Me një Harry Kane në formë të tillë, për Totenham Hotspur e pamundura nuk ekziston. Skuadra iu fal sulmuesit të saj kryesor për të lënë pas zhgënjimin që solli eliminimi në raundin e 1/16 të Europa League, nga belgët e Gent. Në “White Hart Lane”, Harry Kane shpërtheu me 3 gola dhe 1 asist duke udhëhequr formacionin e Mauricio Pochettinos drejt një fitoreje me shifrat e thella 4-0 ndaj Stoke City-t. Një sukses i rëndësishëm ky, me Totenham-in që u ngjit sërish në vendin e 2-të, ndërkohë që Kane falë këtij 3 golëshi barazoi Lukakun në krye të listës së golashënuesve në kuotën e 17 finalizimeve.
53 pikë për Spurs-at pas 26 ndeshjeve të para, 10 më pak se Chelsea që kryeson klasifikimin në Premier League dhe 1 më tepër se Manchester City i vendit të tretë që gjithsesi duhet theksuar se ka një ndeshje më shumë për të luajtur. Në “White Hart Lane”, Totenham-it iu deshën vetëm 14 minuta për të zhbllokuar shifrat. Kane përfitoi nga një top i larguar keq nga njëri prej mbrojtësve të Stoke, duke goditur menjëherë për avantazhin e vendasve. Në minutën e 32-të sulmuesi i përfaqësueses së Tre Luanëve, finalizoi në mënyrën më të mirë një skemë perfekte të skuadrës së Pochettinos duke realizuar një gol të bukur pas krosimit të Eriksen nga këndi për t’i çuar shifrat në 2-0. 5 minuta më pas skena ishte sërish për shtatlartin anglez, i cili këtë herë i ndihmuar edhe nga një devim realizoi pas një goditjeje standarde me dy takime, duke hipotekuar fitoren e skuadrës vendasve. Në sekondat e fundit të pjesës së parë kishte vend edhe për golin e 12-të sezonal të Dele Alli-t që erdhi për meritë të Kane, i cili këtë herë bëri njeriun asist. Në pjesën e dytë Spurs-at e ulën ritmin, duke administruar avantazhin e një fitoreje të thellë që erdhi nën shenjën e Harry Kane.