“Tronditet” Interi!

Radja Naingolan me dy perla të tij dhe Perroti me 11 metërsh “tronditën” Interin brenda në “San Siro”, me zikaltrit që u shfaqën të pafuqishëm për të kthyer rezultatin para publikut të tyre edhe pse e shkurtuan përkohësisht diferencën me Icardin. 1-3 përfundoi kjo supersfidë e javës së 26-të të Serisë A, rezultat që u jep një goditje të fortë objektivave të Interit për zonën Champions, ndërsa Roma ruan hapin e Juventusit, teksa distanca me kryesuesit shkon sërish në 7 pikë.
12 minuta lojë i mjaftuan Romës për të shënuar golin e parë, ku pas një kombinimi mes Dzekos dhe Naingola, mesfushori belg pasi shmangu Gagliardinin, lëshoi një trajektore të pakapshme për Handanoviç.
Dzeko për pak mund të dyfushonte shifrat në të 36-ën, por reagoi me majat e gishtave Handanoviç, ndërsa në fund të pjesës së parë gjuajtja rrafsh me tokën e Brozoviç u devijua në fundore nga Szczesny. 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë pas një dyluftimi ajror me Gagliardinin, të cilin Tagliavento e konsideroi të rregullt, Naingolan vrapoi si i çmendur drejt portës së Interit, për të dhuruar një tjetër mrekulli nga distanca.
U duk sikur Interi u kthye në lojë me golin e Mauro Icardit që u zgjat mjaftueshëm në shtyllën e dytë për të devijuar në rrjetë asistin e Perisic. Vetëm 4 minuta më pas Roma, cinike në lojën e saj, fitoi një 11 metërsh pas ndërhyrjes së gabuar të Medel ndaj Dzekos, që Perroti e shndërroi në gol, për rezultatin përfundimtar 1-3.
Milani thyen tabunë Sassuolo në transfertë, fiton 0-1 dhe vazhdon të ëndërrojë për zonën Champions. Skuadra emiliane ndoshta nuk e meritonte humbjen, por episodet e kësaj sfide ishin në favor të ekipit të Montellës. Shumë raste të humbura nga Sassuolo, por keqardhja për vendasit është për 11-metërshin e humbur në minutën e 12 nga Berardi.
10 minuta pas shtyllës së sulmuesit të kombëtares italiane, gjyqtari vërshëllen për një tjetër 11-metërsh, këtë radhë në favor të Milanit. Me fat Carlos Bacca në ekzekutimit e penalltisë. Sulmuesi kolumbian edhe pse rrëshket, arrin të shënojë.
Në fund të pjesës së parë Bacca realizoi një tjetër gol, por që u anulua për pozicion jashtë loje. Pjesa e dytë pavarësisht këmbënguljes së Sassuolos nuk solli ndryshim tjetër rezultati, me Milanin që i gëzohet fitores së 14-të sezonale.
Tjetër fitore e Lazios me Thomas Strakoshën që po i sjell fat mes shtyllave. Badhekaltrit mposhtën 1-0 Udinezen në “Olimpico”, ku edhe në këtë rast vendosi një 11-metërsh, i shndërruar në gol nga Immobile.