Tauro në Kalabri. Duhet të ishin shkarkuar në Shkup, Maqedoni, në vendin më të madh të shkarkimit në Europë, menaxhimi i së cilës i është besuar aktualisht një kompanie italiane.
Mbetjet urbane të ardhura nga Napoli dhe provincat, nga Campania, Bari dhe komunat e këtij territori. Madje edhe nga provinca e Imperias. Por, ndoshta edhe mbetje industriale dhe helme të rrezikshme, kjo e fundit, hipotezë që e bën aferën më shqetësuese dhe të sjellë në memorie vitet më të errëta të helmeve nga mafia. Në Napoli dhe Campania, vendet e “të keqes së errët” të përhapur në vitet e katastrofës më të madhe ambientaliste të viteve të fundit, ata e dinë mirë se për çfarë bëhet fjalë.
Kontenierët janë zhdukur në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Në vitin 2016 kompanitë ndërkombëtare të anijeve kanë dorëzuar 24.816 kontenierë nga e gjithë bota dhe tranzit nga porti italian i Gioia Tauro. 2604 u dërguan në Maqedoni. Në kufirin doganor që ndan Shqipërinë dhe Maqedoninë, këto kontenierë nga 22 tonë secili nuk i panë, në të vërtetë kanë kaluar vetëm 1140. Pra, ku janë? Cili i ka marrë përsipër? Janë zhdukur në det apo janë varrosur nën tokë?
Autoritetet maqedonase kanë nisur një hetim. Shumë spekulojnë se ishin fshehur në tunele të nëndheshme dhe bunkerë të mëdhenj në ish-vendin komunist, ku Guarda di Finanza dhe zyrtarët e ambasadës italiane në Shqipëri e Maqedoni javët e fundit janë në kërkim të një “thesari”. Gjurmët e përgjegjësive të çojnë në korridoret e pushtetit në Tiranë dhe vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e politikës në “Tokën e Shqiponjave”.
Qeveria shqiptare vitin e kaluar u përpoq vazhdimisht që të miratonte me shpejtësi një ligj që lejonte importin e mbetjeve nga vendet europiane, kryesisht italian. E mbështetur nga Kryeministri Edi Rama, projektligji provokoi shumë kundërshtime edhe në mesin e disa ministrive, duke përfshirë Ministrinë e Mjedisit të Lefter Kokës, përfaqësuesin në pushtet të LSI-së.

Eva Netkovska: 1300 kontenierët janë groposur në Shqipëri

Media italiane “Pianeta Italia”, e cila ka investiguar zhdukjen e 1300 kontenierëve me mbetje të rrezikshme që dyshohet se janë groposur në Shqipëri, ka intervistuar edhe një zyrtare në Ministrinë e Mjedisit të Maqedonisë, Eva Netkovska. Sipas saj, 1300 kontenierët me lëndë të rrezikshme janë groposur në Shqipëri. “Hetimi i zhvilluar nga policia italiane ka arritur në përfundimin se ato janë varrosur në Shqipëri. Sipas informacioneve tona Shqipëria është e përzierë në biznesin e plehrave.  Në disa zona të vendit ato groposen ose digjen… shpesh bashkë me plehrat normale futen edhe ato të rrezikshme… qarkullojnë sasi të mëdha parash… trafiku kontrollohet nga mafia”, thotë zyrtarja maqedonase.

Goia Tauro, porti nga ku u zhdukën armët kimike

Artikulli i medias italiane që zbardhi skandalin e 1300 kontenierëve me mbetje të rrezikshme që dyshohet se janë zhdukur në Shqipëri, janë nisur nga porti i Goia Tauro në Itali.
Ky është një ndër portet më të rëndësishme në Itali nga prej nisen një numër i madh kontenierësh me mbetje drejt vendeve të ndryshme për t’u groposur.
Kujtojmë se porti Goia Tauro në Itali është porti nga ku u zhdukën armët kimike që do të vinin në Shqipëri për t’u çmontuar, sipas një marrëveshje që Kryeministri Edi Rama bëri me ndërkombëtarët sapo mori detyrën në 2013.
Por, protestat e mëdha popullore dhe të vendosura prej disa ditësh, bënë që Rama të tërhiqej nga mbërritja në Shqipëri e armëve kimike. Katër vite më vonë, sërish ky port në Itali është “bërë” protagonist. Prej andej ka dyshime të forta se janë nisur 1300 kontenierë me mbetje të rrezikshme dhe ndodhen në vendin tonë.

Exit mobile version