Ballina Sport Arlind Ajeti “djeg” shansin e fundit

Arlind Ajeti “djeg” shansin e fundit

Mbrojtësi shqiptar, Arlind Ajeti, ka bërë sërish një paraqitje jo pozitive në Serinë A, teksa ka djegur atë që mund të quhej shansi i tij i fundit për të bindur trajnerin e Torinos, Sinisa Mihajloviç. Në ndeshjen e mbrëmjes së djeshme ndaj Fiorentinës në transfertë, e vlefshme për javën e 26, Ajeti u hodh në fushë si titullar, por u zëvendësua në pushimin e ndeshjes pas performacës së tij jo bindëse.
Ai mund të konsiderohet disi fajtor në momentin e golit të parë të Fiorentinës të realizuar nga Saponara në minutën e 8, teksa lejoi Kaliniçin të gjuante drejt portës së Hart, një goditje që u grushtua nga portieri anglez dhe topi përfundoi në këmbët e autorit të golit. Fiorentina arriti të shënonte dhe golin e dytë në minutën e 38 me anë të Kaliniç, duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi të dyfishtë.
Në pjesën e dytë, pa Ajetin në fushë, Torino u zgjua dhe arriti të barazonte ndeshjen në 2-2 falë dopietës së Belotit në minutat 65 dhe 85. Për t’u përmendur fakti që Beloti humbi dhe një penallti në minutën e 62-të. Tashmë me kthimin nga dëmtimi të Rosetinit, një nga titullarët e mbrojtjes së Torinos gjatë këtij sezoni, i cili u fut që dje në fushë për të zëvendësuar Ajetin, hapësirat e mbrojtësit shqiptar në formacion mund të quhen të mbyllura dhe largimi në fund të sezonit duket i pashmangshëm.
5 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Belotti falë intuitës së tij në zonën kundërshtare realizoi golin e barazimit i asistuar me një harkim të zgjuar nga Baselli. Në minutën e fundit shtesë pretendojnë për 11 metërsh vendasit, por gjyqtari Giacomelli vijon lojën, për të vërshëllyer për herë të fundit vetëm sekonda më pas.
Paraqitja e mbrojtësit të kombëtares shqiptare në ndeshjen e djeshme u vlerësua me notën e ulët 5 nga sajti i njohur i futbollit “tuttomercatoweb.com”. “Alternon mbylljet e mira me neglizhencë elegante në momente paniku, si në rastin kur lejon Kaliniçin të gjuajë drejt portës. Në këto rrethana zhgënjen Mihajloviçin, i cili e zëvendëson në pushim të ndeshjes”, përshkruhen 45 minutat në fushë të Ajetit.

Exit mobile version