Ballina Bota & Rajoni Shtëpia e Bardhë përpiqet të hedhë poshtë thirrjet për hetim për Rusinë

Shtëpia e Bardhë përpiqet të hedhë poshtë thirrjet për hetim për Rusinë

Ndërsa Presidenti Donald Trump përgatitet për fjalimin e tij të parë para Kongresit amerikan, Shtëpia e Bardhë u përpoq të dielën që të zmbrapste thirrjet më të fundit për një hetim të pavarur të përpjekjeve ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit që kaloi dhe të çdo lidhjeje të mundshme mes Moskës dhe rrethit të afërt të Presidentit.
“Ne jemi jashtëzakonisht të bindur që çfarëdo analize të bëhet, të gjithë do të arrijnë në të njëjtin përfundim: se ne nuk kishim asnjë rol në ndërhyrjen ruse”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders në emisionin “This Week” të televizionit “ABC”.
Të premten, kongresmeni republikan nga Kalifornia, iu bashkua demokratëve në thirrjen për një prokuror të posaçëm që të mos jetë i ekspozuar ndaj ndikimit të prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions, një njeri i besuar i Presidentit Trump.
“Sessions, mori pjesë në fushatë dhe është i emëruari i tij. Duhet të përdoret statuti i një prokurori të posaçëm dhe jo vetëm të përjashtohet Sessions nga mundësia e hetimit, por që të mos mund t’ia japë këtë rol as zëvendësit të tij”, tha zoti Issa në emisionin “Real Time with Bill Maher” të televizionit “HBO”.
“Ne duhet të hetojmë aktivitetet ruse, sepse bëhet fjalë për njerëz të këqinj”, tha ai.
Shtëpia e Bardhë tha se amerikanët kanë shqetësime më urgjente.
“Vjen një moment kur duhet ta lëmë pas këtë çështje dhe të fillojmë të merremi me çështje që kanë rëndësi për popullin amerikan. Dhe nuk mendoj se kjo është një prej tyre. Ne kemi folur vazhdimisht për këtë temë. Jemi pyetur dhe jemi përgjigjur”, tha zonja Sanders.
Demokratët nuk po tërhiqen.
“Prokurori i Përgjithshëm duhet ta përjashtojë veten. Le të kemi një hetim dhe të zbulojmë të vërtetën”, tha udhëqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në emisionin “This Week”.
Disa komisione të Kongresit të drejtuara nga republikanët po i hetojnë aktivitetet e rusëve, ashtu si edhe Departamenti i Drejtësisë.
Sido që të jetë ecuria e hetimeve, zoti Trump nuk e ka fshehur zemërimin lidhur me këtë debat ose me pasqyrimin e tij në media.
“Këto zëra për Rusinë janë lajme të rreme të nxitura nga demokratët dhe të fryra nga media, për të maskuar disfatën e thellë në zgjedhje dhe rrjedhjet e paligjshme të informacionit”, shkruante presidenti të dielën në Twitter.
Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane duke depërtuar në e-mail-et e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe duke i bërë ato publike, si edhe duke përhapur njoftime të rreme që kishin si synim të dëmtonin reputacionin e kandidates demokrate për presidente Hillary Clinton.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn dha dorëheqjen vetëm 24 ditë pasi kishte marrë detyrën, pasi u kishte dhënë informacion jo të saktë nënpresidentit Mike Pence dhe zyrtarëve të tjerë të Shtëpisë së Bardhë lidhur me kontaktet e tij të shpeshta me ambasadorin rus Sergey Kislyak gjatë periudhës së tranzicionit para inaugurimit të Presidentit Trump.

Exit mobile version